Hafize F. Elshani: Jam femër dhe dua të jem vetvetja!
Hëë!
Bëhu ‘zonjë’, ata më thanë. Fustani yt është shumë i shkurtër. Këmisha jote është shumë e hapur. Pantallonat tua janë shumë të ngushta. Mbaji të gjëra, mos të vërehet fare asnjë linjë e trupit. Mos trego aq shumë lëkurë. Mos i trego kofshët e tua. Vishu deri tek shputa e këmbës. Mos e shfaq aspak pjesën sipër gjoksit. Vishu deri tek fyti. Mos trego belin tënd. Mos trego barkun. Mos trego mbathjet e tua. Mos trego shpatullat e tua. Mbulohu, sa më shumë mbulohu, lëri diçka imagjinatës. Vishu modestisht. Mbildh flokët. Hiq makiazhin. Mos u bëj tunduese.
Burrat nuk mund ta kontrollojnë veten. Nëse të ndodh gjë, je fajtorja ti.
Kështu më thanë.
Kur u vesha modestisht, u vesha deri tek fyti, u vesha deri poshtë tek shputa e këmbëve, mblodha flokët, hoqa makiazhin. Isha larg fjalës ‘tundim’… e pastaj më thanë:
Burrat kanë nevoja. Po dukesh e zbehtë. Vër makiazh. Rregullo flokët. Zbërthehu pak. Trego pak lëkurë. Bëhu seksi. Bëhu tërheqëse. Mos u bëj kaq misterioze. Mos bëj ‘si e vështirë’. Vishu me ngjyra. Vish taka. Zbulo pak nga vetja. Bëhu e tillë të ngjallësh kureshtje. Rregullohu. Mos e lër veten pas dore. Burrat i duan gratë zonja, që mbajnë veten.
Po, po. Bëhu një zonjë më thanë. Mos u shëndosh. Mos krijo bark. Mos u dobëso. Mos të të duken kockat. Mos u rrit shumë. Mos rri kaq e shkurtër. Hani të të zhduken kockat. Mos ha, ndalo, po shton dhjamë.
Mos ha shumë. Mos ha shpejt. Porosit një sallatë. Mos ha patatina. As mos guxo t’u afrohesh ëmbëlsirave. Ti duhet të humbësh peshë. Duhet t’ia përshtatësh trupin atij fustanit që të pëlqen. Fillo dietën. Mos ha çamçakëz. Pi shumë ujë. Këmbët e tua patjetër duhet të futen në ato pantallonat e ngushta.
Kur i bëra këto, pastaj më thanë:
Bëhu ‘zonjë’. O Zot, dukesh si një skelet. Pse nuk ha? Dukesh e sëmurë. Ha një hamburger. Ha ëmbëlsira. Shto peshë. Burrat pëlqejnë gratë me ca mish në kockat e tyre. Ji e vogël. Ji dritë. Ji pak e imët. Ji femër. Ji ajo. Ji kjo.
‘Bëhu një zonjë’, më thanë. Hiq qimet e trupit. Depiloji këmbët. Rregulloji vetullat. Zbardh këtë. Zbardh atë. Je shumë e zezë, lyeju me diçka të zbardhësh lëkurën. Zhduki plagët tua. Mbulo shenjat e strijave. Mbulo shenjat e lindjes. Mbulo plagët nga aksidentet. Shtrëngo barkun. Bëji mollëzat me botoks. Rregullo buzët. Bëj gjoksin. Hiq dhjamin nga kofshët. Bëj vithet.
Burrat nuk i duan vajzat që s’kujdesen për veten, nuk i duan vajzat me buzë të holla. Pa vithe. Pa gjoks të madh. Me bel të gjërë.
‘Bëhu një zonjë’, më thanë prapë. Vendos makijazh. Bëj hundën perfekte. Fshehi të metat tua. Thekso mollëzat tua me makiazh. Lyeji kapakët e syrit. Vendos liner. Lyeji buzët edhe jashtë masës tënde. Vendos pudër, vendos kremëra, vendos sa më shumë. Flokët tua janë shumë të shkurta. Rriti flokët. Bëji me mjaltë, vezë, vaj ulliri, bëji me limon, përdor gjithçfarë gjërash që të të rriten më shpejt. Burrat i duan flokët e gjata.
Më pastaj… Ua, flokët tua janë shumë të gjata. Shkurtoji pak. Bëj një model flokësh. Rrënjët e tua po zbardhen. Lyej flokët. Jo ashtu, jo kështu, bëji ashtu, bëji kështu. Mos u plak. Mos u trego shumë e re. Mos u plak. Plakja është e shëmtuar. Burrat nuk i pëlqejnë të shëmtuarat. Rinohu.
Pastaj vazhdojnë… Rri natyrale. Rri vetvetja. Jeto origjinale. Po i kushton shumë kohë vetes. S’po bën gjë. Po mundohesh shumë. Dukesh e tepërt.
Burrat nuk i pëlqejnë vajzat që dalin jashtë natyrales. I duan ato të thjeshtat.
‘Bëhu një zonjë’, më thanë. Ruaje veten. Rri e pastër. Mos fol për marrëdhënie intime. Mos flirto. Mos fol për gjëra femrash. Mos u bëj kurvë. Mos flej rreth e rrotull. Mos e humb dinjitetin tënd. Mos e dhuro veten. Mos u trego e lehtë. Mos e jep veten shpejt.
Bëj të të lusin. Burrat nuk i pëlqejnë mendjelehtat.
Mos u trego mendjemprehtë. Mos u trego aq e zgjuar. Flirto. Mos bëj si e vështirë. Jepe veten. Foli e para. Propozoji e para. Mos rezisto. Prano gjithçka. Buzëqesh më shumë. Shtiru sikur ke përvojë. Ji sensuale. Mos bëj si e pafajshme. Tregohu e ndyrë. Bëhu seksi. Bëhu vajza e lezetshme që pranon pijen dhe pastaj shtratin.
Burrat çmenden pas këtyre grave. Ata të ndjekin në çdo hap kështu…
‘Bëhu një zonjë’, më thanë. Mos fol shumë. Mos qesh shumë. Mos merr hapësirë. Mos merr vëmendje. Mos u ul ashtu. Mos qëndro ashtu. Mos u frikëso. Mos u bëj e mjerë. Mos u trego aq tronditëse. Mos thuaj ‘po’. Mos e tepro. Mos ji kaq kaq emocionues. Mos qaj. Mos bërtit. Mos u beto. Bëhu e bindur. Duro dhimbjen. Mos u anko. Rri e lirë.
Më thanë bëhu ‘zonjë’. Nxit egon e tij. Bëj që ai të bjerë kokë e këmbë në dashuri me ty. Burrat duan atë që nuk mund ta kenë. Mos e dhuro veten. Bëj që ai të mundohet për të. Burrat e duan ndjekjen.
Më thanë… prano propozimin e tij. Bëhu gruaja e tij. Kujdesu për veshjen e tij. Gatuaj për të. Mbaje të lumtur. Kjo është puna e një gruaje. Bëhu një grua e denjë për të. Merr mbiemrin e tij. Jepi fëmijë atij. Sa më shumë… mundësisht djem.
Bëhu grua e vërtetë më thanë. Gruaja e tillë sakrifikon, më thanë sakrifikohu. Duro dhunën. Duro tradhëtinë. Duro mosrespektin. Duro keqtrajtimin. Bëje për hir të prindërve. Bëje për hir të imazhit të vëllezërve. Bëje për hir të fëmijët. Bëje për hir të familjes tradicionale. Mos e shkatërro familjen. S’ka gjë që veprimet i bëri bashkëshorti, ti do njihesh si shkatërrimtarja e familjes po nuk sakrifikove. Bëje për hir të bashkëshortit… jepi një mundësi. Dhe pas kësaj mundësie, jepi sërish e sërish mundësi pafund. Sepse je grua, gratë e vërteta sakrifikojnë. Kështu më thanë.
Por sërish vazhduan.
Bëhu një zonjë, më thanë. Mos prano dhunimin… Mbroje veten. Mos pi shumë. Mos ec vetëm. Mos dil shumë vonë. Mos u vesh kështu. Mos trego shumë. Mos u deh. Rri gjithmonë në shoqërinë e një mashkulli. Ec andej ku është ndriçuar mirë. Qëndro në lagje të sigurta. Tregoi dikujt ku po shkon. Mbaj me vete sprej sysh. Mbaj me vete një thikë. Blej një mjet fishkëllime. Mbaji çelësat si armë. Bëj një kurs vetë-mbrojtjeje. Kontrollo bagazhin tuaj para se të largohesh me veturë. Bllokoji dyert. Mos dil vetëm. Mos bëj kontakt me sy me asnjë mashkull. Mos shiko askënd. Mos tërhiq vëmendjen. Mos puno vonë. Mos shaj në rrugë kur të ngacmojnë. Mos ua kthe. Mos buzëqesh me askënd. Mos dil natën. Mos i beso askujt. Mos. Mos. Mos.
Duhet të jesh gjithçka dhe asgjë njëkohësisht.
Duhet tê jesh sensuale dhe jo femërore njëkohësisht.
Duhet të jesh luftarake dhe e dobët njëkohësisht.
Duhet të jesh e zgjuar dhe budallaqe njëkohësisht.
Duhet të veproj gjithçka dhe çdogjë vetêm sipas dëshirave të burrave.
Duhet t’iu përshtatem atyre.
Por e dini çfarë?
Në djall shkofshin të gjithë ata që mundohen të më kontrollojnë jetën.
Në djall shkofshin të gjithë ata që rolin tim si njeri ma vendosin vetëm në shërbim të dëshirave mashkullore.
Në djall shkofshin të gjithë ata që më vendosin faj kur dikush më lëndon, më vret, më ofendon, më keqpërdor.
Në djall shkofshin të gjithë ata që arsyetojnë të këqijat e burrave dhe më fajësojnë mua vetëm sepse Zoti më fali ‘FEMËR’.
Unë do vishem si dua vetë. Do lyhem a mos lyhem si dua vetë. Do vishem e do zhvishem si dua vetë.
Do flas e do hesht kur dua vetë. Do qaj e do qesh kur ta ndjej vetë. Do ulem e do ngritem kur dua vetë.
Do rri e qetë e do bërtas kur të dua vetë. Do ha e do shëndoshem se dua vetë. Do mbaj dietë e do dobësohem se dua vetë.
Do shkurtoj e do i zgjat flokēt se dua vetë. S’do hesht kur më cenojnë. S’do hesht as kur të shoh tek e cënojnë një vajzë tjetër.
Do t’i hidhem në fyt e ta godas secilin që tenton të më lëndojë mua a një vajzë tjetër. Do mbaj çelësa e sprej, apo thikë, dhe do eci edhe natën vonë edhe aty ku s’ka drita, edhe s’do heq dorë nga puna sepse duhet të kem frikë të punoj deri vonë. Do bëj atë e këtë vetëm sepse dua unë.
S’dua të jem ‘zonjë’, s’dua të jem asgjë që më kërkuan të jem.
Unë do veproj si dua vetë, e do jem çfarë dua vetë… përderisa nuk cenoj jetën e askujt e as nuk shkel askënd me veprimet e mia.
Veshjet e mia… trupi im… vendimet e mia… jeta ime.
Sepse unë dhe unë dhe jo ti në mua, por unë në vete.