Avokati i njohur: Ç’duhet të dinë shqiptarët për llotarinë amerikane 2022
Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both (komunikimi në shqip në: kieranboth@verizon.net)
Programi për llotarinë amerikane 2022: Periudha e regjistrimit në internet për programin e llotarisë amerikane DV-2022 fillon të mërkurën më 7 tetor, 2020, në mesditë sipas Eastern Daylight Time, EDT (GMT-4) dhe përfundon të martën më 10 nëntor, 2020 po në mesditë sipas orës EDT (GMT-5). Personat të cilët gjatë periudhës së regjistrimit paraqesin më shumë se një kërkesë, do të skualifikohen.
Për çdo vit fiskal ka një periudhë të kufizuar kohe gjatë së cilës mund të regjistroheni për programin e llotarisë amerikane DV. Çdo vit Departamenti i Shtetit publikon udhëzime të detajuara se si të futeni në këtë program. Udhëzimet për DV-2022 mund t’i gjeni në https://travel.state.gov/
Të gjitha kërkesat duhet të paraqiten në mënyrë elektronike në faqen e internetit të E-DV-së https://dvprogram.state.gov/ gjatë periudhës së caktuar për regjistrim. Sipas ligjit, nuk lejohet më shumë se një kërkesë nga ose për një person gjatë kësaj periudhe regjistrimi. Departamenti i Shtetit përdor teknologji të sofistikuar për të kapur rastet kur është bërë më shumë se një kërkesë. Në rast se paraqisni më shumë se një kërkesë, do të skualifikoheni. Faqja e internetit ku mund të paraqisni kërkesën do të jetë e paaktivizuar deri në ditën dhe orën që është specifikuar në faqen e udhëzimeve për llotarinë amerikane.
Pasi të keni paraqitur kërkesën për të marrë pjesë në llotarinë amerikane, në ekran do t’ju shfaqet emri dhe numri i konfirmimit që ju është caktuar. Printojeni këtë faqe në mënyrë që ta keni si dokument. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ruani numrin e konfirmimit, pasi është e vetmja mënyrë për të kontrolluar statusin e kërkesës që keni paraqitur, si dhe do t’ju nevojitet për të marrë udhëzime të mëtejshme, në rast se do të përzgjidheni, lidhur me caktimin e intervistës për vizë.
Nuk nevojitet të paguani gjë për t’u regjistruar në programin DV. Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara ju nxit që të mbushni vetë formularin për të marrë pjesë në program, pa marrë ndihmën e një “konsulenti vizash”, “agjenti vizash” apo kujdo tjetër që ofron ndihmë. Nëse keni dikë që ju ndihmon, duhet të jeni i pranishëm në kohën kur përgatisni kërkesën në mënyrë që t’i përgjigjeni saktë pyetjeve si dhe të ruani faqen e konfirmimit dhe numrin e konfirmimit.
Çdo vit Departamenti i Shtetit, nga të gjitha kërkesat e regjistruara për vizë, bën një përzgjedhje të rastit të aplikantëve për vizë emigruese DV, bazuar kjo në numrin e vizave që është vënë në dispozicion të secilit prej vendeve e rajoneve pjesëmarrëse. Më ose rreth datës 7 maj, në faqen e internetit të llotarisë amerikane (E-DV) bëhet përditësimi i Entrant Status Check (vendi në faqen e internetit ku duhet të klikoni për të kontrolluar statusin e kërkesës) ku njoftohen të gjithë ata që kanë bërë kërkesë nëse janë përzgjedhur ose jo. Për të kontrolluar këtë status, do t’ju duhet të fusni numrin e konfirmimit i cili, siç thamë më lart, ju caktohet në momentin që bëni kërkesën për të marrë pjesë në llotarinë amerikane. Nëse e humbisni këtë numër, nuk do të jeni në gjendje të kontrolloni statusin e kërkesës suaj dhe Departamenti i Shtetit nuk mund t’ju ridërgojë numrin e konfirmimit. Departamenti i Shtetit nuk do t’i njoftojë të përzgjedhurit as me postë e as me e-mail. E VETMJA mënyrë që përdor Departamenti i Shtetit për të njoftuar ata që janë përzgjdhur është përmes faqes së internetit E-DV tek Entrant Status Check.
Nëse kërkesa juaj është mes të përzgjedhurave, do të shkoni tek një faqe konfirmimi ku do t’ju jepen udhëzime të mëtejshme, përfshirë këtu dhe tarifat që duhet të paguani për të emigruar në Shtetet e Bashkuara. Entrant Status Check është mënyra e VETME përmes së cilës do të njoftohen qoftë ata që janë përzgjedhur, qoftë ata që nuk janë përzgjedhur. Ju nxisim fort që ta kontrolloni vetë Entrant Status Check dhe jo t’ia lini dikujt tjetër në dorë që ta kontrollojë dhe t’ju njoftojë.
Është e këshillueshme që të përzgjedhurit ta mbushin menjëherë formularin DS-260 në internet për të caktuar takimin për intervistë në ambasadën apo konsullatën e duhur të SHBA-së. Nëse shihni në faqen e internetit E-DV njoftimin që jeni përzgjedhur për të vazhduar më tej me programin DV dhe gjendeni fizikisht në SHBA, atëherë mund të kualifikoheni për të marrë green card përmes këtij programi.
Është e rëndësishme të mbani mend që fakti që jeni përzgjedhur nuk është garanci që do të merrni vizën. Që të merrni vizën DV për të emigruar në Shtetet e Bashkuara, duhet që të përmbushni të gjitha kërkesat për kualifikim që parashikon ligji amerikan.
Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet dhe pyetjet e vazhdueshme dhe në të ardhmen do të përpiqemi t’i përgjigjemi sa më shumë pyetjeve që të jetë e mundur. Ju ftojmё tё na dёrgoni pyetjet tuaja nё adresёn tonё elektronike kieranboth@verizon.net
http://illyriapress.com/behuni-gati-per-llotarine-amerikane-per-vitin-2022/