Nga ekspertja e edukimit Ana LLAZO: Gjuha e huaj si kriter punësimi
Individët të cilët kanë aftësi dhe njohje në shumë gjuhë të huaja kanë mundësi të jenë më konkurrues në tregun e punës dhe të kenë më tepër mundësi punësimi.
Sot për shkak të rritjes së investimeve të huaja në Shqipëri njohja e gjuhëve të huaja është një nga kriteret e rëndësishme për t’u punësuar, kryesisht dominojnë kërkesat për gjuhën Italiane dhe Angleze.
Turizmi është një sektor tepër i rëndësishëm në ekonominë e vendit tonë, pasi me promovimin e atraksioneve turistike është rritur dhe numri i turistëve të huaj, ndaj dhe bizneset që operojnë në këtë sektor kërkojnë të rekrutojnë punonjës të cilët njohin të paktën anglishten si gjuhë ndërkombëtare.
Në ditët e sotme për shkak të globalizimit dhe zhvillimit të teknologjisë çdo i papunë ka mundësi të punojë në distancë mjafton të jetë njohës i mirë i gjuhëve të huaja.
Pra, mund të themi se gjuhët e huaja shërbejnë si element i rëndesishëm punësimi jo vetëm në tregun vendas, por edhe në tregjet ndërkombëtare.
Arsyet përse na ndihmojnë gjuhët e huaja në tregun e punës:
- Kompani të cilët kërkojnë të jenë konkurrues në treg preferojnë punonjës të cilët dinë disa gjuhë të huaja sepse kjo përkon me objektivat që ka kompania për të gjetur tregje të reja për të bërë biznes.
- Në Shqipëri nëse je i papunë por je njohës i gjuheve të huaja dhe për më tepër nuk ke kryer arsimin e lartë, ke mundësi të punësohesh në “Call Center” apo në ato biznese ku gjuha e huaj është kriteri më i rëndesishëm i punesimit.
- Nëse je njohës i një gjuhe të huaj ke mundësi të trajnohesh jashtë vendit për të zhvilluar aftesitë profesionale.
- Një nga kriteret për të aplikuar në studimet pasuniveristare pra: master apo doktoraturë është mbrojta e gjuhës së huaj. Sipas Ligjit për Arsimin e Lartë kandidati duhet të njoh një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, e vërtetuar përmes testeve të njohura ndërkombëtarisht në përputhje me udhëzimin përkatës të Ministrisë përgjegjës për arsimin.
- Një individ i cili njeh gjuhë të huaja ka mundësi të njohë kulturën e punës së një vendi tjetër dhe të rris aftësitë duke lexuar literature profesionale dhe duke ndjekur video tutoriale të ndyshme që e aftësojnë profesionalisht.