Albspirit

Media/News/Publishing

Albina Deda: In memoriam, At Gjergj Fishta

Sot përkujtojmë 149 – vjetorin e lindjes së At Gjergj Fishtës, gjigandit të letrave shqipe

Gjergj Fishta ka shkruar 64.000 vargje dhe zë vendin e dytë në botë pas poetit të madh rus, Nekrasov.

Ai ishte kryetar i komisionit letrar në Kongresin e Manastirit dhe imponoi alfabetin latin për gjuhën shqipe. Leksiku i Fishtës përmban 14.000 fjalë, ndërkohë që leksiku i W. Shekspir ka 16.000.

At Fishta ka gjithsejt 40 drama të shkruara.

Ai ishte orator, diplomat, politikan si dhe nënkryetar i Parlamentit Shqiptar.

Gjergj Fishta u nominua ne vitin 1936 kandidat për çmimin ‘Nobel në letërsi’.

Po sjell diëka me vlerë edhe për ditët e sotme, për të gjithe ata që flasin dhe përdorin fjalë të huaja:

At. GJERGJ FISHTA: Mikrobet e gjuhes Shqype

*Pernjimend se asht nji punë per t’u çuditë, që nji grusht njerëz në gji t’Europës, që jemi na shqyptarët, tue kenë ndoshta kombi ma i vjetri i të gjithë Europës e rrethue per gjith anesh prej kombeve të tjera ka mujtë me ruejtë deri sod gjuhën e vet m’vedi e krejt të dame prej gjuhëve tjera europjane. E pra, kush nuk u pershkue neper ne! Mjaft me thanë romakët e turqit, dy pushtete të perfrigueshme: e me gjith kta, shqypja gjallë se gjallë, e, shka asht ma teper, perditë tue u zhdrivillue ma fort.Asht lypë forca e konservatorizmi i nji kombi shqyptar, per me e ruejtë gjuhën e vet të gjallë e të kerthneztë ndermjet zhumhurit të gjuhëve të slavëve, të grekve e nen imperjalizem të kulturës latine, pse dihet që ka kombe n’Europë, të cillat sod nuk flasin ma gjuhen origjinale të veten, por gjuhë të hueja. Por tue vu në oroe korespondencën e perditshme, që na vjen prej Shqypnijet, shkrimet që çohen me u botue në shtypshkrojë tonë, mundena me thanë, se çka nuk mërrijtjen me ba në gjuhë shqype grekët, romakët, gotët, slavët etj. janë tue e ba sod shqyptarët vetë: janë tue e hupë gjuhën shqype!!!…Per shkak që gjuha shqype s’ka literaturë të veten, kanë nisë të shkruejnë shqyp secilli mbas atij qirificit të mendes së vet, pa e vû në oroe aspak a natyrën e gjuhës, a shijen estetike e arsyetimin e ligjeratës njerëzore. Kanë këndue ndonji fletore të hershme, ase, neper tê, edhe ndonji liber shqyp, botue prej ndoj geget a tosket si neper kllapì a me pasë kenë tue qitë laknuer me nêne e qe se ato 10-15 kokrra fjalë ekzotike, që u kanë mbetë nder trû të shtypuna a librat shqyp, kanë per t’u mundue me e folë, kanë per t’i mbjellë aty-ktu neper shkrime të veta si me lëshue guraleca në brûm të bukës kallamoqe, në short me të thye dhambët e tmallët e shëndosha.Terët kahë nuk i ka lanë shpija mbrendë, kanë kerkue dhenë si parja e kuqe, e kur kanë shtegtue neper Shqypnì, të ngushtuem me u marrë vesht a gega me toskë, a toska me gegë, kanë shkue tue shartue njanin djalekt me tjetrin, pa kurrfarë mjeshtrijet porsi me shartue shegat me fiq e të kanë perba nji gjuhë krejt në vedi, që s’di a asht kàl, a mushk, a gomar e që ma fort se gjuhë shqype, kishte me u dashë me e quejtë sallahane.E, ka asish masandej, e janë sidomos do nëpunësa në Shqypnì e nxanësat tonë jashta Shqypnije, të cillët, ma fort se me studiue natyrën e gjuhës a librat shqyp kanë per t’u mundue me folë e me e shkrue shqypen mbas mëndyrës që ta flasë drejtori i zyres, per në kjoftë nëpunës e, per në kjoftë nxanës ka per t’i marrë të gjitha veset e shqyptimit e gabimet gramatikore të atij që ta ketë porositë me e marrë në shkollë perjashta: e atëherë na mblon aj breshen fjalësh shumë të bukura e që me shmangien e formave dialektare, per me trajtue kështu gjuhën letrare shqype, si bje fjala njikto rreshta që po i nxjerrim prej nji lajmit botue tash së vonit:Gjithë pjestarvet i ngufoi zemra në gëzim tue ndigjue kto fjalë me randësi tue u qeshun fëtyra, u shperndanë kadalë.Të gjithë dija e gjuhës shqype ka mbetë, per në kjoftë gegë shkruesi me shkrue shumë ë nder fjalë, e per në kjoftë toskë, tue vu sheje hundakësh, punë e pa punë; e kështu, vjen e bahet letra me pikla, e thue se ke shprazë në tê nji kubure kaçalluke mbushë me shasme.E,shka të bindë e të neveritë ma fort asht kta që të gjithë po duen me u mbajtë filologë. Hin e fol me ta, paj, qe besa e besës, ta bajnë kryet per voe kahë vehen kinse me të spjegue, se kjo fjalë vjen prej sanskritishtes, se kjo tjetra asht indo-gjermane, se ajo e treta rrjedh drejtperdrejt prej persishtes: se Majeri i ka thanë kështu, se Pederseni ka shkrue ashtu e kështu Jockel e kështu Jagiç e kështu etj., etj. të tana fjalë si me u pasë ra lnjyra e me kenë tue folë këllapì. Per ta të gjithë literatyra s’asht tjetër veçse nji etimologjì fjalësh e kurrgja ma teper.Kahë pritojnë me u vu e me zanë më libra shqyp, kta s’e zanë se ka shkrue kush shqyp kurr, e pse gja të veten s’kanë të shkrueme, kështu gjithmonë kanë per të mbajtë per fjalë të shkrimtarëve të huej, si mbahet kungulli haes per gardh. E Kështu, kahë rrijnë kta garguj tue britë permbi filologji e literatyrë, gjuha shqype ka ardhë e asht perzie si flokët e harapit sa me mbërrijtë njeriu me i thanë vedit, jarebi, a di unë shqip, apo jo? Per në ngjatët puna kso doret, s’ka me shkue shum e na kemi me kenë të ngushtuem me folë e me shkrue në gjuhë të huejen, pse gjuha shqype ka me dekë, pa dyshim, mbassi i kanë hî sod mikrobët që janë shkrimtarët e padije e të pa zeje.Thonë se gjuha shqype s’ka literatyrë e gjuhë letrare të veten. Asht rrenë! Gjuha shqype ka literatyrë, veçse s’ka lertrarë, sa kishte me u dashtë. Padija në literatyrë e një shumicës së madhe të shqyptarëvet të sodshëm, ka ba që perparimi i literatyrës së gjuhës shqype sod ka kthye, pak me thanë, 50 vjet mbrapa. Prej zekthit të marrë që me u dukë letrarë pa kenë, sod asht pshtjellue gjuha shqype në mënyrë që mos me mujtë me këndue dy rreshta shqyp, perpa t’u çue vneri. Urojmë që shqyptarët e meçëm e sidomos Komisjoni Letrar kanë me u mundue me i shtypë me shkrime të veta kta mikrobë parazita të gjuhës shqype…

Please follow and like us: