Neviana Shehi: NËNA IME
Fotografia, Maj 2020.
Nëna ime tani është bërë më e bukur
ndonëse fytyra i ngjan një harte
me rrudha pa fund.
Tashmë flet më pak
është më e tërhequr
dhe një nerv i padukshëm
gjithë trupin ia tund.
Nëna ime është një banore
e heshtur
e librit të jetës.
Duke nënvizuar me heshtje
gjithçka që s’i pëlqen
flet me të vdekurit e saj
më shumë se me të gjallët
ndoshta vetëm me ta
gjen gjuhë të përbashkët.
Fle pak, shumë pak,
sepse ajo s’sheh më ëndrra
ëndrrat që kishte i dogji në vite
tashmë sytë e saj i ngjajnë
një qielli të acartë
që më shumë se me diej
është mbushur me mite.
Nëna ime është unë
në kohët e ardhshme,
por dhe një e shkuar
ngjyrë droje.
Një e nesërme e prekshme
që veç me veten matet
pak amazone e gjallë
dhe pak Helenë Troje
Nëna ime.