Fritz Radovani: Ky ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, 6 MAJI 1405 – 17 JANAR 1468)
NGA AT GJERGJ FISHTA O.F.M.
“IN HOC SIGNO VINCES”
(ME KET SHENJ KE ME FITUE)
Në fillim të shek. XV Turqit sulmojnë Evropen dhe shkretnojnë fise e mbretni. Fatosi i Krujës përballë rrezikut, qi i kercnohej Shqypnisë, i drejtohet Hyjit edhe e lutë qi mos të premtonte, qi Shqypnija të bije ndër kthetra të Turqve. Lutja e tij prekë të Amshuemin, i cilli i dergon së nalti Flamurin Kuq e Zi, emblemë bashkimi e vetsundimi. Me atë flamur në dorë, Skanderbegu, i mberthyem në armë, qet kushtrimin. Shqyptarët rrâjnë (nisen) menjiherë, kështu nisë lufta e tmershme dhe Turqvet u thehet sulmi. Në dorëshkrim, qi ban Poeti, e ka datën 20/11/1919.
At Viktor Volaj OFM. 1941.
- Tue zbardhun mosha dhetepesët e jona
Atje prej shtojesh s’ Anadollit t’ plleshem
Hanza pergjakshem nisë mbi Europë t’ kukzohet.
Ishte zot-madhi i Turqvet, qi në krye
- Të ma s’ rrebtes ushtri së jetës s’ atëhershme
Ujnat e njelmta dilte t’ Helespontit,
Edhe betohej n’ mni të vet mizore,
Se shpirti trupit s’ do t’i dahej para
Se hanzen t’ ngrifte mbi Sh’ Sofi t’ Bizantit
- E n’ Sh’Pjeter t’ Romës tagji t’i vête kalit.
E pse ai burrë dokrrash e pallavrash s’ ishte,
Perpara tij ran frone e ran therore;
U rroposen mbretni e u shkimen fise,
E as bar ma s’ bijti andej ka ’i shkeli kamba.
- Greku, Bullgari humben, humbi Serbi,
– Humbi, po, Serbi, madhështija e t’ cillit,
Qatje te e vona boten mbarë në zi
Do t’a pshtiellte. – T’ felgruemun drojet, shuejten
Zanin mbretent e Europës. Zâmaret eshten,
- Eshti edhe kanga e nji mjeri e shemtueme,
I ra mbarë dheut.
Kur, qé, mbi kep të Kruejës
Titanike po del nji hije burri,
Vetllat ngerthye, si dy hulli rrufeje,
Me do sy zjarmi e ‘i mjekerr t’ thijtë, e cilla
- Shllungë gjatë nofllash i derdhej, si ajo njegulla
Rreth njaj curri s’ thepisun. M’ krye trishtueshem
Flakë i shkelqan tarogza brynatake,
Qi, tmershem ka ‘i vezllon nen rreze t’ diellit,
Kometë zharitse dan nder sy t’ anmikut.
- Ai asht fatosi i ndiemun Gjergj Kastrjota,
I Madhi Gjergj Kastrjota Skanderbegu,
Qi, pre’ atij kepi, si nji shqype mali
Kundron kah forca e barbaris lindore
Shkon tue rrëmbye mbretni e fise e popuj,
- E gjithshka t’ mbarë perftue kisht’ mendja e nierit;
Si rribë Verit, qi rêt i fshin prej qiellit
E e lên token me u tha. Edhe tue pamun
Se anmiku i rrebtë i gjytetnis njerzore
Po nisë per s’ afermi Shqypnis t’ kercnohej
- E se prej nierit s’ kisht’ pse ndimë me pritun,
Çon syt kah qiella, e zemra gjak tu’ i shkue,
“O Zot! – gerthet, – O Zot i Madhi i Ushtrivet!
E po a njimend se ma s’ do t’ ket Shqypnija
Nji vend ku me t’ u lutë?… E se grat t’ona
- Djepat n’ Azi mbas sodit do t’ perkundin?…
E se Shqyptari tokën do t’ punojë
Veç per me kndêllun n’ mish gocat qerkeze,
Qi nji Tirani t’ i sherbejn ma kandshem?
Oh! Pse ia mbrrim ksajë dite, e s’ ka shperthye
- Toka q’ me kohë, me na perpi per s’ gjalli!
Ti, o Zot i Madh i Ushtrivet, Ti prej qiellet
Zemer e forcë m’ dergo, qi ktij Tartari
Barbar un t’ ia diftoj, se Shqyptarija
S’ merret pa gjak, e se per Fé e Atdhé
- Din t’ desë Shqyptari”. Permbi flatra
Të bardha t’ Fés kjo lutë u çue kah qiella
E i shkoi n’ vesh Perendis’ e e preku n’ zemer.
I Amshuemi, atëhera, prej visarit t’ qiellvet
Xjerrë nji pelhurë të njyme “kuq e zi”,
- Qi Engjuit vetë n’ Parriz endun e kishin:
E mbasi e puthë i Lumi e ven në ball,
Nji Kerubini t’ lehtë i urdhnon tu’ thanun,
“Na, e ketë Flamur Skanderbegut çoja
Atje poshtë n’ Krue, e thuej prej ane s’eme,
- Se dersa t’ rrije tok fisi i Shqyptarit
Nen hije t’ ktij emblemi t’em t’ bekuem,
Zot m’ vedi e i lirë gjithmonë ai ka me kenun”.
Kshtu tha i Amshuemi; e ai Kerubini i qiellvet
Palosun m’ parsme Flamrin e Shqypnis,
- Hapë flatrat e prarueme, e poshtë Empirit
Zhgjetë nper nji rreze drite dirgjet n’ Krue.
Ku Skanderbegut n’ dorë dhantin e Zotit –
Flamurin e Shqypnis – ia nep e kshillin
E t’ Lumit ia difton: Se si Shqyptari
- Zot m’ vedi e i lirë gjithmonë do t’ mund qindroje.
Si ai nieri, qi trishtue njaj andrre s’ keqe,
Kur gjumi i del, me vedi xen e gzohet,
Se n’ hije e jo njimendtë iu tfaq rreziku:
Kshtu Skanderbegu nisë me u gzue me vedi,
- Si Lajmi i qiellvet n’ dorë ia dha Flamurin
E i tha se per nën hije t’ tij Shqypnija
E lirë e zojë m’ vetvedi p’rherë do t’ jitte.
Edhe armatiset Burri i dheut krejt m’ hekur,
Njeshë pallen n’ ijet – pallen t’ rrebtë mizore,
- E m’ patershanë, me pafta arenzit t’ mathne,
Njet Flamurin kuq e zi, qi vetë i Amshuemi
E kishte puthë, edhe mbi shpinë të kalit,
Qi, fry turijt, njuhatte erë të gjakut,
Hidhet porsi duhi e rrebtë. Prej millit
- E xjerrë pallen mizore, e drejtë kah qiella
Heshten e ngrehë. Nji fllad i lehtë, i ambel –
Flladi i Dashtnis – po e zhdrivillon Flamurin.
– Flamurin e Atdheut t’ em – qi tue gufue
Mallnueshem nepër ajr të lirë t’ Shqypnis,
- Nisë me u valvitë si fleta e Kerubinit,
Si njai skundilli i petkut t’ Perendis,
Qi, mirë qendisë me hana, hyj e diella,
Prej krahvet t’ amëshuem e t’ gjithpushtetshëm
I mvaret poshtë neper hapsi t’ Empirit,
- Kah, pshtetë m’ stuhi e m’ flatra t’ rribës s’ murranit
Sheston boshtin e moknes s’ rrokullis.
E ashtu n’ atë dukë të rrebtë e t’ perfrigueshme
Me ‘i za, si tue ulrue, prej kepit t’ Kruejës
Po u thrret Shqyptarvet t’ vet e u thotë: “Ktu burra!
- Ktu eni, o bijt e Malevet! Shqypnija
Gjindet n’ rrezik!” N’ atë bulurimë ushtuene
Malet e fushat e Shqypnis kreshnike,
Edhe nji çetë e vogel homeridash,
– Burrash si motit veç qi bate nana –
- Per rreth tij mblidhen, e nen hije t’ Flamurit
Nji bé të madhe bajn e lidhin besen,
Se i pllâmë toket t’ Atdheut s’ ia lshojn Tartarit,
Po s’ e lán’ para me gjak t’ tij t’ perdhosun.
T’ forcuem me atë bé, t’ forcuem me shejtni tagresh
- E shpresë m’ Zotin tue mbajtë e m’ krah të vetin,
Me Flamur kuq e zi zhdredhun perpara,
Poshtë errmorevet t’ malevet t’ thepisuna
Si rreshme boret prej ndo ‘i kulmi t’ rryeshem,
Rrâjn fulikare permbi rradhë t’ Turqvet,
- Të cillt, prej s’ largut tue ua pamun hovin,
Thonë se kulshedra me dragoj po u turret.
Edhe mnershem nisë lufta titanike.
Kah t’ idhta shpata, kah gjakbâset heshta
Çeken nder shkndija me vringllimë t’ trishtueshme,
- E bumbullojn henike edhe gopedra,
E vrrasin keqas të varruemt per dhé.
Kaq nji zhurmë, nji rropame e ‘i vigmë e kobshme
Çohet per ajr të terratuemun pluhnit,
Qi rreth e rrotull t’ tanë dridhet Balkani.
- Shkon gjaku rrkajë. T’ tanë fusha e gjanë e Dibrës
Me kurma t’ zeshkët barbarësh asht mblue. Hidhet,
Hingllon, trumhaset kali i Skanderbegut,
Kah thundra e mbathne kthellë i humbë në dhé
Të rijtun m’ gjak t’ barbarit. M’ dhambë brén buzen,
- Atëherë zot-madhi i Turqvet pendohet
Qi i ra kurr n’ mend t’ mësyjë Shqypnin mizore.
E sheh, po, vetë gjakbâsi, se rob s’ bahet
Ai dhé, ku Flamri kuq e zi valvitet.
At Gjergj Fishta, 20 Nandor 1919.
………………………………………..
Foto në Muzeun e Vienës
Shënim nga F.Radovani: Botohet në diten që asht le Heroi Kombtar Gjergj Kastrioti –Skenderbeu, me 6 Maji 1405.
Melbourne, 6 Maji 2023.