Albspirit

Media/News/Publishing

Ehsan Bidi, dezertor i kampit të muxhahedinëve dhe i dyshuar si agjent i inteligjencës Iraniane është shpallur “non grata”

Bidi, një emër i njohur për autoritetet tona dhe të huaja pritej të dëbohej më 13 gusht nga Shqipëria drejt Greqisë, dëbim që nuk u realizua për shkak të procedurave të azilit. Por tashmë, me një urdhër të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, që mban datën 17 tetor, pritet që të kryhet dëbimi i tij. Bidi mbërriti në Shqipëri si pjesë e kontingjentit të më tepër se 2 mijë muxhahedinëve nga kampi i lirisë në Irak. Ai është agjent i Ministrisë së Inteligjencës së regjimit iranian (MOIS / VEVAK) në Shqipëri dhe hyri në vendin tonë më 16 tetor 2013 si refugjat dhe “ish-anëtar i PMOI” (Organizata Popullore Mojahedine e Iranit) me një pasaportë iraniane të lëshuar nga MOIS/Vevak. Pasaporta e Bidi, me të cilën ai hyri në Shqipëri, e regjistruar në 27 janar 2013 dhe numër 16359072, është e vlefshme për pesë vjet. Kjo zbulon se nuk ka nevojë ta njohësh këtë individ si refugjat, shkruhet në një profil që muxhahedinët, të cilët qëndrojnë në Kampin e Manzës në Shqipëri, kanë publikuar për të. Bidi u dërgua më 13 gusht të këtij viti në një ambient ku mbahen refugjatët ilegalë në Kakavijë, nga ku do të kryhej dëbimi i tij por që nuk u realizua. Transferimi i Bidit në Shqipëri synonte krijimin e qelizës së një rrjeti spiunimi midis anëtarëve të PMOI / MEK të transferuar nga “Camp Liberty” në Irak, në Shqipëri, thuhet më tej në profilin e shkruar për të. Qëllimi i këtij misioni ishte sigurimi i informacionit të nevojshëm dhe të hapë rrugën për sulmet e ardhshme terroriste. Rezistenca iraniane ka ekspozuar të kaluarën dhe shërbimin e Bidit ndaj mullahëve në shumë deklarata të mëparshme. Sipas deklaratës së publikuar më 2 dhjetor 2013, në 19 Prill 2012, Bidi u dorëzua para forcave Irakiane dhe shkoi në Hotelin Mohajer, i cili kontrollohet nga elementë të Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Regjimit (MOIS) dhe Forcës terroriste të Qods. Në mesin e 2012- ës, Bidi shkoi në Turqi dhe prej andej në Egjipt, duke përdorur një pasaportë të falsifikuar. Zyrtarët egjiptianë e arrestuan atë.

URDHRI I LLESHAJT PËR DËBIMIN E IRANIANIT

Më datë 17 tetor 2020, bazuar në ligjin “Për të huajt”, Neni 121/1, me propozim të Sektorit të Migracionit, Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka firmosur një urdhër për ndalimin në Qendrën e Mbyllur të shtetasit Ehsan Bidi, 43 vjeç, nga Irani për arsye se: Është subjekt i një urdhri dëbimi si person i padëshiruar, “non grata”. “Kundër këtij urdhri mund të bëhet ankesë mbështetur në nenin 122 të ligjit për të huajt. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në urdhrin e ministrit të Brendshëm

DEBIMI NE KORRIK

Një tjetër agjent i infiltruar nga autoritetet iraniane në vendin tonë është shpallur i padëshiruar dhe është dëbuar nga territori shqiptar në korrik të këtij viti. Vendimi për dëbimin e tij, edhe në këtë rast ishte marrë nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ku veç të tjerash theksohet se 29- vjeçarit iranian do t’i ndalohej hyrja në Shqipëri për 15 vjet. Personi i dëbuar ishte Danial Kassrae, me kombësi iraniane dhe me shtetësi italiane. 29-vjeçari dyshohej se ishte agjent me veprimtari spiunazhi i infiltruar nga Ministria e Inteligjencës Iraniane. Sipas raportit të përpunuar nga agjentët e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, ky shtetas ishte klasifikuar si një person i rrezikshëm dhe që cenonte sigurinë publike në vendin tonë. Urdhri për dëbimin e tij ishte firmosur nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, me vendim nr. 172 dhe më vonë ai u dëbua drejt Italisë. 29- vjeçari, Danial Kassrae, është shfaqur shpeshherë në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit. Për llogari të shtetit të Iranit, Kassrae ka tentuar të rekrutojë ish-anëtarë të MEK-ut apo anëtarë aktualë të kësaj organizate. Aktualisht, 29- vjeçari ndodhet në një kamp në Vorë dhe pritet që të dëbohet në ditët në vijim. Kujtojmë se nga Shqipëria janë dëbuar dhe janë shpallur persona “non grata” rreth 80 persona të huaj për veprimtari të dyshimta, kryesisht shtetas iranianë. Edhe vitet e fundit dy diplomatë iranianë u dëbuan nga Shqipëria, ndërsa në vitin 2018 u dëbua edhe kryediplomati i Ambasadës Iraniane në vendin tonë. Ndërkohë, po hetohen edhe persona të tjerë, me të cilët mund të ketë bashkëpunuar i riu i infiltruar nga Ministria e Inteligjencës Iraniane.

DËBIMI I AMBASADORIT IRANIAN NGA SHQIPËRIA

Në muajin dhjetor të vitit 2018, Shqipëria ka dëbuar ambasadorin e Iranit në vendin tonë, Gholamhossein Mohammadnia, për cenim të sigurisë kombëtare. Gholamhossein Mohammadnia akuzohej nga muxhahedinët (anëtarë të opozitës iraniane) që jetojnë në vendin tonë si agjent i shërbimeve sekrete iraniane, duke ngritur vazhdimisht shqetësimin se jeta e tyre ishte në rrezik nga veprimtaria e agjenturore e Iranit në Shqipëri. I pari që reagoi lidhur me këtë vendim nga autoritetet e shtetit shqiptar, ishte John Bolton, këshilltari për Sigurinë i Presidentit amerikan, Donald Trump.

Një vit më parë Antiterrori parandaloi sulmet iraniane ndaj muxhahedinëve,  si u zbulua celula

Në tetor të vitit 2019, një rrjet terroristësh i drejtuar nga regjimi iranian i njësisë klandestine dhe sekrete të forcave revolucionare “QUDS”, që kishte synim kryerjen e sulmeve ndaj opozitës iraniane MEK, refugjatë muxhahedinë të strehuar në Shqipëri, është zbuluar nga autoritetet e sigurisë në vendin tonë. Kjo celulë drejtohej nga operativi i Forcave QUDS, i njohur si PEYMAN (atë kohë nuk iu dhanë gjeneralitetet), rezident i përhershëm në Iran. Ai menaxhon në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Europën Qendrore dhe Perëndimore. Operativët kriminalë të “QUDS” me bazë në Ballkan drejtoheshin nga një shtetas turk, trafikant ndërkombëtar droge, Abdulselam Turgut, 52 vjeç, i arrestuar në 2011-ën për llogari të Gjermanisë për 1 ton heroinë që u kap atje në 2009-ën. Nga viti 2018, Turgut, i cili u arratis nga vendi ynë, ka dërguar në Shqipëri operativë të forcave revolucionare iraniane, për sulme kundër muxhahedinëve refugjatë në Shqipëri. Zbulimi dhe identifikimi i kësaj celule bëri të parandalohej sulmi i planifikuar i marsit 2018 pranë Kryegjyshatës, gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK).

Please follow and like us: