Albspirit

Media/News/Publishing

Hapen për herë të parë arkivat otomane në Malin Atos

Zbulimet e para kundërshtojnë narrativën historike – dëshmojnë marrjen në mbrojtje nga sulltanët dhe Perandoria Otomane të këtij vendi të shenjtë të komunitetit ortodoks

Nga Ruben Avxhiu

Mali Atos, Mali i Shenjtë i Ortodoksëve, që ndodhet në Greqi, e që funksionon si njësi vetëqeverisëse, përmban në arkivat e tij dokumente që janë thesare për të njohur këtë pjesë të botës në vitet e Mesjetës.

Një nga pasuritë më pak të njohura e të studjuara të këtyre arkivave janë mijëra dorëshkrime të periudhës otomane. Të ruajtura në formën e tyre origjinale, në gjuhën otomanishte të vjetër, ato përmbajnë dokumente zyrtare të kohës, fermane sulltanesh plot zbukurime e me kaligrafinë e monumentale të asaj kohe. Përfshijnë dekrete, dokumente pronash, vendime gjyqesh etj.

Data e këtyre dokumenteve fillon që nga fundi i shekullit të 14 e vijon deri në rënien e perandorisë.

Studjuesi i periudhës bizantine Jannis Niehoff-Panagiotidis është ndër të parët që po zbulon përmbajtjen e rreth 25 mijë dokumenteve të arkivuar, në Malin e Shenjtë të ortodoksëve.

Në një intervistë me Associated Press, ai thotë se dokumentet më të vjetra i përkasin periudhës 1371-1374. Kjo e bën këtë masë dokumentesh më të vjetrin arkiv otoman në dispozicion. Zakonisht arkivat otomane, thotë ai, fillojnë nga koha pas pushtimit, në 1453, të Kostandinopojës, Stambollit të sotëm, i cili u kthye në kryeqytet të Perandorisë Otomane dhe në qendër të arkivave perandorakë.

Studjuesi tjetër që po bashkëpunon në hulumtimin e këtyre dokumenteve të rralla është Anastasios Nikopoulos, jurist dhe bashkëpunëtor shkencor.

Që të dy japin mësim në Universitetin e Lirë të Berlinit. Prania e Nikopoulosit është e domosdoshme sepse shumica e dokumenteve në fjalë janë të natyrës juridike.

Zbulimet e tyre kundërshtojnë narrativën historike greke e serbe, të një pushtuesi otoman që të vendosur për të shkatërruar krishtërimin ortodoks, që pas pushtimit, konfiskon manastiret e Malit Atos dhe bastis pasuritë e shenjta.

Përkundrazi, duket se Perandoria Otomane e ka marrë nën mbrojtjen e saj komunitetin e murgjve dhe priftërinjve ortodoksë të Malit të Shenjtë, duke ua njohur autonominë dhe duke garantuar sigurinë e tyre nga ndërhyrjet e jashtme.

“Firmanet e Sulltanëve që kemi parë në kullë… dhe vendimet e gjykatave të shtetit otoman dëshmojnë se demokracia e vogël e murgjve gëzoi respektin e pushtuesit”, thotë Nikopoulos për Associated Press.

Sipas tij, një nga veprimet e para të Sulltan Muradit II, sunduesi otoman që  pushtoi Selanikun dhe rajonin ku ndodhet Mali Atos ishte hartimi i një dokumenti ligjor që merrte në mbrojtje komunitetin dhe vendin e shenjtë ortodoks.

“Kjo është shumë domethënëse”, thotë ai. “Vetë sulltani otoman garantonte që sistemi administrative në Malin Atos të ruhej e të mbrohej”.

Studjuesi Niehoff-Panagiotidis pohon të njëjtën gjë, duke treguar rastin e ndëshkimit të rëndë që pësuan disa ushtarë otomanë për disa vjedhje të vogla në një prej manastireve.

“Mund të duket e çuditshme, por otomanët nuk vendosën asnjë ushtar në Malin Atos. Maksimumi mund të kenë pasur një përfaqësues që mbase jetonte në qendrën administrative në Karies dhe e kalonte ditën duke pirë çaj.”

Një tjetër zbulim i papritur për studjuesin Niehoff-Panagiotidis ishte mungesa e plotë në dy shekujt e parë të sundimit otoman për të imponuar ligjin islamik, në Malin Atos apo në rajonet fqinje të Greqisë Veriore.

Autonomia e Malit Atos është nga më të vjetrat në botë. Siguruar për herë të parë me një dekret të Perandorit Bizantin Bazili II në vitin 883.

Pothuajse të gjitha rregullat e hershme të organizimit të komunitetit të murgjve kanë mbetur të pandryshuara deri në ditët tona. Një prej tyre është që gratë nuk kanë të drejtë të shkelin në Malin Atos. Një rregull që vijon të zbatohet me rreptësi.

Dy studjuesit synojnë që një ditë të gjitha këto materiale të dixhitalizohen e të bëhen të shfletueshme e të lexueshme për studjuesit nga e gjithë bota.

Lajmin e plotë, në anglisht të agjensisë së lajmeve Associated Press, mund ta lexoni këtu: https://apnews.com/article/greece-europe-middle-east-religion-24d031814286f0ba905a5cdb92c6c856

Please follow and like us: