Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Se mos na e sjell Vuçiçi të këndojë në Tiranë…

 

Shtypi rus njoftoi në datën 15 prill se këngëtarja e njohur serbe Ivana Zhigon publikoi në datën 15 prill një video, ku shpreh solidaritetin me Rusinë dhe marinën ushtarake ruse dhe hidhërimin e saj për mbytjen e kryqëzorit flamurmbajtës “Moskva” të Flotës Luftarake Ruse të Detit të Zi, i cili u mbyt gjatë luftimeve me forcat mbrojtëse të Ukrainës. Këngëtarja serbe i drejtohet marinës ruse, që po lufton në Ukrainë: “Të dashur marinarë, ju faleminderit për çka po bëni për planetin Tokë, për njerëzimin. Ushtria ruse po mbron të vërtetën dhe drejtësinë për gjithë botën. Populli serb është me ju në këto minuta të rënda”.

Këngëtarja serbe kujton në video se ka dhënë koncert në kryqëzorin “Moskva” para një viti dhe se ka kënduar para marinarëve rusë këngën “Oj Kosovo, Kosovo”! Meqë disa zyrtarë në Tiranë nuk e dinë se ç’është kjo këngë serbe, po citoj vetëm një strofë ku thotë: “Gjithë serbët thërrasin ne nuk jua japim Kosovën! Ka qenë gjithmonë e jona dhe në shekuj e jona mbetet”! Këngëtarja Ivana Zhigon drejton shoqatën e miqësisë Serbi-Rusi.

Po e shpërndaj këtë informacion për këngëtaren e njohur serbe se mos presidenti Vuçiç ia sugjeron qeverisë së Shqipërisë që ajo të vijë në Tiranë të këndojë për “Ballkanin e hapur” këngën serbe “Oj Kosovo, Kosovo”! Njoftimin e bëj edhe se mos ndonjë kozmopolit narcist në qeverinë e Shqipërisë, për inat të Kosovës e fton Ivanën të vijë në Tiranë.

Thjesht për krahasim se ku qëndron këngëtarja serbe: rreth 20 mijë artistë rusë kanë kërkuar me peticione që forcat ushtarake ruse, që po luftojnë në Ukrainë, të largohen menjëherë nga Ukraina.

Zot, ruaje Shqipërinë nga Ivana dhe Ivanët rusë, serbë dhe shqiptarë!/gazeta dita

Please follow and like us: