Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Unë dua të protestoj!

 

 

Unë dua të protestoj,

Do të bëj çdo ditë miting,

Gjithë pastruset e vendit,

Të kalojnë në veting.

 

Unë dua të protestoj.

Me protesta kurrë s’u ngopa,

Gjithë pastrueset për zyrtarët,

Të na i dërgojë Europa.

 

Unë dua të protestoj,

Kemi halle të mëdha,

Sepse pagat për zyrtarët

Duhen rritur edhe ca.

 

Unë dua të protestoj,

Ta tund vendin si tërmet,

Atij që nuk di të vjedhi,

Mos t‘i jepet punë në shtet.

 

Unë dua të protestoj,

Veç në emër të lirisë,

Gjithë gjyqtarët miliardierê,

Të jenë “Nderi I Shqipërisë».

 

Unë dua të protestoj,

Bëni dhe ju siç bëj unë,

Të hiqet ndihma sociale,

Për gjithë njerëzit e papunë.

 

Unë dua të protestoj,

Sepse s’më pëlqen kjo punë,

T’i ulet rroga punëtorit,

Të kemi taksa më shumë.

 

Unë dua të protestoj,

Le të lehin gjithë marrët

Ç’ka mbi tokë e ç’ka nën tokë,

Ta marrin qeveritarët.

 

Unë dua të protestoj,

Çdo mëngjez sapo zbardh dita,

Mjaft vodhën këta që janë,

Të vjedhi dhe opozita.

 

Unë dua të protestoj

Se kështu nuk mund të rri,

Të mos kemi sindikata,

Të kemi më shumë parti.

 

Unë dua të protestoj,

E quaj protestën nder,

Që ministri për financat,

Të mos jetë kurrë financier.

 

Unë dua të protestoj,

Të mos e ndryshojmë gjirizin,

Për ata që na sundojnë

Ta ulim më shumë kurrizin.

 

Unë dua të protestoj,

Gjoksi me dufe m’u mbush,

Nëse s’është ajri i ndotur,

Të mos marri fryme askush.

 

Unë dua të protestoj,

Le të thonë u bë i lig,

Ç‘janë hajdutë dhe kriminelë

T’i kemi ne politikë.

 

Unë dua të protestoj,

Dhe askujt nuk i hap rrugë

Ata qe s”paguajne drita,

Duhet të kalben në burg.

 

Unë dua të protestoj,

Kapitull të ri do çel,

Që populli ynë shqiptar,

Të mos jetë kaq shumë rrebel.

 

Unë dua të protestoj,

Se na mbytën sharlatanët,

Të ketë veting për të varfërit,

Dhe jo për politikanët.

 

Unë dua të protestoj,

Anembanë të shkojë jehona,

Që gjithë klasës politike,

T’i japim nga ditët tona.

Please follow and like us: