Vizita e një ministri që ka ‘gjak shqiptar’, deti në gjykatën ndërkombëtare dhe Ligji i Luftës
Vizita e një ministri që ka ‘gjak shqiptar’, deti në gjykatën ndërkombëtare dhe Ligji i Luftës (dy fjalë në fund për ironitë e Ramës me patriotët)
Nga Ksenofon Krisafi
Vizitat e personaliteteve politike e shtetërore në vendet e njëri tjetrit, në përgjithësi janë zhvillime pozitive, sepse edhe në rastin më ekstrem, kur nuk i zgjidhin problemet, objekt negociatash, më së paku i mbajnë të ngrira dhe shmangin zgjidhjet e dhunshme, fatkeqësitë.
Kur u bë i ditur lajmi për vizitën e ministrit të jashtëm grek në Tiranë, besoj se gjithësecili ka provuar një ndjenjë kënaqësie dhe gëzimi, sepse ne shqiptarët, si dhe popuj të tjerë, mikun e vlerësojmë dhe e nderojmë.
Aq më shumë mikun nga një vend fqinj, siç është Greqia dhe për më tepër një mik, për të cilin pleqtë e kohëve të shkuara do të thoshnin se e kemi edhe djalin tonë. Babai i tij, Z. Spiro Dede (Deda), është nga fshati Ilias i Himarës, ka jetuar në Korfuz, ku ka lindur edhe ministri në vitin 1959. Z. Spiro ka shkruar edhe një libër për historikun e Himarës.
Fakti që në dejet e ministrit grek rrjedh gjak shqiptari, sepse Himara, nga ku ai e ka origjinën nga ana e babait të vet, ka qenë dhe është tokë shqiptare, është një element pozitiv më shumë, që duhet llogaritur në favor të trajtimit me objektivitet dhe drejtësi të çështjeve që ishin në rendin e ditës së bisedimeve midis tij dhe “të zotëve të shtëpisë”.
Nuk mund të fshihet që në disa njerëz, pritja e tij kishte edhe një ndjenjë të pashprehur ankthi, ndjenjën se mos vinte “të na merrte detin”, siç tentuan të bënin paraardhës të tij, 10 vjet më parë.
Pas asaj që ndodhi në 2009, shqiptarët dhe jo vetëm ata që jetojnë në bregdet, kanë një lloj shqetësimi për detin dhe presin me ankth lajme nga qeveria se ç’po bëhet me të, ç’po bëhet me grekun, si po shkojnë diskutimet, sepse në fund të fundit është fqinji ynë më i afërt. Me të na ka lidhur toka, deti, lumi, na ka lidhur historia, bashkëpunimi fqinjësor e miqësor, shkëmbimet ekonomiko-tregtare, na ka bashkuar fati, na kanë regjur luftrat ndaj armiqve të përbashkët, na lidh e do të na lidhë e ardhmja euro-atlantike.
Kështu mendojmë ne shqiptarët, por besoj edhe grekët. Andaj si ne këtej ashtu dhe ata andej i shohim në dritë të syrit qeveritarët që kemi zgjedhur ose që kemi në krye, me merakun e sinqertë që të mos na e prishin miqësinë, përkundrazi të na e ruajnë, të na e forcojnë, ta bëjnë edhe më të dobishme. Prandaj gjithkush do të dëshironte që z. Dendias të ketë ardhur si mesazher i paqes dhe miqësisë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe të ministrit Dendias, krahas çështjeve për të cilat ata biseduan, u fol edhe për “çështjen e detit”, e cila nënkupton arritjen e një marrëveshjeje për caktimin e kufirit të Zonës Ekonomike Ekskluzive dhe Shelfit Kontinental ndërmjet dy vendeve, sipas parimeve të fiksuara nga Konventa e Montego Bay e vitit 1982, ‘Për të drejtën e detit’, Konventave të Gjenevës të viteve 1958 dhe 1960, akteve të tjera të së drejtës ndërkombëtare, precedentëve të shteteve të tjerë si dhe praktikës gjyqësore ndërkombëtare.
Njoftimi erdhi pas një veprimtarie që zgjati vite, kur u zhvilluan edhe tre raunde negociatash, që u paraprinë nga dy takimet e ministrave të jashtme, në Kretë dhe në Korçë, përkatësisht në vitet 2017-2018.
Bashkëbiseduesit afirmuan se të dyja palët ishin bashkuar në mendimin që rruga më e përshtatshme e trajtimit të çështjes nga instancat ndërkombëtare është më e mira e mundshme në kushtet aktuale. Lanë të kuptohej se perspektiva e zgjidhjes së saj nëpërmjet bisedimeve dypalëshe dukej ose e largët ose e vështirë.
Vështruar në përgjithësi nga zhvillimet e ditëve të fundit si dhe duke abstraguar nga tërësia e arsyeve ose shkaqeve që mund të interferonin për komprometimin e zgjidhjes së drejtë të saj, duhen mbajtur parasysh së paku dy prej tyre, mjaft të dukshme:
– Zhvillimi normal i negociatave për këtë çështje kaq shumë madhore, që lidhet drejtpërsëdrejti me tërësinë territoriale të vendit, pengohet seriozisht nga i ashtuquajturi Ligji i Luftës. Teorikisht dhe juridikisht, për sa kohë që ai zyrtarisht është ende në fuqi, çdo negociatë midis dy palëve, formalisht supozohet si negociatë midis një të munduri dhe një fituesi në luftë.
Sipas mendimit tim, nuk qëndrojnë justifikimet që avancohen kohë pas kohe se Ligji i Luftës ka mbetur pa kuptim në kushtet e marrëdhënieve shumë të mira midis dy vendeve, të arritjeve realisht pozitive në këto marrëdhënie, të mbizotërimit të ndjenjave të miqësisë dhe bashkëpunimit midis popullit shqiptar dhe atij grek etj. Ato janë pothuajse të vërteta, por edhe nëse i marrim 100 % si të tilla, nëse vërtetë është kështu realiteti, pyetja më normale dhe më e thjeshtë do të ishte që pse nuk çlirohen edhe juridikisht marrëdhëniet zyrtare shqiptaro-greke nga ky kular i tmerrshëm që iu qëndron mbi zverk prej gati 80 vjetësh?
Vështirësia që iu referohet herë pas here problemeve që shfaqen në spektrin politik grek, është çështje që duhet përballuar nga pala greke, sepse është çështje e brendshme e saj. Eshtë ajo që duhet ta gjejë zgjidhjen e duhur juridike.
Nuk ka pse të thuhet, siç dëgjohet ndonjëherë, se të dyja palët po punojnë për heqjen e Ligjit të Luftës, sepse pala shqiptare nuk ka asnjë kompetencë dhe mundësi për të kontribuar. Ajo nuk ka arsye që nën justifikimin e ndonjë veprimi simetrik të bëjë lëshime ndaj palës greke.
Abrogimi i Ligjit të Luftës duhet të jetë i pastër dhe “pa kleçka”, duhet të jetë i tipit restitutio in integrum, rikthim në gjëndjen fillestare. Nuk është dhe nuk mund të jetë zgjidhje ajo që dëgjohet të thuhet ndonjëherë që grekët po punojnë që ta heqin ligjin e luftës, por duke mbajtur në fuqi nëpërmjet mekanizmave të caktuara juridike ligjet për vendosjen nën sekuestron konservative të pasurive shqiptare në Greqi ose pasojat e tyre.
Zgjidhja e mirëfilltë vjen kur ligji i luftës abrogohet me të gjitha rekuizitat shoqëruese, që shqiptarët dhe grekët të rikthehen edhe formalisht e juridikisht në kohët kur e shihnin dhe e trajtonin njëri tjetrin si miq të mirëfilltë.
Dëshiroj të përsëris një mendim që e kam thënë shumë herë dhe që më pëlqen ta nënvizoj, politika e sotme duhet të çlirohet nga pengjet e së kaluarës, nga trashëgimitë e saj toksike dhe të bëhet interprete autentike e vullnetit të vërtetë të popujve tanë, të cilët duan miqësinë dhe vëllazërinë ndërmjet tyre.
– Faktori i dytë pengues është rreziku potencial që gjatë negociatave të imponohen kushte për dhënien e pëlqimit për pranimin e Shqipërisë në BE, sikurse ka ndodhur në ndonjë rast.
Prandaj, parë nga ky këndvështrim rruga e shqyrtimit të çështjes në një instancë gjyqësore ndërkombëtare shmang këto dy inkonvenienca serioze dhe jep shanse për vërtetësi, objektivitet dhe paanësi në vendimin që do të merret.
Aq më tepër nëse mbahet parasysh se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë, përbëhet nga autoritete me prestigj të lartë profesional, nga profesorë të mëdhenj të së drejtës ndërkombëtare, nga juristë të shquar që përfaqësojnë gjithë sistemet juridike dhe gjithë qytetërimet e botës së sotme etj.
Ajo gjithashtu ka mundësi të jashtëzakonshme për të tërhequr mendimin e specializuar të ekspertëve më në zë për të vendosur për çështjet që i jepen për shqyrtim, mundësi të cilat mund të mos i kenë aq sa duhet të gjitha palët në mosmarrëveshje.
Duke u rikthyer te njoftimet e këtyre ditëve mendoj se ka vend për të sqaruar disa çështje.
– Lajmi për kalimin e çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, sidoqë nuk dilte shumë qartë nëse ishte fjala për Gjykatën e Hagës apo atë të Hamburgut Për të Drejtën e detit ose në ndonjë gjykatë arbitrazhi, është një nismë, e cila do të konkretizohet dhe do të formalizohet në vijim nga të dyja palët.
Në njoftimet e ditës së djeshme (21 tetor 2020), u tha se nisma paska qenë e palës shqiptare dhe duket se është pranuar edhe nga pala greke. Mirëpo, vështruar në optikën juridike, posaçërisht në atë juridiko-kushtetuese dhe juridiko-ndërkombëtare, ajo ka nevojë të zyrtarizohet juridikisht, në radhë të parë brenda vetë palës shqiptare.
Kjo do të thotë që organet kompetente shqiptare, posaçërisht kryetari i shtetit, autoriteti që ka tagrin ligjor të autorizojë zhvillimin e negociatave dhe nënshkrimin e marrëveshjes për çështje të karakterit ndërshtetëror, kryetari i kuvendit dhe kryeministri duhet të bisedojnë për ta shndërruar këtë nismë a propozim në një akt juridik të vlefshëm.
Do të ishte në të mirë të mbarëvajtjes së çështjes ndoshta edhe një shkëmbim paraprak mendimesh me Komisionin e Politikës së Jashtme të Kuvendit ose me anëtarë të veçantë të tij, madje edhe takime të posaçme me drejtuesit e forcave kryesore të opozitës për të pasur edhe mendimin e tyre.
Krerët e shtetit do të bënin mirë që të konsultohen edhe me specialistët përkatës të fushës, të cilët nuk mungojnë as brenda vendit, por sidomos jashtë.
Nga pikëpamja formale, për të qenë në rregull me aparencat juridike, duhet të besohet se është marrë tashmë edhe mendimi i grupit negociator per rezultatet e arritura gjatë tre raundeve të zhvilluara, për problematikat eventuale që mund të jenë shfaqur dhe shkaqet se përse tani mendohet që të hiqet dorë prej negociatave. Kjo sepse supozohet që anëtarët e grupit janë specialistët më të spikatur të fushës, prandaj edhe u zgjodhën për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e Shqipërisë në negociatat me kolegët e tyre grekë.
Nëse është bërë ndoshta do të ishte në të mirë të një transparence relative, që është edhe kërkesë konstitucionale, të ishte dhënë ndonjë njoftim.
Juridikisht as kryeministri, as ministri i jashtëm me gjithë këshilltarët dhe ndihmësat e tyre, nuk i kanë kapacitetet as edhe tagrat juridike që të vendosin vetë për të zgjedhur procedura të caktuara për zgjidhjen e një çështjeje të tillë me rëndësi dhe reperkursione të jashtëzakonshme.
Nëse këto procedura të domosdoshme janë kryer është normal komunikimi me palën tjetër. Duhet menduar që këto procedura dhe këto veprime duhet të jenë kryer. Përndryshe nguti i treguar nuk do të kishte motivimin e duhur, përveç ndonjë arsyeje me karakter utilitar që mund të ketë lidhje me brenda ose jashtë vendit.
Por përvoja e deritanishme ka treguar se dëshirat e sforcuara për të zgjidhur sa më parë çështje tepër delikate mund të kenë dëmtuar cilësinë e zgjidhjes së tyre, siç ka ndodhur fjala vjen me ligjin për minoritetet, i cili u bë objekt i kritikave të shumta.
Shpallja e rekomandimit të kalimit të çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare, u shoqërua edhe me publikimin e arsyes së marrjes së këtij vendimi. Kryeministri në prononcimet e veta la të kuptohen dy arsye për heqjen dorë.
Njëra “për të vendosur pikat mbi “i” në bazë të ekspertizës dhe në bazë të të drejtës ndërkombëtare të detit”. Tjetra u duk se ishte keqardhja për “patriotët e detit”, të cilët, sipas tij, “në këtë mënyrë duhet të gjejnë arsye të tjera për të shpallur patriotizmin e tyre…”.
Motivi për “për të vendosur pikat mbi “i” në bazë të ekspertizës dhe në bazë të të drejtës ndërkombëtare të detit”, duket i arsyeshëm, sepse siç u tha pak më lart, lihet të kuptohet se mbeten të dyshimta shanset për një rezultat real, objektiv, të pandikuar nga “vullneti politik”.
Përsa i përket shkakut të dytë nuk kuptohet lehtë se për kë e pati fjalën kryeministri? Për grupin e njerëzve që demonstruan për çështjen çame? Nëse po, duke u distancuar nga ndonjë ekses që u vu re, duhet thënë se ata janë realisht patriotë të paqortueshëm të një kauze të shenjtë, siç është kërkesa për pastrimin e baltës së hedhur mbi gjakun dhe kujtimin e disa mijëra njerëzve, prindër, gjyshër e stërgjyshër të tyre, që u bënë pre e një politike të spastrimit etnik.
Në këtë kuptim ata janë jo vetëm patriotë të detit, por edhe të tokës. Kërkojnë që, në zbatim të normave dhe parimeve themelore të të drejtave të njeriut, të gëzojnë mundësinë e disponimit të pronave që iu mbetën përtej kufirit, që të vizitojnë shtëpitë dhe varret e të parëve të tyre, të përfitojnë nga zbatimi rigoroz i Konventës Europiane për të drejtat e njeriut dhe i protokolleve të saj.
Nëse e ka fjalën për ata që në vitet 2009 e në vijim, kanë shkruar e folur për çështjen e detit, që bënë një punë të jashtëzakonshme për të sensibilizuar opinionin publik dhe faktorët politikë, ndër të cilët edhe vetë Partinë Socialiste, për të ndërhyrë për të pezulluar procedurat e hyrjes në fuqi të marrëveshjes antishqiptare të 2009 për të ashtuquajturën çështje e detit, duhet bërë kujdes.
Ata nuk janë njerëz me të cilët mund të bëhet ironi, sepse janë personalitete të spikatur të elitës intelektuale shqiptare, si prof. Arben Puto, prof. Luan Omari, prof. Myslim Pashaj, prof. Pëllumb Xhufi, prof. Sabit Brokaj, Agron Alibali, Besnik Bakiu, Armand Vinçani, Viola Trebicka, gazetarët Tedi Blushi me GSH, Adrian Thano me Shekullin, Alban Dudushi, Anila Basha, Dritan Hila, dhe një numër jo i paktë të tjerë, emrat e të cilëve nuk më kujtohen dhe prandaj iu kërkoj ndjesë, si dhe dy juristët e Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe Saimir Tahiri, që, pas një përgatitjeje disamujore përballuan debatin njëditor në Gjykatën Kushtetuese.
Nuk mund të mos përmendet prof. Xhezair Zaganjori, relatori i çështjes dhe gjithë ish trupa e Gjykatës Kushtetuese që, pavarësisht problemeve për të cilat ajo në vijim doli jashtë funksionit, në momentin e caktuar dha një vendim historik me rëndësi kombëtare. Autori i këtij shkrimi, me modesti bën me dije se gjithashtu si pjesë e grupit të sipërpërmendur, ishte ndër ata që insistuan pranë vetë z. Rama që çështja të shkonte në Gjykatën Kushtetuese.
Atëhere ish kryeministri i kohës, i vënë në rolin e avokatit të shtetit tjetër, na quante “sharlatanë” dhe “injorantë”, shprehje me të cilat i drejtohej njërit prej nesh, profesorit të nderuar Myslim Pashait.
Tani, dhjetë vjet më vonë, mos vallë sërish nga karrigia e kryeministrit, portretizohemi me ironi si “patriotë të detit”, vetëm sepse për trajtimin e kësaj çështjeje me sensibiltet të veçantë, iu këshillojmë autoriteteve të vendit tonë të tregojnë kujdesin maksimal që të zbatohen Kushtetuta, legjislacioni, vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe aktet nderkombetare? Po atëhere kur kërkuam që çështja të çohej në Gjykatën Kushtetuese, në ç’rol ishim, në atë të patriotit apo folkloristit?!
Cilido qoftë mendimi që kryeministri pati parasysh kur lëshoi fjalët “patriotët e detit”, dua të pohoj me modesti se ne, përveç se jemi shqiptarë, jemi gjithashtu edhe patriotë, por të vërtetë, të mirëfilltë, patritotë të mbrojtjes me aq sa mundemi dhe aq sa dimë të interesave kombëtare. Nuk jemi patriotë të pushtetit, të politikës, të parasë, të PPP-ve, të tenderave etj.
Prandaj nga kjo pikëpamje nuk mund të mos ndjehemi të lënduar sepse mendojmë që meritojmë minimumi një falemnderit për aq sa kemi bërë, qoftë edhe për shqetësimet që mund të kemi ndjerë.
Pa pretenduar aspak t’iu jap mend kolegëve të mi të rinj, që i kanë demonstruar vlerat dhe aftësitë e tyre profesionale, thjesht nga pozita e një ishi me përvojë, që është marrë me këto çështje, do të dëshiroja të theksoja edhe një tjetër çështje që do të ishte mirë të kihej parasysh. Autoritetet tona kompetente duhet të fillojnë menjëherë nga puna, sapo nisma të zyrtarizohet juridikisht, sepse siç merret me mend deri ne formalizimin e kesaj menyre zgjidhjeje ka shume pune per t’u bere.
Siç u kuptua nga kumtimet e bëra në këto dy ditë, kryeministri dha një opinion për mënyrën e zgjidhjes së çështjes, por investimi zyrtar realizohet vetëm pasi të jenë ndërmarrë dhe plotësuar tërë procedurat e parashikuara nga Kushtetuta, legjislacioni shqiptar, ligji Per traktatet nderkombetare, Konventa e Vjenes Për të drejtën e traktateve ndërkombëtare, Statuti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, nëse do zgjidhet GJND etj.
Çështja do të vihet në lëvizje nëpërmjet një marrëvëshjeje, me anën e së cilës palët shprehin gatishmërinë e tyre për t’ia kaluar atë për trajtim instancës gjyqësore ose arbitrale ndërkombëtare. Aty do të specifikohet me saktësi edhe kompetenca, juridiksioni i Gjykatës Ndërkombëtare, i cili si rregull është fakultativ.
Kjo do të thotë se ato duhet të shprehen se çfarë konkretisht kërkojnë palët nga gjykata për të vendosur ose për t’u shprehur. Sipas mendimit tim në këtë rast do të jetë fjala për një opinion konsultativ të Gjykatës dhe jo një vendim të mirëfilltë gjyqësor.
Ajo do të shprehet në mënyrë parimore rreth pyetjeve, çështjeve që do t’i shtrohen për shqyrtim nga palët. Prandaj ka rëndësi të jashtëzakonshme përcaktimi shumë i saktë i tyre, në mënyrë që përmes rekomandimeve që do të vijnë nga GJND të marrin zgjidhjen e dëshiruar gjithë çështjet e diskutueshme për palën shqiptare.
Marrëveshja e kompromisit për kalimin e çështjes në Gjykatë, do të jetë sërish një marreveshje ndërshtetërore, e cila sipas nenit 92/ë të Kushtetutës, hyn në kompetencën ekskluzive të kryetarit të shtetit. Ai, në bashkëpunim me institucionet e tjera shteterore, ka të drejtën e përzgjedhjes së ekipit që do të punojë për përgatitjen e projektit të saj, evdentimin e gjithë provave, argumenteve dhe materialeve të tjera të nevojshme, propozimet për përzgjedhjen e specialistëve dhe avokatëve të palës sonë, si dhe për përballimin e çështjes së gjykatë.
Eshtë e kuptueshme se kërkohet një bashkëpunim i ngushtë institucional i organeve drejtuese të shtetit, duke patur parasysh, siç u tha edhe më sipër, se është fjala për një çështje madhore që ka të bëjë me Shqipërinë e sotme dhe të nesërme.
Deti, potencialet e tij gjeostrategjike, avantazhet për garantimin e sigurisë kombëtare për sot e përgjithmonë, pasuritë që ai ka etj, nuk janë pronë e krerëve të vendit, por res communis omnium, pasuri e përbashkët e të gjithë shqiptarëve. Prandaj, është dëshira e tyre që, së paku në këtë rast, të lihen mënjanë mosmarrëveshjet eventuale që shfaqen ndonjëherë në raportet ndërmjet tyre dhe të prevalojnë interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të përfitohet nga përvoja e shteteve të tjerë të qytetëruar./gazeta dita/