Albina Deda: Le të tregojmë se kemi skelet krenarie, ta shporrim këtë metastazë!
Çdo ditë që kalon nën këtë qeverisje i gjen shqiptarët në trishtimin më të madh ekonomik e social të krahasuar vetëm me vitet e errëta të diktaturës.
Kaluan tashmë shtatë vite në përshkallëzim të llahtarshëm të varfërisë e cila shtresën e mesme e degradoi në limitet e mbijetesës e shtresën vunerabël e ka degdisur rrugëve të Europës, ndërsa të pamundurit mbushin kronikat e zeza me vetvrasje.
Vitet e qeverisjes së Rilindjes u transformuan në vite të errëta skamjeje, korrupsioni, pseudoreformash.
Droga mbuloi e helmoi vendin dhe Europën, ndërkohë që pushteti e policia ishin dhe janë gardianët e saj dhe të trafikantëve.
Ka shtatë vite që nuk bëhet fjalë për realizim premtimesh apo pritshmëri.
Vetëm një gjë progreson e ajo është propaganda.
Pushtetet e tjerë demokratikë të këtij vendi, krijuar me shumë mund injorohen në rastin më të mirë dhe shantazhi, fyerja e blerja, presioni e intimidimi janë program ditor i kordinuar i Edi Ramës dhe bandës së tij.
Vendi është nën varfëri, terror e arrogancë.
Çdo ditë vecse gangrenizim i mëtejshëm i ekonomisë dhe shoqërisë!
Diplomaci e ç’akorduar pa busull kombëtare, lojra të rrezikshme të “liderit” kleptomitoman me ekuilibrat kombëtare e rajonale.
Me pak fjalë e shqip, çmenduri qeverisëse që na ktheu në paskohë.
Në paskohën e baballarëve të atyre që na qeverisin.
Një paskohë kriminale e oligarkike.
Koha e zezë e Edvin Ramës po tejkalon dhe paskohën e etërve të tyre.
Ata shtetëzonin, këta përvetësojnë, ata dënonin kundërshtarët, këta i linçojnë, i heqin nga puna e i denigrojnë.
Një paskohë që rikthen izolacionizmin duke u thirrur për integrim.
Thikë në palcë të çdo shqiptar është përkufizimi i qeverisjes së klikës uzurpatore.
Nuk bëhet më fjalë për progress, por për mbijetesë.
Dhe paradoksalisht propaganda vazhdon në përmasat e marrëzisë së Rajhut të Tretë tek fliste për triumf në prill 1945 kur forcat aleate antinaziste ishin në portat e Berlinit!
Kjo çmenduri e paskohës duhet dhe do të ndalet me deomos.
Opozita shqiptare të cilës i prin PD ka udhëtuar me guxim e me kauza që jo vetëm të mos pushkatohet shpresa, por dhe të atofizohet krimi shtetëror dhe oligarkia.
Arritjet nuk janë pak nga opozita, por prapë nuk do të ketë ndalesë.
Ky është mision.
Ndoshta misioni më i domosdoshëm në këto dekada, largimi i Edi Ramës dhe bandës së tij kleptosoriste!
Ne duhet të jemi të vendosur të përballemi pa kompromis me paskohën.
Nuk ka rrugë tjetër.
Ndryshe na ndëshkon besimi që shqiptarët dhanë 30 vite më parë.
Sot opozita është front me shumicën e shqiptarëve!
Kemi me vete idealet e ndërkëmbura dhe shpresat e shembura.
Nuk ka formulë sado e sofistikuar e kriminale qoftë, të mund t’i shtojë jetën oligarkisë.
Paskoha është e alarmuar dhe e çorientuar.
Ajo po kërkon skuta të errëta për t’u strehuar.
Revolucioni i shpirtit e krenarisë shqiptare tashmë ka filluar!
Këto refleksione nuk janë vetëm politikë por pasqyrë e një realiteti të dhimbshëm që unë dhe njerëzit kudo në Shqipëri dhe në vendlindjen time përjetojmë çdo ditë!
Ndaj apeli im sot nuk është thjesht politik, por human.
Klika dhe paskoha duhen përbuzur, refuzuar dhe rrëzuar!
Le të tregojmë se kemi skelet krenarie dhe së bashku të shporrim këtë metastazë!