Albspirit

Media/News/Publishing

Pirandello – Mund t’i ëndërrosh gratë, ama dhe ato u ngjajnë ëndrrave!

[Luigi Pirandello (1867-1936) – Çmimi Nobel për Letërsi, 1934 – në foto: Pirandello dhe Ajnshtajni në v. 1935 ]

 

Pirandello – Mund t’i ëndërrosh gratë, ama dhe ato u ngjajnë ëndrrave!
(sguraziu – ars poetica, k 2021)

(madje dhe medaljen e Nobelit do ia dhuronte qeverisë fashiste…)

…sido që t’na shpaloset realiteti i jetës dhe i historisë, mbase ia vlen të shkruajmë, assesi s’bën të zhgënjehemi, s’bën t’na duket “humbje kohe”, jo bash gjithkush do nderohet me Nobela por s’kemi pse aspirojmë gjëra që nuk i kemi në dorë, s’duhet as të brengosemi për mungesë lexuesish, le t’mungojnë dhe në Fb, edhe “social-izmat” e internetikës i kanë hujet e veta, dinamizmi i gjithçkaje i nënshtrohet ligjeve të cilat ne mund t’mos i kuptojmë, janë të pakapshme për ne, mund t’jemi ekspertë të shkrimtarisë… por dhe mënyra si e përceptojmë botën mund t’jetë vetëm diç si ëndërr, mund t’jetë idealizim i mbarsur me iluzion, s’përjashtohet mundësia shpesh dhe lajthitje, ndodhë t’jenë “lajthitur” madje dhe vetë nobelistët…

…sidoqoftë, ia vlen të “ngushëllohemi” me dimensionin oniristik, ata që merren me shkrime e kanë sadopak të sigurt që ndonjë detaj i ëndrrave megjithatë mbijeton, regjistrohet diku në arkivat oniristike të kohës, dhe vetëm kaq në fakt do duhej t’ishte diç si mirënjohje a shpërblim, njësoj siç fotot i ruajnë “kujtimet” dhe të kaluarën e pamjes sonë, edhe ruajtja e çfarëdoshme e ëndrrave, e scribo-veseve, e “memories” sonë nëpër letrat e zverdhura, është supozuar t’jetë nder dhe nderim : )

***
…”dashuria ime e vërtetë gjithmonë ka qenë gjumi që më shpëtonte, duke ma lejuar të ëndërroj” – pati thënë nobelisti Pirandello – e qartë se gjumi dhe ëndrrat ia sillnin “shpëtimin”, se ç’do ketë ëndërruar nobelist-letrari s’kemi si ta dimë, por dihet se dikur i adhuronte fashistët, më vonë sikur qe zhgënjyer nga “absurditeti” i politikave dhe secilën herë e më tepër thuase do merrej me “psiko-analitikat” ( s’di pse më bëhet që mund ta ketë lexuar dhe “Interpretimin e Ëndrrave” të Frojdit, s’jam i sigurt, natyrisht, por : )

…më vonë pati deklaruar se i pëlqen “apolitizmi”, se nuk i interesojnë politikat, mirëpo dihet që i pati shfrytëzuar shumë “favore e beneficione miqësore” nga Musolini, madje dhe Nobeli i pati “ardhur” pas nominimit nga qarqet e larta akademike pro-fashiste – atëbotë, nga qarqet e lidhura me qeverinë (nga pro-fashistët e kulturës italiane) librat e tij qenë promovuar gjithandej nëpër botë, thuhet madje se dhe medaljen e Nobelit do ia dhuronte qeverisë fashiste (që të shkrihej e të shfrytëzohej për financimin e kampanjës ushtarake rreth okupimit të Etiopisë, 2-3 vite më vonë do ishte e “njëjta” Itali fashiste që do ta pushtonte dhe Shqipërinë)…

…kuptohet, s’kemi si ta dimë se çfarë do ketë ëndërruar Pirandello, gjithsesi njëherë tjetër qe shprehur se “gratë u ngjajnë ëndrrave, kurrë s’janë ashtu siç do doje të ishin” – veç e thamë atje lart, është nder që letrat dhe letërsia e ruajnë “memorien” tonë, aty-këtu copëza ëndrrash të shkrimtarëve na shpalosen nëpër shkrimet e tyre, tërthorazi na bëhet e “ditur” se Pirandello medoemos do i ketë ëndërruar dhe gratë:)

Please follow and like us: