Albspirit

Media/News/Publishing

Azgan Berbati: PLAGOSJA E SË TASHMES DHE VDEKJA E SË ARDHMES

Viti 2020 do të ngurtësohet në kujtesën e kujtdo që e ka jetuar, si viti i deziluzionit të madh, më tepër se kaq!

Fillimi i këtij viti akademik, si asnjë fillim tjetër, më shtyn të mendoj, madje të parashikoj, jo vetëm mua, por pjesën dërrmuese të studentëve/universitarëve se çfarë pritet të ndodh në të ardhmen.

Instikti i studimit drejt reales të shtyn të zbulosh se si e sotmja është veç sa për të qenë, pra pa pranuar të ardhmen si vizionin drejt së cilit adresohet ajo që shkruhet tek e sotmja, pa dashur t’i’a dimë për të ardhmen, pa menduar t’a ndërtojmë atë, ose si t’a ndërtojmë.

Dhe kjo tejkalon abstrakten, absurden; nga ana tjetër formon surrealen, të padobishmen.

Në këtë pikpamje, jo vetëm që nuk mendohet dhe nuk punohet për të ardhmen, por më keq akoma, ajo shkatërrohet, ajo vdes, pa lindur akoma, si një diçka që ishte gabim edhe po të mendohej, duke marrë me vete dëshpërueshëm, kështu, edhe lirinë!

***

Do të ishte më se normale nëse mendimi do të përfshinte edhe atë, tendencën e mundshme që shteti dhe qeveritë e universiteteve po aplikojnë në një mënyrë thellësisht provokuese, duke vendosur njëherë që mësimi të zhvillohet, pra leksionet virtualisht dhe seminaret fizikisht në auditor, pastaj, qeveria i propozon qeverisë një vendim për mbylljen të paktën një muaj të universiteteve dhe rikthimin abstrakt, ose siç e quajnë ata, “online” ndërkohë universiteti nuk reagon, nuk ka fuqi të diskutojë atë që i thuhet, ka frikë, ose nuk do!

Këtu gjendet piktakimi i komikes me tragjiken!

Zgjerimi më tej i veprimeve të vendimmarrësve, zgjeron edhe mendimin drejt së vërtetës tragjikomike.

Së pari: marrja e një vendimi kaq të rëndësishëm nga përfaqësia për “të përfaqësuarit” pa mendimin e këtyre të fundit, madje duke u shpërfillur totalisht, do të ishte së paku një zhgënjim paralizues, që gjymton dhe sakaton pikërisht atë, të ardhmen, produktin e nesërm të krejt shoqërisë.

Së dyti: në statistikat që u nxorën nga semestri abstrakt, para pak kohësh, efektiviteti i mësimit abstrakt rezultoi zero, dhe kjo është më shumë se qëmtim i së vërtetës!

Dyshimi që efektiviteti do të jetë sërish zero, nuk mbetet më dyshim, por një e vërtetë e provuar që duan t’a përsërisin.

Arsyeja është e qartë për këdo që arrin të kuptojë.

***

Brezi i mësimit abstrakt, së paku do të jetë brezi fals, i brishtë nga pikpamja e formimit, integritetit, i nulifikuar dhe i paragjykuar së pari nga vetë profesioni, zanati.

Përse drejtuesit tanë nuk i mbyllin fare universitetet deri në një vendim të dytë dhe t’u hiqet studentëve tarifa meqë nuk e shfrytëzojnë universitetin, të paktën fizikisht, përfshirë këtu edhe mundësinë e shmangies drejt kërcënimit serioz që i bëhet produktit të së ardhmes; për të mos patur edhe nesër drejtues, apo administratorë universitetesh, si ata të sotmit, që thonë ekzaktësisht kështu: “Na duhen lekët e studentëve (gjasme duke paguar tarifat, etj), sepse s’kemi lekë për pagat e pedagogëve”.

Përse nuk ndodh ndryshe, përse ndodh kështu?!

***

Të gjitha këto janë të nderuara nëse do i quaja thjesht idiotizma, apo absurditete të krijuara nga ata që gjasme na përfaqësojnë, nga ata që shkruajnë fatet tona në letra, të cilat ne s’kemi shansin të ndërhyjmë, as të pyesim, madje as t’i diskutojmë.

Ndërsa një gjë është e qartë: ata nuk na duan ne, ata nuk e duan të ardhmen e vendit tonë dhe kjo është shumë e qartë!

Please follow and like us: