Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Natasha Lako

KËRKOHET URGJENTISHT NJË UNIVERS TJETËR

Kërkohet urgjentisht një univers tjetër,

Thoshnin shirat, ndërrohen edhe çadrat një nga një,

njerëzit ngrohin frymën me fatin e tyre.

Edhe një çadër e vogël, m’i ngatërron mendimet,

dhe lejlekët e vegjël, që këmbehen gjithnjë.

Si t’ia bëj unë me diamantet e syve,

në këtë botë që po vjen.

 

MBI NJË LLAMBË TE RRUGËS

Mbi një llambë të rrugës bie borë, bie borë,

me vetmi të shuar, të shuar, të shuar

Unë e ndjej se e ka të pamundur të shkojë,

mbi një llambë të rrugës bie borë, bie borë, bie borë

Me vetmi të shuar, të pamundshme të ikë,

bie borë, bie bore, bie borë mbi një dritë.

 

INTERVISTË PËR PUTHJEN
Epo, po të të pyesnin për puthjen,
çfarë do të thoshe ti,
po të kërkoje punë,
sipas përvojës që nuk lë njeri në terr.
E pranoje, si një petale,
që ta pranonin, si një petale,
apo do të thoshe se puthja në vetvete është asgjë,
që të miratonin me kokë se puthja në vetvete është asgjë,
apo se puthja ka ardhur pas pyjeve të djegura e të përvëluara nga zjarri,
që mijëra vjet më parë,
por që mund të dilte gjatë intervistës bllof.
Një tundje miratuese koke, ose një dështim,
ose një mëdyshje e madhe kur puthja quhet,
e ardhur si forcë shkëmbi ose kuje, të cilat bota i njëson,
a mund ta përkeqësonte apo ta përmirësonte më tepër,
gjendjen tënde ekonomike, kredinë e madhe,
të puthjeve edhe më të mëdha.
Pyete puthjen vetë çfarë ka parë,
këtë copë të mbetur qindramijëravjeçare,
që edhe një tjetër të paktën,
puthjen, ta ketë një copë të mbetur mijëravjeçare.
Por mos i beso, torollakët,
që pyetjen për puthjen thonë mos e beso,
megjithëse është gjëja më e sigurt.

 

Post Scriptum:

Natasha Lako është autore e vëllimeve me poezi; “Marsi brenda nesh”- 1972, “E para fjalë e botës”- 1979, “Këmisha e pranverës” – 1984, “Yllësia e fjalëve” – 1986, “Natyrë e qetë”- 1990, “Thesi me pëllumba” – 1995, “Këmbë dhe duar”- 1998, “Lëkura e ujit” -2004, “Kundërpërfytyrimi”- 2016;

E romanit “Stinët e jetës” – 1977;

E përmbledhjes me esé “Energjia filmike”- 2005;

Dhe e një sërë skenareve filmash artistikë si; “Mësonjëtorja”- 1980, “Partizani i vogël Velo”-1980, “Plumba perandorit”- 1981, “Rruga e lirisë”- 1983, “Një emër midis njerëzve”- 1983, “Koha nuk pret”- 1984, “Fjalë pa fund”- 1986, “Një vit i gjatë”- 1987, “Muri i gjallë”- 1989, “Fletë të bardha”- 1990, “Lule të kuqe, lule të zeza”- 2003

 

Please follow and like us: