Ilir Levonja: Sigurismi i Shtetit dhe Edi Rama
Para pak kohësh një emison televiz transmetonte një program mbi një rast persekutimi. Kjo ishte një mësuese diku në malësi. Operativi i zonës nuk e kishte futur dot në dorë. Mësuesja e re e kishte refuzuar prerë. Kësisoj ky funksionar i armës së Sigurimit zuri nga kërcënimet, por prapë nuk e shtiu në dorë. Përfundimi, mësuesja e re burgoset për agjitacion e propagandë, deri ditën e rënies së diktaturës. Më pas, një beqareshë e lodhur si azilkërkuese në Bruksel. Kjo është një nga metodat e preferuara ta paranojakëve a skizofrenëve, raste që mund t’i shpjegoj subkoishenca e Frojdit. Por që në Shqipëri i kanë aplikuar që nga Enver Hoxha e deri tek kapteri më i fundit. Si dëshmi reale janë Ramize Gjebreja, Sabiha Kasimati, Musine Kokalari etj., pa përmendur dhe fisniket e heshtura si mësuesja e Malësisë. Pra po nuk ma dhe apo po nuk të munda më kthehesh në një fiksim që prodhon veç intriga. Dhe nuk është çudi që vendi të ngjasi me subjektet e dramave të Shekspirit. Këtë e verteton edhe një intervistë e fundit e kryetarit të KQZ-ës kur fushatën aktuale e krahason me atë të 1997-ës. Dhe nëse doni ta dini se përse ndodh kjo, është pikërisht ai fiksimi me t’u mundur a me të të mundur. Nga performanca e njëshave fillon gjithçka. Sa më brutalë, vulgarë e bullistë të jenë ata, dy fish jemi ne me njëri-tjetrin. Me të mohuar gjithçka deri në asht, aq sa kurrë shqiptarët të mos kenë një model real të unifikimit. Jo rastësisht Edi Rama është i fiksuar në dy emra, si ai sigurimsi tek mësuesja që nuk ia dha. Në atë të Sali Berishës dhe Ilir Ramës. Nëse dedektivi i sigurimit nuk duronte dot faktin që mësuesja nuk ja jepte. Edi Rama nuk duron këta dy emra, të cilët nuk i mundi dot. Të parin, Sali Berishën për faktin që ua hoqi shqiptarëve koracën e vizave me Europën. Do apo nuk do ai, kjo ndodhi në qeverinë e Berishës. Shqiptarët tashmë lëvizin në Europë pa vizë, mjafton pasaporta dhe kaq. Eshtë hera e dytë në historinë e shtetit të tyre, pas Ahmet Zogut. Me Enver Hoxhën donin vizë për në Konispol e Vermosh, se Italia ishte mollë e ndaluar. Po me Berishën, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, pra thuajse 100% perëndimore. Sot është një kuvli nën protektoratin e Ankarasë, po 100% në kundërshtim me historinë e vet, karshi asaj Perandorie shkëputja prej së cilës i solli pavarësinë dhe një batalion me dëshmorë të atdheut. Pas Enver Hoxhës, ky është shtetari i dytë që ka oreintuar Shqipërinë 100% nga Lindja. Me Ilir Metën vuan dështimin që nuk e nxorri dot në pension. Mendoi se duke e bërë president, komplet kundër vullnetit të shqiptarëve, do e nxirrte në pension. Kësisoj do e kishte më të lehtë rrugëtimin e ndryshimit të Kushtetutës, jo kufizimin e mandatit dhe dyfishin e afatit qeverisës deri sa një ditë të shpallet mbret. Do minimizonte elektoratin e LSI-së duke ruajtur çdo votë socialiste sado fanatike e majtë, sado radikale, sado enveriste, mjaft t’i grumbullonte tek vetja. Nuk është e rastësishme sot që një numror në Kuçovë, a në Berat, reklamohet nëpër dhjetra televizione si fitore deri në rang kombëtar. Paralel me këtë i shkonte për shtat hemoragjia e PD-ës, partiçkat e të qejfmbeturëve që sot u kujtuan t’u tregojnë shqiptarëve, se sa i degraduar është faktori 30 vjeçar politik i vendit tonë. Në fakt raca më e poshtër për stanjacionin e progresit të një vendi, janë pikërisht dy drejtime,
(1) të persekutuarit që i thonë përdhunuesit baba
(2) teserexhinjtë e posteve, komisioneve, kryetarëllkut, ata që i bëjnë opozitë shtëpisë që i polli.
Që të bëj karshillëk një anëtar i thjeshtë, nuk ka dëm, por progres. Dëm ka kur të bën karshillëk karrikethyeri.
Por jemi tek egërisa e fushatës, tek Edi Rama. Dhe siç e vutë re, insistimi i Edi Ramës është pikërisht ai i kapterit të Sigurimit të Shtetit. Pra Edi Rama duhet përzënë pikërisht për këtë, se, në vend që të japi llogari se çfarë bëri dhe çfarë nuk bëri për shqiptarët në 8 vjet, çirret për nepset e munguara me Sali Berishën dhe Ilir Metën. Nuk është problem i shqiptarëve humbja e Edi Ramës me Sali Berishën dhe Ilir Metën, është problem i Edi Ramës. Shqiptarët dhe Shqipëria duan tjetër drejtim, tjetër horizont, tjetër natyrë etj. Sot Shqipëria nuk është anëtare e Komunitetit Europian dhe pikë. Shkon në Europë pa viza, por nuk është anëtare e saj. Sipas mendjes së Edi Ramës, ju duhet të votoni Edi Ramën se ai nuk ju futi në Europë. Duhet të votoni Edi Ramën se po ju izolon. Brutalizmi real i Sali Berishës qëndron në një fakt historik, jo në ato që thotë Edi Rama, por në atë që i dha të drejtën e lëvizjes së lirë edhe komunistit që sot shkon ku do i do kokrra qejfit. Por e tillë është demokracia, nuk ke çfarë i bën. Shkurt, jo ta votosh Edi Ramën, por sikur nëpër mend ta çosh, dëmton vendin dhe fëmijët.