Albspirit

Media/News/Publishing

Vlora Obertinca: Bukuria njerëzore buron nga sytë…

“Secila qenie njerëzore ka antenën e vet nëpërmjet të cilës transmeton dhe pranon mesazhe në mjedisin jetësor”, Vlora Obertinca.

“Një thënie e vjetër amerikane thotë ‘the beauty is in the eyes of the beholder’ – ‘bukuria buron nga sytë e shikuesit’, thënie kjo që ka për qëllim të na tregojë se, bukuria e jonë e brendshme rrezon jashtë nëpërmjet syve tonë. Kjo do të thotë se, atë  energji që e kemi brenda, po e njëjta energji përcillet jashtë tek të tjerët në momentin e parë që flasim. Sikur, edhe të mundohemi ta fshehim helmin brenda nesh, duke u munduar që t’i zgjedhim fjalët më të bukura është e kot, sepse fuqia e fjalëve të folura nuk përkon me nivelin e frekuencës adekuate të transmetuar, e cila do ta bënte tjetrin ta ndjejë sinqeritetin e fjalëve të folura.

Fjala e folur ka frekuencë transmetuese që përcillet deri te frekuencat pranuese të dëgjuesit, trasmetim ky që duhet të jetë në frekuenca të njëjta.

Bie fjala, gruaja del për ta takuar burrin gjatë kohës së drekës. Në vendtakim, gjen të ulur bashkëshortin me një shoqëri të gjerë në mesin e të cilëve është edhe një femër e cila prezantohet si ‘shoqe e dikurshme’, e cila madje ka dhe një fëmijë  me vete që lozin vërdallë, ngase në ndërkohë është martuar me dikë tjetër.

Në momentin që fillon biseda, gruaja e kupton me automatizëm nga fjalët e folura të ‘shoqes’ drejtuar bashkëshortit të saj se nën hije dikur duhet të ketë pasur lidhje intime në mes të tyre.

Kjo sepse, gjatë bisedës energjia stonuese e fjalëve të ‘shoqes’ kur e shikon në sy ish të dashurin e saj, transmeton frekuencë tjetër nga ajo që flet. Këtu lind pyetja, pse vallë ka nevojë njeriu të gënjejë? Nuk ka asgjë të keqe të bëhet prezantimi real, gjë që në 90% të rasteve mungon, duke u munduar të shmanget një konflikti i mundshëm dhe i panevojshëm. Kjo është gabim sepse aty lind mosbesimi i cili do ta përcjellë çiftin gjatë dhe si pasojë e kësaj mund të vije edhe deri te ndarja.

Sinqeriteti i mirëfilltë gjen gjithmonë gjuhë të përbashkët dhe mirëkuptim.

Do të ishte mirë, sikur çiftet të jenë të sinqertë me njëri tjetrin. Kjo sepse sinqeriteti për një të kaluar është bazë për një të ardhme të shëndoshë të raportit ndër njerëzor.

Zgjidhni sinqeritetin dhe shoqërojeni me fjalë të dashura, në mënyrë që të keni një lidhje të qëndrueshme, të përcjellë me besim të ndërsjelltë dhe dashuri për njëri-tjetrin”.

Please follow and like us: