Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Shemaj: Shtëpi e braktisur

Porta gjysmë e hapur
Gurët e thinjur në qemer
Pjergulla në të harkuar,
Erëmon mëndra përzier.

Hardhuca lëviz pa u trembur
Rrezeve të diellit ua bënë me sy,
Skutave dalin minj të fjetur
E rihynë ngeshëm përsëri.

Kumbon heshtje vetmie
Bulëzime igrasie në tavan,
Ca njolla si fytyrë vrarëlije
Penel Pikasoje më ngjajnë.

Stepur oxhaku i vjetër,
Me mjekër blozë në tavan,
Ushtri e uritur milingonash
Thërrme kërkojnë të hanë

S’ dëgjohen verandës cicërima
Zogjtë s’ vijnë s’ duhet pse,
Në xhama lëbyret vetëtima,
Lotë rrëkezash rrjedh.

Shtëpi e braktisur ende frymon
Si ka në grazhd kujtimet përtyp,
Vjen dielli e gjallëron
Hëna pikëllimin ia argjëndon e ia ndrit…

Please follow and like us: