Lihet në burg një shtetas iranian, u kap duke përgjuar në Tiranë
Një shtetas iranian është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës. Bijon Poolandrag, 45 vjeç, u kap dy ditë më parë në kryeqytet me akuzën e përgjimeve të paligjshme kompjuterike.
Ai ka thënë përpara trupit gjykues se ishte larguar nga Irani pasi i rrezikohej jeta.
“Kam ikur nga Irani, sepse atje ndihesha i rrezikuar për jetën. Jetoj me 300 euro në muaj, që marr si asistencë nga një organizatë iraniane”, ka deklaruar ai.
Bijon Poolandrag 45 vjeç u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Hija” që u zhvillua nga Njësia për Hetimin e Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.
Në njoftimin e policisë thuhej se ky shtetas, nëpërmjet veprimeve të ndryshme, kryente komunikime nëpërmjet një aplikacioni mesazhimi në rrjet, të cilin e përdorte duke e lidhur me numrat e telefonave celular të shtetasve të tjerë.
Pas këtij veprimi, ky shtetas siguronte kodin e verifikimit të aplikacionit në forma të ndryshme nga këta shtetas, duke vënë në funksionim aplikacionin në aparatet e tij kompjuterike.
Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtij shtetasi, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 4 telefona celularë, një USB, 3 dokumente udhëtimi, 10 karta sim dhe dokumente të tjera të ndryshme.