Bardhyl Berberi: Mos i bëni pis zgjedhjet e reja?
– Gjyshi përse bien këmbanat, – pasi shtëpia jonë ndodhet përballë kishës rë re të qytetit.
-Sigurisht jo për të vdekurit, – i thashë Blandit, të vdekurit nuk dëgjojnë dot. Këmbanat bien për të gjallët, për t’i ftuar njerëzit të përcjellin të vdekurit dhe për t’u kujtuar atyre se ka vdekje. Por realisht, këmbanat tek ne po bien për klasën tonë politike aktuale që këto 30 vjet është degraduar. Dhe kur them të vdekurit nuk e kam fjalën për të vdekurit biologjikë, por për klasën politikë shqiptare që ka vdekur prej kohësh, shpirtërisht dhe moralisht sëbashku me disa drejtues partish aktuale sëbashku me disa pseudoiktelektualë në shërbim të tyre… Si duhet ta zgjidhin shqiptarët çështjen e korrupsionit, krimit të organizuar dhe kapjen e shtetit nga oligarkët, mafia politike, rrjeti i agjenturave të huaja?!
Më kuptoni si të doni, por, unë mendoj se hakmarrja mes shqiptarëve mbi çfarëdo baze duhet të ndërpritet, meqë ajo nuk i zgjidh problemet; ajo prodhon hakmarrje të reja, revanshizëm, pakënaqësi, tensione, pasiguri dhe e frenon zhvillimin normal të shoqërisë shqiptare. Tashmë që është fiksuar data e zgjedhjeve do të fillojë gara e mitingjeve dhe e antimitingjeve të djathta apo të majta, duke nxitur një konfrontim fizik, çka duhet të përfundojë sa më parë. Shqiptarët boll gjak kanë derdhur në këto vite tranzicion nga disa koka të nxeta që për t’i shpëtuar drejtësisë janë gati t’i venë zjarrin Shqipërisë që të ruajnë paratë e vjedhura. Digjen qëllimisht pyje dhe në jo pak raste thuhet që zjarret janë të qëllimshme.
Me fillimin e procesit të pastrimit të skenës politike dhe politikëbërjes shqiptare të periudhës të tranzicionit ‘demokratik’, opinioni shqiptar në forma të ndryshme bombardohet përditë nga analistët, opinionistët, mediat dhe rrjetet sociale, si dhe përmes formave të tjera të komunikimit publik e privat, me çka kërkohet realizimi deri në fund i procesi tanimë të filluar nga prokuroritë dhe SPAK, të krijuara për hetimin dhe dënimin e këtyre krimeve, si vepra të poshtra. Ata e kanë dëmtuar procesin e demokratizimit, e kanë dëmtuar interesin shoqëror, në shumë mënyra i kanë shkelur liritë dhe të drejtat e qytetarëve, e kanë rrezikuar mirëqenien e qytetarëve duke e plaçkitur pasurinë shoqërore dhe të shtetit, në disa raste edhe e kanë cënuar sovranitetin dhe integritetin e vendit në format më serioze, me këto veprime duke e rrezikuar paqen dhe sigurinë në vend, rajon dhe më gjerë.
Asnjë politikan dhe udhëheqës i pushtetit të djeshëm dhe atij të sotëm, i dyshuar për korrupsion dhe krime, nuk është dënuar. Gërdeci, aferat e CEZ, abuzimet me Rrugën e Kombit, katër të vrarë në boulevard… janë plagë të hapur të pandëshkuara që kullojnë edhe sot gjak.
Sipas kësaj, shihet qartë se edhe përkundër faktit që janë angazhur në këtë proces shumë institucione vendore dhe ndërkombëtare, si me ç’rast është krijuar një polarizim i shoqërisë në baza ideologjike, partiake, klanore, pa edhe fisnore e krahinore, është hapur një betejë e ashpër mes rrjeteve të fuqishme të bizneseve, mes interesave të huaja në vend, ndërsa klima e përgjithshme politike, gërshetimet e interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike, si dhe faktorë të tjerë e pamundësojnë efikasitetin e kryerjes me sukses të këtij procesi.
Nisur nga këto fakte, është tepër iluzive të priten rezultatate konkrete. Do të ishte inkurajues nëpërmjet reformës në drejtësi të arrihej dënimi i këtyre kriminelëve në forma të tjera që nuk do të prodhonin më tensione politike, pakënaqësi dhe revoltë mes qytetarëve, shumica të manipuluar nga propaganada përmes mediave të kontrolluara nga këto klane.
Prandaj, në vend të arrestimit dhe vënies në pranga të ‘peshqve të mëdhenj’, si fillim do të ishte më e përshtatshme, jo edhe e mjaftueshme, masa e konfiskimit të pasurisë së tyre e vjedhur dhe fituar në rrugë kriminale, si dhe ndalimi me ligj i ushtrimit të funksioneve nga këta persona të dyshuar për krime dhe korrupsion të cilët duhet që të izolohen për vite e dekada…
Duke marrë parasysh mentalitetin tonë, mungesën e traditës demokratike, si dhe rrethanat e përgjithshme në të cilat janë aktualisht shqiptarët, nëse nuk mund të arrestohen të gjithë ‘peshqit e mëdhenj’, së paku ta marrin dënimin e merituar, me sekuestrim të pasurisë të fituar në mënyrë të paligjëshme…
Këmbanat po bien për ata që kanë veshë… Ka disa kufij për tej të cilave baudallalëku dhe të paaftit duhet të kontrollohen por si? Sigurisht me lista të hapura. Të mos kete numur rendor të hyjë në parlament ai më i votuari nga populli. Mund të jesh i djathtë, por kur shikon një kandidaturë të goditur mund ta votojnë edhe të majtët. E mbani mend të gjithë se si e hodhi në tapet presidentin e asaj kohe Ramiz Alinë një inxhinjer i thjeshtë miniere… Edhe një gjë, do të jetë mirë që kandidatët që do të përfaqësojnë në kuvend qytetin apo qarkun e tyre të jenë po nga ai qytet apo qark. Qyteti i njeh dhëmbë e dhëmballë njerëzit e tij jo të ardhur nga një qytet që s’ka lidhje fare me atë që përfaqëson. Çfarë do një gjirokastrit apo verior në Pogradec apo Korçë? A kanë qarqet përkatëse sipas ngjyrave partiake intelektualë të zot që të mbrojnë interesat e tyre? Sa të duash ka por partive ja u do puna të venë nëpër lista ata që do kryetari i partisë…
E pra deformimi fillon që këtu dhe metastazat shtrihen përgjatë gjithë mandatit me ushtarë të bindur në parlament, me diploma të dyshimta nëpër universitete private që nuk njohin shokun apo shoqen që kanë kryer fakultetin…
Ka ardhur koha që populli të bindet pak në fushatë nga llogjet e politikanëve se bindja e verbër ndaj tyre të çon në skallavëri të plotë dhe prej skllavërisë asnjë popull i botës nuk fiton dot lirinë. Ka ardhur koha si asnjëherë tjetër që të bëjmë ndarjen midis të mirës dhe të keqes, të gjykojmë ata që na qeverisin, por njëherazi të kërkojmë llogari deri në një pë rata që vjedhin vota dhe i bëjnë pis zgjedhjet e reja të 25 prillit 2021.