Albspirit

Media/News/Publishing

“Der Spiegel”/Fëmijët e rrëmbyer të Ukrainës

Nga AnnDorit Boy, Fedir Petrov & Alexander Sarovic

Der Spiegel

Është një ditë gri në fundin e marsit. Natalia Zhornyh dhe djali i saj Artem sapo janë kthyer në vendin e tyre nga Bjellorusia. Nëna tërheq zvarrë një valixhe pranë burrave me uniformë, barrierave të ndryshkura dhe piramidave prej betoni në fshatin ukrainas Domanovo. Më pas, ajo shpërthen në lot.

Udhëtimi i saj zgjati qindra kilometra, nga Ukraina në Poloni, Bjellorusi, Rusi deri në rajonin e pushtuar të Luhanskut. Dhe kthim. Por ajo ia doli. 32-vjeçarja, një grua me flokë të kuqe, arriti të kthejë në shtëpi djalin e saj 15-vjeçar. Pushtuesit rusë kishin rrëmbyer djalin, dhe nënë e bir ishin ndarë nga njëri-tjetri për 6 muaj.

Në pikën kufitare, Zhornyh rrëfen kërkimin e dëshpëruar për djalin e saj ndërsa pi disa cigare njëra pas tjetrës. Me një kapele të rrasur thellë në kokë, Artem qëndron pranë saj duke bërë shaka. Ka kohë që Zhornyh dhe djali i saj nuk kanë mundur të qeshin së bashku.

Sipas Ukrainës, që nga fillimi i luftës të paktën 19.500 fëmijë janë dërguar në konviktet e shkollave ruse apo në familje kujdestare. Në shumicën e rasteve, prindërit as që e dinë se ku gjenden fëmijët e tyre. Kievi thotë se deri më tani ka mundur të marrë vetëm 328 nga djemtë dhe vajzat e rrëmbyera.

Ekziston një traditë e trishtë e përdorimit të fëmijëve si një armë në luftë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nazistët rrëmbyen mijëra fëmijë polakë për t’i “gjermanizuar” ata. Në konflikte si ai në Republikën Demokratike të Kongos, fëmijët rrëmbeheshin për t’u përdorur si ushtarë.

Shpeshherë kjo taktikë përdoret si një mjet presioni për t’i detyruar prindërit të flasin apo për t’i demoralizuar ata. Por mbi të gjitha, synimi është grabitja e të ardhmes së një vendi. Tani, është Rusia ajo që po rrëmben fëmijët ukrainas para syve të publikut global dhe në një shkallë që nuk është parë prej vitesh në Evropë.

Kryeprokurori në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, Karim Khan, beson se Kremlini dëshiron “t’i largojë përgjithmonë këta fëmijë nga vendi i tyre”. Pak javë më parë ai ka lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për Putinin dhe Maria Lvova-Belova, komisioneren e tij për të drejtat e fëmijëve.

Gjykata i ka akuzuar të dy për përgjegjësi personale për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas. Për presidentin rus, akuza të tilla janë të pabaza. Që nga fillimi i luftës, ai ka pohuar se ekziston nevoja për të mbrojtur popullsinë “e shtypur” rusishtfolëse të Ukrainës. Ai këmbëngul se ushtarët rusë po “evakuojnë” civilët ukrainas, dhe shpëtimi i supozuar i fëmijëve ukrainas është lavdërua në mediat ruse.

Pra pushtuesi paraqitet si ndihmës. Kremlini as që përpiqet ta fshehë faktin se fëmijët ukrainas synon t’i bëjë qytetarë rusë. Putin nënshkroi një dekret në fund të majit 2022, që bën të mundur natyralizimin e shpejtë të fëmijëve nga Ukraina. Prindërit kujdestarë dhe madje edhe drejtorët e jetimoreve, shtëpive ose agjencive të shërbimeve sociale mund të aplikojnë në emër të fëmijëve.

Ai po përfiton nga fakti se në krahasim me popullsinë e vendit, në Ukrainë ka më shumë fëmijë në jetimore apo kujdestari se sa në çdo vend tjetër evropian. Shumë prej tyre nuk janë tamam jetimë. Ata mund të kenë prindër që janë të varur nga alkooli ose droga, apo që janë shumë të varfër për t’u kujdesur siç duhet për fëmijët e tyre.

UNICEF ka kritikuar kushtet e jetimoreve në Ukrainë në të kaluarën, ndërsa lufta vetëm sa e ka përkeqësuar problemin. Në kaosin e shkaktuar nga luftimet, institucionet përgjegjëse qeveritare humbën gjurmët e mijëra fëmijëve. Përfshirë atë të Artem, që siç shpjegon nëna e tij në pikën kufitare, i kishte kaluar vitet e fundit në një shkollë me konvikt në Kupyansk, një qytet i vogël në rajonin lindor të Ukrainës, Kharkiv.

Ajo ishte vetëm 17 vjeç kur i lindi djali. Ajo thotë se ajo dhe burri i saj kanë punuar në një fermë deri në orët e vona të natës. “Ne nuk ishim në gjendje të kujdeseshim për të”- thotë Natalia. Ajo thotë se Artem i pëlqente konvikti ku ai jetonte. Por më pas erdhi lufta dhe zona përreth Kupyansk ra shpejt nën pushtimin rus.

Në fillim, pushtuesit arrestuan bashkëshortin e Natalia, Maksym, duke e mbajtur në qeli për 32 ditë. Më pas në fillim të shtatorit 2002, ofensiva e ushtrisë ukrainase i kapi në befasi pushtuesit në Kupyansk dhe ata u tërhoqën me nxitim, duke marrë me vete 15-vjeçarin Artemdhe dhjetëra nga shokët e tij të klasës.

Artem u dërgua në një jetimore të vendosur në thellësi të pjesës së rajonit të Luhanskut të pushtuar nga Rusia, një rajon të cilin Putin e shpalli si territor rus pak para ofensivës. Artemdo të kalonte atje gjysmë viti. Ai kujton se godina ishte e ftohtë, ushqimi ishte i keq, ndërsa shokët e klasës e ngacmonin kur fliste ukrainisht.

Fëmijët e tjerë të rikthyer kanë raportuar se janë sulmuar fizikisht. Për shembull, një roje sigurie në një kamp veror në Krime, dyshohet se i ka rrahur adoleshentët me një shufër metalike për shkak se ata bërtisnin “Lavdi Ukrainës!”. Në tetor, kreu i jetimores në Luhansk e lejoi Artem të kontaktonte me nënën e tij, e cila e dinte tashmë se ku ishte djali i saj.

Por rruga e drejtpërdrejtë ishte shumë e rrezikshme. Prindër të tjerë që i kishin kthyer tashmë fëmijët e tyre, i rekomanduan të kontaktojnë me organizatën “Save Ukraine” me seli në Kiev.

Me ndihmën e saj, ajo shkoi në Bjellorusi përmes Polonisë. Pastaj udhëtoi nga Minsku në Moskë, dhe më pas kaloi me makinë nga Rusia Perëndimore për në Luhansk, ku mori Artem. Gjatë udhëtimit të saj, tregon Zhornyh, pretendonte vazhdimisht në pikat e kontrollit se donte të qëndronte në Rusi.

Prindërit dhe ndihmësit e tyre po heshtin mbi mënyrën se si i kthejnë fëmijët e tyre, dhe cilat rrugë përdorin brenda Rusisë, në mënyrë që të shmangin rrezikimin e misioneve të ardhshme për riatdhesimin e fëmijëve. Përveç organizatave të ndihmës dhe agjencive qeveritare, në Ukrainë, aktive janë edhe grupet e kishës dhe vullnetarët rusë.

Ndërkohë fëmijët e tjerë të rrëmbyer shfaqen vetëm në videot propagandistike ruse. Moska nisi t`i përdorte fëmijët e jetimoreve për video të tilla gjatë luftës së vitit 2014 në Donbas. Në qytetin jugor të Ukrainës, Kherson, mjekët dhe mësuesit ishin të vetëdijshëm për fatet e fëmijëve që kishin qenë në kujdestari në rajonin e Donbas.

Kështu, kur ushtarët rusë hynë në qytet në ditët e para të luftës, zyrtarët në spitale dhe jetimore u përpoqën të fshihnin fëmijët që kishin në kujdesin e tyre. Aty ku ishte e mundur, ata ua kthyen prindërve të tyre, ndërsa të tjerët u vendosën tek punonjësit e institucionit të kujdesit.

Por në jetimoren e komunën Dniprowskyy, kjo taktikë dështoi. Sot, këndi i lojërave në oborr është bosh. Pak metra më tutje, në anën tjetër të rrugës, një predhë ka hapur një vrimë të madhe në murin e një magazine. Edhe pse ata u tërhoqën nga qyteti në nëntor pas tetë muajsh pushtimi, rusët nuk janë larg dhe kanë vazhduar të bombardojnë Kherson nga ana tjetër e lumit Dnieper.

Dyert e shtëpisë janë të mbyllura dhe 48 fëmijët e moshës 1-5 vjeç që kanë jetuar këtu deri vonë janë zhdukur. Pushtuesit i rrëmbyen pak para se të tërhiqeshin, ndoshta duke i çuar në Krime. Hetuesit ukrainas dhe ndërkombëtarë janë duke hetuar aktualisht mbi këtë rast.

Please follow and like us: