Libri i ri i Shaban Muratit “Antitabu për filozofinë filotabu shqiptare”
Doli nga shtypi libri i ri i diplomatit dhe studjuesit Shaban Murati “Antitabu për filozofinë filotabu shqiptare”, sponsorizuar nga Fondacioni i mirënjohur Çamëria “Hasan Tahsini”.
Libri përmban sinteza, mikroese, koncentrate analizash, sinopse, fokusime, etj. në të gjithë dinamikën dhe problematikën historike dhe aktuale të shoqërisë shqiptare.
Autori zbërthen me tematika konkrete dhe me çfaqjet e tyre konkrete tabutë e ngurosura në llojet e mendimit, në konstitucionin shpirtëror dhe psikomental të popullit dhe të të filozofuarit shqiptar, dhe që përbëjnë pengesën më të madhe sot për zhvillimin e gjithëanëshëm të shoqërisë shqiptare.
Qëllimi i librit është të thyejë rrjetin e thellë dhe të gjërë të tabuve, që karakterizojnë jetën shqiptare dhe mendimin shoqëror shqiptar. Libri përfaqëson një ngulmim intelektual për të trokitur dhe për të hapur dyert e rënda të tabuve të shumta, që prangosin sot mendimin dhe shoqërinë shqiptare.
Tabu të krijuara nga historia e dhimbshme e pushtimeve të gjata prej mijëra vjetësh. Tabu të krijuara nga varfëria proverbiale e kombit tonë dhe nga prirja e detyruar e mbijetesës në guaskën e mbylljes në vetvete.
Tabu të krijuara nga imponimet e mentaliteteve dhe kulturave heterogjene të të gjitha pushtimeve të tokës arbërore në dy mijë vjet.
Tabu të krijuara nga niveli i ulët kulturor dhe nga rrethimet gjeografike dhe shpirtërore. Tabu të ngurtësuara nga baza e pashërueshme tribale e shoqërisë dhe mburravecëria e mendjembylljes lokaliste shqiptare.
Tabu të krijuara nga regjimet autokratike dhe udhëheqësit autokratë në gjithë historinë e shtetit shqiptar. Tabu të injektuara nga shtetet fqinj, që nuk kanë dashur kurrë që Shqipëria të ecë në një hap me botën.
Tabu, që nuk u përpoq t’i thyejë as sistemi demokratik pas shembjes së komunizmit dhe që për fat të keq vegjetojnë dhe janë norma etike dhe jetese në ditët e sotme. Tabu, të cilat autokratizmi tipik i udhëheqjeve postkomunistë i përdori si instrumente të sundimit të tyre absolutist në dëm të demokracisë dhe të progresit të jetës së popullit dhe të mendimit shoqëror.
Autori synon të krijojë nxitje në mendimin dhe në institucionet mendimore me mesazhin kryesor të librit është se pa thyerjen dhe pa neutralizimin e të gjitha llojeve të tabuve në të gjitha llojet e mendimit shqiptar nuk mund të realizohet aspirata për një vend të denjë të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në rajon dhe në Europë.