Kur Përmeti humbi përfundimisht në 1993 një objekt multifunksional social-kulturor, financuar nga Caritas-Italiana
Ibrahim Emiri
“Caritas – Italiana” di Castellaneta (regione di Puglia), më 1991 krijoi në Përmet një filial të saj. Ky institucion organizoi me nxënësit e dalluar të shkollave të qytetit vizita në Itali, si dhe solli disa ndihma me pajisje për shkollat e spitalin, etj. Në vitin 1993 u planifikua prej tyre një investim serioz për ndërtimin në Përmet të një kompleksi social-kulturor multifunksional, i cili do të ishte në shërbim të aktiviteteve të Caritas, si dhe të qytetarëve përmetarë për aktivitete të ndryshme kulturore. Me porosi të përfaqësuesit të Caritas – Italiana për Përmetin (don Pasquale Tamborrino), unë hartova projekt-idenë e këtij kompleksi social-kulturor.
Kompleksi social-kulturor u parashikua të vendosej në zonën e re ndërtimore, në zgjatimin e shëtitores së re në drejtim të ish repartit ushtarak, pikërisht në veri-lindje të intersektimit të kësaj shëtitoreje me aksin e rrugës, që të çonte tek territori i repartit. Me vendosjen e këtij objekti do të fillonte gjallërimi i shëtitores së re me aktivitete, jo vetëm banimi e jetësore, por sidomos kulturore.
Kompleksi multifunksional u konceptua me dy korpuse: njeri me dy kate e me një taracë të shfrytëzueshme, ndërsa tjetri me tre kate. Sipas programit të detajuar të Caritasit, në katin përdhe u parashikuan disa ambiente kulturore, si sallë lutjesh, sallë projeksioni e sallë lojrash, si dhe disa ambiente shërbimi funksional. Në katin e parë u parashikuan: – në korpusin dy kate, ambiente social – kulturore, si bar-restorant me 40 vende dhe një sallë biblioteke, ndërsa në korpusin tre katesh u parashikuan dy kate hoteleri me 12 dhoma fjetje me nga dy krevatë secila dhe me ballkone të orientuar nga jug-lindja.
Projekt-idea u prezantua për miratim, para organit kompetent të pushtetit vendor në Përmet, nga specialistja italiane e Caritas-it, ing. Nella Chisena.
Megjithëse projekti i kompleksit u vlerësua pozitivisht si një vlerë e shtuar për qytetin e përmetarët, pengesat burokratike e zvarritjet e krijuara artificialisht nga pushteti vendor, bënë që përfaqësuesit e Caritasit Italian, të zhgënjehen, të tërhiqen e të anullojnë ndërtimin e objektit në Përmet, duke i transferuar investimet në një qytet të vogël në Brazil, me të cilin kishin binjakëzim njëlloj si me Përmetin.
Fatkeqësisht, si pasojë e mediokritetit të thellë dhe interesave të ulëta korruptive të disa prej drejtuesve të pushtetit vendor të asaj kohe, Përmeti humbi përfundimisht një objekt multifunksional social-kulturor, i cili do të ishte dhurate me shumë vlerë nga Caritasi Italian. Bashkëlidhur po publikoj projekt-idenë e kompleksit social-kulturor multifunksional, të projektuar më 1993.