Bardhyl Berberi: Kush merret me politikë t’i verifikohet pasuria, e kaluara e tij dhe të vizitohet tek psikiatri
Çdo ditë përballemi me probleme të shumta, me skandale dhe kriza të thella që në shumë raste janë rezultat i një paftësie të një drejtuesi të lartë partie apo shtetërori, të cilët na ballafaqojnë më probleme të shumta që kanë si emërues të përbashkët paaftësinë, drejtuesin emocional që ka hipur në një karrike të madhe dhe i bën punët ‘lesh e li’ si thotë populli dhe krizat e thella që i kanë nuk mund t’u ndihmojë dhe nuk po i ndihmon aspak.
Duhet të rinovoja patentën për drejtim makine dhe një fletë analizash: analizë gjaku, vizitë tek kardiologu, tek psikiatri, dermatologu, okulisti, otorino, dermatologu etj. Një mal me analiza që ta çonin shpirtin në majë të hundës, një specialist e gjeje dhe nuk gjeje tjetrin, përfundimisht i plotësova. Duke dalë nga poliklinika më drejtohet një burrë i moshuar.
– Çfarë i ke gjithëkëto analiza?
– Për rinovimin e patentës së makinës.
– Mirë more gazetar një deng me analiza për një patentë, por atyre që ju besojmë shtetin, presidencën, partitë, të ardhmen tonë a duhet t’i çojmë të vizitohen tek psikiatri për t’u siguruar se a janë mirë mendërisht se po na hedhin në humnerë!
Kështu unë sugjeroj që të angazhohen disa psikatër profesionistë dhe le të bëjnë përpjekje për rregullimin e shumë mendjeve të sëmura jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë edhe në të gjithë rajonin që koka të nxehta për interesat e tyre vetiake nuk po e dimë se ku duhet të përfundojnë me çmenduritë e tyre. Të parët për trajtim psikiatrik duhet të jenë politikanët të cilëve nuk u ka mbetur asnjë fije mendje në kokë, çdo ditë dëgjojmë çmenduri e budallallëqe. Nganjëherë na duket sikur na kanë futur këta politikanë në një çmenduri kolektive. A e kuptoni se na morët në qafë të gjithë kemi 30 vjet që dëgjojmë dënglat tuaja dhe nga ana tjetër shumfishoni pasuritë.
Çfarë e mendoni ju veten tuaj se jeni më të mençurit, më inteligjentët apo edhe më të bukurit në botë që të gjithë të jenë të detyruar të vrapojnë pas jush, sepse ky vrapim nuk shpie në asnjë vend tjetër përveë humnerës. Do t’u them, jo, ju nuk jeni as më të mençurit, as më inteligjentët e as më të bukurit në botë, por jeni nën nivelin mesatar të inteligjencës shqiptare. Çuditërisht politika dhe e ardhmja tonë mbruhen nga individë pa ideale dhe pa madhështi. Kush ka madhështi brenda vetes nuk merret me këta delenxhinj të politikës sonë aë janë bërë si qen të tërbuar dhe madje kërcënojnë dhe Amerikën, marrin peng aeroportin, kërcënojnë kryeprokuroren e Tiranës.
Po, ju jeni më hajdutët që jetoni në një luks të zi, në vila 500 milionëshe. Mjaft sakrifikuan njerëzit për ju, po bëhen gati 30 vite duke pritur se po na jepni mend, por në vend të kësaj juve u kanë dalë edhe ato pak mend që i kishit. Pyes publikisht çfarë mendoni se jeni duke bërë o politikanë, morët në qafë popullin që sakrifikon shumë për ju dhe gati për tre dekada ju nuk bëtë asnjë sakrificë, madje edhe më të voglën për ta për t’i rritur miqënien.
Çdo njeri që merret me politikë dhe merr një karrike të madhe duhet fillimisht të vizitohet tek psikiatri nëse është mirë mendërisht? Ne i kërkojmë një njeriu që pajiset me patentë për të vozitur me makinë një raport mjekësor me 30 firma duke filluar nga gjaku, sytë, lëkura, zemra, mendja, me gjitha pikat kryesore të shëndetit; le të veproj sa më shpejtë që është e mundur ndoshta edhe është shumë vonë por më mirë vonë se kurrë. A e kuptoni që na keni skllavëruar shpirtërisht, po jetojmë jetën tonë sipas idiotësive tuaja që e keni mëndjen vetëm për të vjedhur… Por mesa duket po ju mblidhet litari të gjithë juve që ja keni nxirë jetën popullit dhe kësaj radhe do të uleni në sallën e gjyqit, të përballeni me abuzimet tuaja në këto 30 vjet ‘demokraci’. Më duket se kësaj radhe zor se do ta kaloni lumin me varka prej letre… Data 25 prill po vjen…