Albspirit

Media/News/Publishing

Roma, nderimi i radhës për regjizoren e shquar, Xhanfize Keko

 

Rrugëtimi ndërkombëtar i filmave të regjisores Xhanfise Keko vazhdon nëpër botë. Po ashtu edhe nderimi për individualitetin dhe personalitetin artistik të regjisores Xhanfise Keko. Pas Danish Film Institut dhe Wiena Film Museum të cilët në vitet 2018 e 2019 i dedikuan tribute regjisores shqiptare duke çfaqur disa nga filmat më të njohur e të vlerësuar të saj, në vitin 2021 është Film Festival Alice nella città në Itali që ka kthyer kokën nga regjisorja shqiptare dhe i ka dedikuar një homazh ku në nderim të kontributit në kinematografi dhe personalitetit artistik të saj, në 20 tetor do të çfaqen dy filma, “Beni ecën vetë” dhe “Mimoza llastica”. Alice nella città u krijua në vitin 2003, vite përpara festivalit të Romës, por me lindjen e këtij të fundit, nga viti 2006 – 2011 u bë pjesë e tij si seksioni zyrtar i filmit dedikuar të rinjve. Serioziteti i organizimit dhe reputacioni gjithnjë në rritje i tij bëri që në vitin 2012 ai të shkëputet nga Roma Film Festival, një ndër festivalet më të rëndësishëm në Itali pas atij të Venecias. Nga ajo ditë Film Festival Alice nella città ekziston si një festival autonom dhe paralel me Roma Film Festival, si një festival dedikuar tërësisht gjeneratës së re. Duke patur gjithmonë si objektiv parësor atë të konfigurimit të vetes si një ngjarje e konceptuar dhe ndërtuar për një auditor të ri, ai në të njejtën kohë u është drejtuar të gjitha kategorive dhe moshave të spektatorëve për të krijuar një hapësirë ​​të rëndësishme në panoramën e ngjarjeve ndërkombëtare të filmit. Së fundi duhet thënë se, Alice nella città synon të vëzhgojë dhe të ofrojë në programin e saj filma të përzgjedhur nga gjithë bota, filma që lejojnë publikun të krahasojë dhe diskutojë vazhdimisht mbi teknikat, temat dhe gjuhët e kinemasë bashkëkohore.

Kjo është arësyeja që në konferencën për shtyp të organizatorëve, Drejtori Artistik i Festivalit, Gianluca Giannelli kur prezantoi homazhin dedikuar regjisores shqiptare, tha:

Përsa u përket homazheve, do t’i bëjmë një nderim të rëndësishëm regjisores shqiptare Xhanfise Keko, e cila konsiderohet si Trufoja e kinemasë shqiptare. Ka qenë e vetmja regjisore në Shqipërinë komuniste, një regjisore grua pak e njohur për publikun e gjerë, por e cila ka krijuar një filmografi të rëndësishme përsa i përket pikërisht rrëfimeve me fëmijë. I transformoi në instrumente edhe për të shpalosur shoqërinë ku jetohej në ato kohë, duke u dhënë edhe një rol politik nëpërmjet të cilit tregonte se nuk donte të qëndronte e mbyllur në kafaz. Për ne ky ishte një tjetër prej atyre mesazheve që donim ta përcillnim me anë të përzgjedhjes sonë”.

 

Kush ishte Xhanfize Keko?

Xhanfize Keko, Artiste e Popullit, regjizore dhe skenariste e mirenjohur shqiptare, lindi në qytetin e Gjirokastres më 27 Janar të vitit 1928. Nga  viti 1945 ajo do të fillojë punën si bileta-shitëse pranë kinema “Republikës”.Falë kësaj punë ajo do të zbuloj kinematografinë dhe do të dashurohet pas saj. Kështu në filmin 1950 do të fillojë punë në Ndërmarrjen Kinematografike dhe së bashku në një grup prej shtatë vetash, ku dallohen Endri Keko, Petraq Lubonja, Sokrat Musha, Jani Nano, Koço Tollko, etj, kryen një specializim në Moskë (Rusi), ku do të njohë edhe shokun e vet të jetës regjisorin e njohur Endri Keko. Me kthimin i saj në Atdhe në vitin 1952 do të jetë një nga shtatë themeluesit e Kinostudios “Shqipëria e Re” ku ajo fillimisht e nis punën si montazhiere dhe më pas si regjisore të filmave dokumentarë. Filmat i saj të parë si regjisore e montazhiere do të jetë në vitin 1952 me dokumentarin “Festivali Folklorik” dhe “Kongresi i 3 i PPSH-së”. Pas një përvoje dhe eksperience gati 20-të vjeçare ajo realizon si regjisore filmin e saj të parë për fëmijë duke qenë dhe e para regjisore në Shqipëri. Kështu në vitin 1971 nisin xhirimet e filmit “Kryengritje në pallat” që do ti jepet publikut në vitin 1972. Më tej do të vazhdonin filma të tjerë si “Mimoza llastica”, “Beni ecën vetë” film i cili do të vlerësohet me Kupën e Festivalit të Parë të Filmit Shqiptar, “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Një vonesë e vogël”, “Taulanti kërkon një motër” etj. Filma këto që do ta bënin të njohur dhe të dashur si për publikun e vogël por edhe për atë të rritur. Me këto filma Xhanfize Keko do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivale të ndryshme Ndërkombëtare ku do të vlerësohet me Çmime e Tituj duke qenë kështu dhe regjisorja e parë shqiptare që do të ketë vlerësime ndërkombëtare. Kështu : filmi “Beni ecën vetë” do të marrë “Medaljen e Nderit” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj “Giffoni Film Festival”, në Itali, në vitin 1976 dhe Çmimin e “Organizatës së Pionierit” si “Filmi më i Mirë për Fëmijë” në Festivalin e Filmit në Beograd, filmi “Tomka dhe shokët e tij” në vitin 1978 në Festivalin e Filmit për Fëmijë dhe të Rinj në Xhifone të Italisë fiton Çmimin Special, filmi “Pas gjurmëve” në vitin 1979 fiton Medaljen e Presidentit të Republikës Italiane, filmi “Kur po xhirohej një film” në vitin 1983 vlerësohet me “Medaljen e Argjendtë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj “Giffoni Film Festival”në Itali. Por edhe në Atdhe ajo do të vlerësohej për punë e saj të madhe në kinematografinë për fëmijë. Kështu përveç Kupës së Festivalit për filmin “Beni ecën vetë” do të vlerësohet në Festivalin e Tretë të Filmit Shqiptar në vitin 1979 me “Çmimin e Tretë” për filmin “Pas gjurmëve”. Do të vlerësohet me “Çmimin e Madh të Republikës” në vitin 1979. Në vitin 1979 do të vlerësohej me titullin “Artiste e Merituar” ndërsa 5 vjet më vonë do ti jepej edhe titulli i lartë “Artiste e Popullit”.
E martuar me regjisorin e njohur Endri Keko ishte nëna e dy fëmijëve e Teodorit, shkrimtarit të njohur, të ndarë para kohe nga familja e tij dhe e Ilirit.
Ndahet nga jeta në 22 Dhjetor 2007.
Për nder të saj Çmimi Special i Festivalit të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj “Giffoni-Albania” është titulluar “Çmimi i Madh “Xhanfize Keko” ”.

Këshilli Bashkiak i Gjirokastrës e ka nderuar me titullin e lartë ‘Qytetare Nderi’./gjirokastraonline

 

 

 

Please follow and like us: