Albspirit

Media/News/Publishing

Përballja me Covid-19/Brukseli dhe Walonia, Tirana dhe Shqipëria

Eden Babani, Bruksel

Teksa ne, emigrantët, lexojmë shtypin e Tiranës, ndihemi të befasuar lidhur me situatën që ka krijuar goditja e dytë e pandemisë Covid-19, si kudo, edhe në Shqipëri. Ç’thotë një media, nuk e thotë një tjetër. Secila, sipas prirjeve politike majtas ose djathtas. Ç’thotë një specialist i sëmundjeve infektive, e kundërshton një tjetër. Shpesh herë, edhe në këtë lëmë të shkencës, sipas lidhjeve dhe vartësisë që ka secili me organet qeveritare. Sepse qeveria të heq bukën e fëmijëve.

Ndoshta gaboj, por më duket se të pavarurit janë më pranë së vërtetës.

Edhe Belgjika gjendet në një situatë të rëndë nga vala goditëse e këtij tetori. Por këtu, ndryshe nga Shqipëria gjërat thuhen pa doreza. Që të fshihet e vërteta, as që bëhet fjalë. Shtypi nuk do t’ia dijë fare edhe në gjendet politikisht pro qeverisë ose opozitës. Nga ana e tyre, gazetarë e specialistët e fushës debatojnë njëri me tjetrin pa u sharë e pa u ngrënë si qenër, edhe se shpesh nuk kanë të njëjtat mendime ndaj  Covid-19. Secili mbron idenë e vet përmes arsyetimeve dhe fakteve që disponon. Asnjëherë me fyerje. Gjithherë brenda etikës.

* * *

Belgjika është një nga vendet në “avangardë” të BE-së lidhur me përhapjen e pandemisë.

Alexander de Croo, i cili ka krijuar qeverinë e re më 1 tetor të këtij viti, bash në situatën e rënduar nga epidemia, në një konferencë shtypi të para dy a tri ditëve përkrah specialistëve përkatës që ndjekin ecurinë e Covid-19, e krahasoi të pritshmen me një goditje cunami. Jo për t’i frikësuar njerëzit me gogolin e “armikut të padukshëm”. As me gjendjen e shpifur  të “kohës së luftës”, me autoblinda e forca ushtarake nëpër qytete. Por për të ndërgjegjësuar cilindo qytetar që të respektojë masat e marra. Qoftë këto të ditëve fundit, qoftë ato që potencialisht mund të merren në vartësi të ecurisë së epidemisë.

Për fat të keq, në Shqipëri po ndodh e kundërta.

Këtu, Belgjikë është hequr detyrimi për ta mbajtur maskën në mjedise të hapura. Është e detyrueshme mbajtja e saj në mjedise të mbyllura (dyqane, supermarkete, tram, metro, autobuz etj), si edhe në vende të hapura, ku denduria e njerëzve është e madhe (tregje, etj).

Atje, në Shqipëri, u rikthye maska, nuk dihet se përse. Ose, më mirë me thënë,  dihet açik. Sepse, ndërsa këtu gjoba ka qenë 250 euro në rast shkeljeje të rregullave dhe gjoba të vinte në shtëpi (po të ta mbante, le të mos a paguaje!), qytetarit shqiptar i shkon në faturën e dritave. Madje jo atij që neglizhon, por kryefamiljarit që s’ka asnjë lidhje me neglizhencën e një pjesëtari të familjes.

Këtu janë mbyllur për një muaj baret, kafetë e restorantet, pas fazës pararendëse që i lejonte deri në orë 23.00.

Atje janë hapur kat e kat. S’ më ka zënë syri në shtyp ndonjë orar. Nuk e vë dot dorën në zjarr, në mungesë të informacionit. Mbase ka dhe, nëse ka, jam i detyruar të kërkoj ndjesë paraprakisht. Hë! Po e di se është ndaluar muzika në klubet e natës, pasi bëhet “përhapëse” e viruseve!… Ama u llahtarisa teksa po flisja me tim vëlla me WhatsAap, mu në mes të ditës. Ai dhe e shoqja me maska varur nën mjekër brenda një klubi të mbushur plot e përplot. Më shumë se gjysma e klientëve pa maska fare. Muzika, në kupë të qiellit!…

Këtu, që në mesnatë, në orën 00.00, deri në orën 05.00 të mëngjesit, është gjendje e “shtetrrethimit”. Asgjë e gjallë nuk lëviz rrugëve, sepse këtu nuk ka as qen rrugaçë që t’u turren plehrave. Mace, jo e jo…

Atje, çfarë bëhet, vallë?

Këtu, të gjitha mjetet e transportit urban dezinfektohen në çdo terminal mbërritjeje ose nisjeje. Atje, – Zoti të na ruajë! – s’dihet çfarë bëhet.

Këtu, ecuria e sëmundjes ndiqet rregullisht përmes qendrave të angazhuara për raste urgjente. Madje, jo vetëm për ata që s’kanë kohë të presin më, por edhe për ata që dyshojnë se kanë pasur kontakte me persona të infektuar.

Atje, vetëm çfarë i kanë dhënë të lexojë ndonjë zëdhënëseje të Ministrisë së Shëndetësisë.

* * *

Sa për ilustrim, po sjell fare shkurt pjesë nga një artikull i botuar në shtypin e sotëm, me titull: “Qindra operatorë të angazhuar në raste urgjente në Walloni dhe Bruksel/Ka 24,000 thirrje në ditë”.

“Wallonia dhe Brukseli (dy nga tri njësitë federale të Mbretërisë, EB) po punësojnë qindra operatorë për gjurmimin manual të atyre që kanë rënë në kontakt me njerëz të infektuar me Covid-19”, thuhet në artikull.

“Meqenëse qendrat e gjurmimit manual po përballen me shumëzimin e rasteve, thirrjet nuk bëhen në kohë”, vazhdon më tej artikulli.

Dhe më tej akoma: “Sidoqoftë, pavarësisht nëse njerëzit që kanë qenë në kontakt me një pacient të prekur nga Covid-19 janë të infektuar ose jo, është e nevojshme që ata të njoftohen sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të shkojnë në izolim”.

Sipas artikullit, që gjurmimi të jetë sa më efikas, “është shtuar numri i operatorëve nga 90, në 160 e, më pas, në 230. Parashikohet shtesë deri në 400”  operatorë që punojnë pareshtur ditë e natë.

Please follow and like us: