Albspirit

Media/News/Publishing

Intervista/Dr. Xhoi Jakaj, rrëfim ekskluziv për të fshehtat e gruas dhe jo vetëm në librin e fundit

 

 

Ju tashmë jeni një emër i njohur publik, por si do ta portretizonte vetveten Xhoi Jakaj?

 

Dr. Xhoi Jakaj: Një njeri human që bën gjithçka për lumturinë e njerëzve që e rrethojnë, me shumë miq dhe të njohur nga të gjitha viset shqiptare.

 

Meqënëse jetoni në Shqipëri, ka interes të dihet se cila është familja juaj?

Dr. Xhoi Jakaj: Bashkëshorti im, njeri jo publik. Shef në një institucion, por ka profil të heshtur dhe nuk do foto, madje as të dalë në ekrane. Dy vajzat e mia Oriola dhe Xhulia janë të ndryshme po aq sa unë me bashkëshortin. Sepse Oriola është personazh publik, modele ndërkombëtare dhe këngëtare lirike që presim te publikojë një këngë të kësaj gjinie, e dashur, e ëmbël dhe ndihmon shumë personat në nevojë. Tashmë janë të njohura veprimtaritë bamirëse të vajzës sime, Oriola.

Vajza tjetër, Xhulia Marashi ëshët psikologe dhe punon me një projekt me të huaj për zgjedhjet në vende të ndryshme në Ballkan dhe nuk do vëmendje mediatike, madje dhe instagramin e ka privat. Vajzë e përsosur në të gjitha hapat e jetës, e dashuruar me gjuhët e huaja dhe aktualisht zotëron 6 prej tyre.

E lumtur që jam mamaja e tyre.

Po ashtu interes përbën shkollimi juaj dhe doktorimi?

Dr. Xhoi Jakaj: Kam përfunduar Universitetin Bujqësor të Tiranës në degën Veterinari në vitin 1993. Edhe pse kam qenë nxënëse me të gjitha notat 10-ta, një cen në biografi në vitet ‘88, pa rënë diktatura, më bëri që shkollën Ekonomike që më doli si bursë ma këmbyen me Veterinari, por me doli për mbarë sepse mbylla dhe degën Bio-kimi dhe fillova mësuese gjimnazesh. Në punë e sipër mbrojta Master në Gjenetikë dhe doktoraturë në kirurgji në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Pas kësaj kalova pedagoge disa vite, në disa universitete private dhe në shtetëror, më i preferuari UAMD në Durrës.

 

Çfarë do të thoshnit për vitet e tua të punës, deri drejtore e një burgu për femrat?

Dr. Xhoi Jakaj: Në këtë periudhë, dhjetor 2015 u emërova drejtore e IEVP ‘Ali Demi’ në Tiranë ose burgu dhe paraburgimi i grave. Një eksperiencë e vështirë, komplekse, me të papritura, por edhe një shkollë më vete, më ka mësuar sa të tëra shkollimet e mia së bashku; sllogani im aty ishte; “Ligj dhe tolerancë”.

 

Libri juaj i dytë, me bashkautore Anxhela Pezën, pas librit ‘Adoleshenca’ që e kishit vetëm si autore, pati një interes të madh te lexuesit, medimi juaj?

 

Dr. Xhoi Jakaj: Libri ‘Paraadoleshenca, sfidat e prindërimit’ mendoj se ishte një super libër, i pari i këtij lloji, një biologe si unë me një psikologe si Anxhela Peza patëm një simbiozë speciale dhe shumë sukses e shitje në një numër të lartë kopjesh. Anxhela është një mike shumë e dashur për mua, kemi pasur shpesh bashkëpunime në projekte të ndryshme në ndihmë të personave në nevojë dhe fëmijëve të nënave të dënuara.

 

Tashmë vini para lexuesit me botimin tuaj të katërt pas një botimi në mbrojtjen e dokoratës, tashmë një libër kushtuar tërësisht gruas, diçka rreth këtij botimi?

Dr. Xhoi Jakaj: Libri “Grua”, një libër që është menduar mirë disa vite, mendoj se ka vlera si botim, le ta gjykojë lexuesi im. Ajo që është pjesa më e bukur për mua, ndodhi më 31 tetor 2020 sepse gjithë shitjet e librit në promovimin që u realizua në ‘Rogner’ u dorëzuan te zyra ime dhe kjo iu dedikua një fëmije që ka nevojë për mbështetje dhe terapi në një klinikë private.

 

Ju jeni një intelektuale e shqetësuar që shkruani shpesh për problematikat sociale?

 

Dr. Xhoi Jakaj: Unë shkruaj shpesh për problemet që shqetësojnë shoqërinë, shkrime që i keni pasqyruar gjithnjë si portal. Mendoj se duhen ngritur problemet, shumë zëra bashkë një ditë do të bëjnë ndryshimin. Si portal ju i keni dhënë gjithnjë jehonë shqetësimeve të mia. Gjej rastin t’iu falenderoj.

 

Moshat e reja, sidomos adoleshentët shqiptarë gjenden përballë një sërë sfidash për vetë ata dhe prindërit e tyre; çfarë do të sugjeronit ju për këtë kategori?

 

Dr. Xhoi Jakaj: Adoleshentët kanë shumë probleme, prindërit duhet të jenë të vëmendshëm pafund, ju sugjeroj të lexoni librin tim “Adoleshenca në filtrin e dashurisë”, botuar në vitet që punoja si mësuese në gjimnaz dhe isha shumë afër adoleshentëve, ai libër është ribotuar 3 herë. Dhe është pëlqyer shumë.

 

Femra në politikë dhe vendimmarrje; sipas jush çfarë është bërë mirë dhe çfarë është bërë keq në këtë aspekt?

 

Dr. Xhoi Jakaj: Nuk janë përfshirë gra intelektuale, por ato që i binden Kryetarit të Partisë. Për më shumë mendoj që ka gra të cilat janë sot ministre e deputete e flasin me gjuhën e Kryetarit dhe marrin vendime me trurin e tij. Më vjen keq shumë se ka gra të zonjat shumë në këtë vend që nuk u jepet mundësia sepse lirinë e tyre nuk e shesin. Zgjedhin të jenë larg politikës që i përdor.

Mbase një ditë do ndryshojnë gjërat në Shqipëri e do shohim gra që flasin me mendjen e tyre e jo të Kryetarit të Partisë.

 

Aktualisht, së bashku me vajzën tënde, Xhulia ju jeni drejtuese e qendrës “Xhoi & Xhulia”, na thoni diçka rreth kësaj qendre?

Dr. Xhoi Jakaj: Qendra Xhoi & Xhulia është një vend ku promovohen vlerat dhe kultura, punohet shumë me staf të mirë, në atë qendër ndihmohen edhe fëmijë në nevojë, çdo mësues ka në muaj për të mbështetur një fëmijë pa të ardhura ose një fëmijë me “probleme autizmi”.

Qëndra është vendi i ideve, kulturës dhe dijes përpos bamirësive që i realizojmë pa bujë, por me zemer dhe pastërti shpirtërore.

Xhulia është krahu im i djathtë dhe kur është e lirë nga puna që ajo bën, merret me terapi psikologjike te qendra, por aty kemi tre psikologe që alternojnë punën e detyrat, secila sipas kualifikimit; mendoj se kam ngritur një staf të përkushtuar.

 

Vajza juaj, supermodelja Oriola Marashi është tashmë një nga vajzat më të njohura të modelingut brenda dhe jashtë vendit; opinion juaj?

 

Dr. Xhoi Jakaj: Vajza ime mbetet dashuria ime më e madhe në jetë, Oriola siç ka hapin e gjatë në modeling ka mirësinë që ia ka falur zoti. Jam krenare për të dhe punët e saj; tashmë ajo ka dy kontrata me dy kompani të mëdha botërore ‘Guess’ dhe ‘Hasret  Moda’.

Mbi të gjitha uroj të ketë shëndet dhe të jetë mirë sepse gjithçka ajo e ka arritur me punë; të dy vajzat e mia Xhulia dhe Oriola e vlerësojnë paranë që vjen nga puna, vlerën e së cilës ua kam kultivuar me kujdes gjatë rritjes dhe mendoj se tashmë është bëre pjesë jete.

https://www.oranews.tv/nje-liber-per-gruan-xhoi-jakaj-sjell-rrefime-e-letra-nga-grate-e-burgosura/

 

Please follow and like us: