Zeusi, perëndia i qiejve, i shiut, vetëtimave dhe bubullimave
Në mitologjinë e lashtë Zeusi konsiderohej “Zot i perëndive dhe i njerëzimit”, emri i të cilit do të thotë “I ndriçuari”. Ai u prezantua në Greqinë e lashtë nga imigrantët Indo-Evropianë, me siguri prej të ardhurve nga stepat mes Detit të Zi dhe Detit Kaspik.
Kulti i tij, që shumë shpejt fitoi epërsi ndaj perëndeshës së Tokës, u krijua në Greqi rreth mijëvjeçarit të dytë para Krishtit.
I quajtur “grumbulluesi i reve”, Zeusi ishte perëndia i qiejve, i shiut, vetëtimave dhe bubullimave. Për të reflektuar këto fuqi, simbolet e Zeusit ishin rrufetë, që ia përgatisnin atij Ciklopët dhe mund të përdoreshin si armë të fuqishme, si dhe shqiponja, më e madhërishmja mes shpendëve.
Përveçse Perëndia i qiejve, Zeusi ishte dhe një perëndi e rëndësishme për njerëzit, duke garantuar që qytetet të qeveriseshin me ligje dhe shtëpitë e banorëve të tyre të ishin të sigurta.
Sipas Hesiodit, Zeusi mori fillimisht për grua perëndeshën Titane të brezit të dytë, Metisin (që do të thotë Mençuri).
Sipas legjendës, pas një farë kohe, Zeusi pati një dhimbje koke të tmerrshme dhe kur Hefaistosi, Zoti i farkëtimit, ia hapi kokën me një sëpatë për t’i larguar dhimbjen, prej aty doli perëndesha Athina, krejtësisht e rritur dhe e armatosur deri në dhëmbë.
Athinaja nuk ishte fëmija e fundit e Zeusit, pasi ai ishte i famshëm për aventurat e tij, gjë që nxiste shpesh tërbimin e motrës dhe gruas së tij të dytë, Herës. Në fakt, në varësi të burimeve që u referohemi, ai pati të paktën 100 fëmijë, disa me perëndesha dhe disa me gra vdekatare.
Për shembull, Persefoni, që do të bëhej perëndesha e Hadit, ishte bijë e Zeusit, që e kish lindur me motrën e tij, Demetrën. Zeusi la me barrë perëndeshën titane Leton, me të cilën lindi Apollonin dhe Artemisën. Semele, një grua vdekatare ishte mamaja e Dionisit. Hermesi, perëndia mesazher ishte biri i tij me Majën, një Titane e brezit të dytë.
Fëmijët “legjitimë” që Zeusi pati me Herën ishin Aresi, perëndia i luftës si dhe Hebe (e rinisë) dhe Eileitia, (perëndeshë e lindjeve).
Fëmijë të tjerë të Zeusit ishin Akili, heroi i famshëm dhe Herakliu, nëna e të cilit ishte Alkmena, mbesa e Zeusit. / bota.al