Fritz Radovani: Një monument nën dhé (4)
ORGANIZATA “B A S H K I M I S H Q I P T A R”
“… Kallxon nji zojë, e cila aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim personal të Sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si njiditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasatorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasatori diplomat i vjetër pan-serbian, i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni ende gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë”, duhet – vazhdoi ai “ si mbas porosisë që kam prej qeverisë seme, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” (At Daniel Gjeçaj “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare” fq. 36.).
Me datën 28 janar 1946, ora 09.00, në Kinema “Rozafat” të qytetit të Shkodrës, hapet gjyqi kundër Organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, e përbame nga ky trup gjykues: Kryetar: Mustafa Iljazi, Antarë: Namik Qemali e Tonin Miloti dhe prokuror: Aranit Çela. Në bankën e të akuzuemve ishin:
- At Giovani Antonio Fausti S.J., vjeç 46, nga Breshia, Itali.
- At Daniel Llesh Dajani S.J., vjeç 43, nga Blinishti, Zadrimë.
- Mark Ndoc Çuni, vjeç 26, nga Bushati, Shkodër.
- At Gjon Loro Shllaku O.F.M. vjeç 38, nga Shkodra.
- Gjergj Vat Bici, vjeç 26, nga Gurzi, Milot.
- Gjon Prenk Shllaku, vjeç 22, nga Shkodra.
- Ndoc Gjelosh Vata, vjeç 24, nga Gurzi, Milot.
- Preng Llesh Lezaj, vjeç 24, nga Bulger, Lezhë.
- Pjetër Gjok Ejlli, vjeç 20, nga Beltoja, Shkodër.
- Andro Lubo Petroviq, vjeç 32, nga Shkodra.
- Ernest Gjok Dema, vjeç 26, nga Shkodra.
- Gjelosh Lulash Bajraktari, vjeç 20, nga Ndreaj-Shosh, Dukagjin.
- Luigj Ndoc Kçira, vjeç 20, nga Shkodra.
- Prof. Gjelosh Lul Marku, vjeç 32, nga Kastrati, Shkodër.
- Zef Gjin Mirdita (Buka), vjeç 19, nga Shkodra.
- Gjovalin Kol Zezaj, vjeç 17, nga Shkodra.
- Nino Zef Kurti, vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.
- Myfit Qamil Bushati, vjeç 18, nga Shkodra.
- Qerim Sadik Myftari, vjeç 27, nga Vuthaj, Guci.
- Luigj Sokol Shoshi, vjeç 32, shegërt i Kaçulinit në Shkodër.
- Frano Pjetër Mark Mirakaj, vjeç 29, nga Iballe, Pukë.
- Pjetër Palok Berisha, vjeç 30, nga Shkodra, ish oficer.
- Osman Brahim Plaka, vjeç 25, nga Tirana, ish oficer.
- Pjetër Sali Pjetërnikaj, vjeç 33, nga Mërturi, Dukagjin.
- Pjetër Mark Delija, vjeç 18, nga Shoshi, Dukagjin.
- Dedë Mëhill Deda, vjeç 30, nga Palaj, Dukagjin.
- Jakë Vas Çunaj, vjeç 23, nga Bushati, Shkodër.
- Pashuk Kol Matia, vjeç 22, nga Bërdica, Shkodër.
- Pjetër Kokërr Gjoka, vjeç 27, nga Toplana, Dukagjin.
- Nik Deli Lekbibaj, vjeç 30, nga Nikaj, Dukagjin.
- Rrok Martin Lacaj, vjeç 22, nga Bushati, Shkodër.
- Çesk Zef Gjeluci, vjeç 20, nga Shkodra, punëtor në Shtypshkronjën Françeskane.
- Ndoc Rrok Jaku, vjeç 44, nga Jubani, Shkodër.
- Tonin Nush Bianku, vjeç 18, nga Shkodra, punëtor në Shtypshkronjën Françeskane.
- Lazër Simon Kodheli, vjeç 17, nga Shkodra, punëtor në Shtypshkronjën Françeskane.
- Ndue Bib Doda, vjeç 31, nga Kaçinari, Mirditë.
Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftue zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje:
Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946,
(Dosja 1068, Arkivi M.M.Tiranë):
“Aprovohet ndëshkimi me vdekje për:
- P. Giovani Fausti nga Breschia Itali,
- P. Daniel Dajani nga Shkodra,
- P. Gjon Shllaku nga Shkodra,
- Mark Ndoc Çuni nga Bushati,
- Qerim Sadik Myftari nga Vuthaj, Guci,
- Gjelosh Lulash Bajraktari nga Dukagjini.
Na lajmëroni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tyre të fundit.
Ndëshkimi me vdekje i Gjergj Vat Bicaj, kthëhet në burgim të përjetëshëm.
Aktet e fajtorisë të Frano Pjetër Mark Mirakaj, kanë për t’u shqyrtuar më vonë dhe vendimi do t’ju komunikohet mbas shqyrtimit.
Ministri i Luftës dhe i Mbrojtjes Kombëtare
Gjeneral Kolonel Enver Hoxha d.v.
“Sot ditën e hënë, datë 4-3- 1946 ora 05.00, në vendin e caktuar u ekzekutuan armiqtë e popullit, dhe vullneti i tyre i fundit ishte:
- Gjelosh Lulashi: Thoni babës të më falin se e kam trazue. Të më falin shokët, se ndonji shpifje e kam ba prej zorit qi kam pasë. Nanës të fala dhe të mi puthin vllaznit. Borxhet që kam mbetë të mi paguejn prindët. I fali me zemër të gjithë ata që më kanë ba keq. Rrnoftë Shqipnia!
- Patër Danjel Dajani: I fali ata qi më kanë ba keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm, ma mirë se fajtor. T’i japin prindët (far’e fisi), P. Zef Shllakut me pasë me më thanë dy meshë.
- Patër Giovani Fausti: Jam kondend se vdekja po më vjen tue krye detyrën teme. Dërgoni shëndet Jezuitve, xhakojve, Apostolikve dhe Argjipeshkvit. Rrnoftë Krishti Mbret!
- Patër Gjon Shllaku: Lamtumirë mi thoni shokve Françeskanë dhe të gjithë të njoftunve. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!
- Mark Çuni: I fali të gjithë ata qi më kanë gjykue, dënue, si edhe ata që do të më ekzekutojnë. I thoni nanës që i kam Ludovik Rashës 15 napolona borxh dhe t’ja paguejnë. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!
- Qerim Sadiku: I fali ata qi në çdo kohë mund të më kenë ba keq. I fali edhe ata që më kanë dënue me vdekje, dhe ata që do të më ekzekutojne. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Shqipnija!
Prokurori Ushtarak (Tonin Miloti) d.v.
Shënim (FR):
Në ligjëratën e drejtë gjithënjë i jam përmbajtë origjinalit edhe në ortografi. (autori).
Me datën 3 korrik 1946, Gjykata Ushtarake e Shkodrës njoftohet:
“…Aprovohet ndëshkimi me vdekje i Frano P. Mark Mirakës.
Njoftoni datën e ekzekutimit dhe vullnetin e tij të fundit.
Frederik Nosi d.v.
Porosia e qeverisë jugosllave u zbatue shumë shpejt nga Enver Hoxha, prandej edhe ata e dekoruen më 1 korrik 1946, “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, dekoratë që e “gëzon edhe sot” atje ku asht!…
***
Ndonse materiali që kam pasë në dorë asht mjaft i pakët asht i mjaftueshëm për me nxjerrë në dritë organizatorët, pjesmarrësit, si dhe të pafajshmit e kësaj organizatë.
Mark Çuni: “Unë dhe Prof. Gjelosh Lul Marku kemi drejtue punën e kësaj organizatë. At Fausti ka kenë në Tiranë deri në maji të ’45, pra, nuk ka dijtë gja kur kemi formue organizatën. Fausti e Dajani nuk na kanë folë për politikë… Me At Gjon Shllakun nuk kam pasë asnjë lidhje për këtë punë… Nuk dij se asht bisedue për “dorën e zezë” ndonjëherë. Unë kam veprue në kundërshtim me rregullat e seminarit, por këtë e kam ba në kokën teme, e dij se asht gabim por unë e kam ba… Për traktin e dërguem prej xhakonit Gjon Shllaku tek Tuk Jakova, unë nuk dij gja. As për atentat nuk dij se asht bisedue… Klerikët nuk kanë ba pjesë në organizata politike mbasi e kanë të ndalueme, dhe as na nuk e kemi kërkue një gja të tillë. Faji bie mbi mue…
Prof. Gjelosh Lul Marku: Unë si profesor në seminar jam lidhë me Mark Çunin; me té kemi organizue dhe kemi shtypë trakte kundër mënyrës së zgjedhjeve të 2 dhetorit, mbasi në këto zgjedhje nuk kemi pa asgja demokratike. Këto zgjedhje forcojnë vetëm qeverisjen e komunistëve dhe të asnjë force tjetër politike, kjoftë demokristjane ose social-demokrate… Unë nuk kam bisedue asnjëherë me Dajanin e Faustin për këtë punë, mbasi ata e kanë të ndalueme me marrë pjesë në organizata politike… Dij se At Gjon Shllaku ka pasë parime antifashiste dhe pro nacional-çlirimtare, dhe se i ka shfaqë me mjaft intelektual që shkonin në Kuvendin e Fretënve, por nuk dij se ka formue parti e organizata… Unë, kam pranue se kam mendue vetëm unë për “dorën e zezë”, por, për këtë nuk kam bisedue me klerikë, por vetëm me shokët e mij… Forca të tjera politike nuk e dij se ka këtu…
Gjergj Vat Bici: Kryetar ka kenë Prof. Gjelosh Luli, dhe ka drejtue me Mark Çunin. Nuk dij se kemi pasë në organizatë Faustin e Dajanin. Mark Çuni më ka thanë se At Dajani nuk di gja në këtë punë…
Andro Petroviq: Unë kam pasë shoqni me Paulin K. Palin e Mark Shllakun, me të cilët kemi bisedue për një organizatë, por nuk kam kenë kur asht formue … Nuk kam ndigjue prej askujt se At Gjon Shllaku, asht i përzimë në këtë punë… Nuk dij se në Shqipni ka pasë ndonjiherë parti demokristjane!
Mark Gjon Shllaku: Unë kam shkue tek At Gjon Shllaku me i rregullue një radio, por nuk kemi bisedue për organizata e parti. Ai ka drejtue Shoqninë “Antonjane”, dhe nuk dij se ajo shoqni ka kenë politike.
Pjetër Gjoka: E vetmja bisedë politike që më ka ba mue At Fausti, ka kenë kjo: “Pa Kosovën, nuk ka Shqipni Etnike”.
Luigj Kçira: At Fausti e At Dajani, nuk dijnë kurrgja se unë kam hjellë trakte. Ata mi ka dhanë Mark Çuni e Gjergj Bicaj. Unë i kam lanë në shtëpi të Gjovalin Zezaj, dhe bashkë me té kemi dalë me i shpërnda. Këtë e ka dijtë edhe xhakoni Gjon Shllaku e Zef Kuqi. Tue i shpërnda na ka kapë Kol Shytani e Gjon Prennushi, dhe jemi arrestue atë natë, më 27 nandor 1945. Kush na paditi s’e dij…
Xhakoni Gjon Shllaku: Kam propagandue kundër komunizmit ateist dhe i kam dhanë raport P. Dajanit. Kur u kapën hjellsit e trakteve na u trembëm shumë, deshtëm me u arratisë, por nuk na ka lanë P. Dajani, i cili asht këshillue me Argjipeshkvin. Mark Çuni asht takue me Jup Kazazin në shkurt të 1945… Jezuitët i kanë mbajtë lidhjet me reaksionin nëpërmjet Qerim Sadikut e Gjelosh Lulashit.
…Më 26 nandor 1945, Mark Çuni e Gjergj Bicaj, më kanë dhanë mue nga 200 copë trakte, të cilat neve ia kemi dhanë djelmoshave Zef Mirdita e Luigj Kçira për me i shpërnda…
…Ndërhynë prokurori Aranit Çela: Thuaj i pandehur, çfarë ke thënë në hetuesi për Klerin Katolik dhe kryesisht për mënyrën, se si këta klerikë që janë këtu në bankën e të akuzuarve me juve, mbanin lidhje me të arratisurit dhe si mendonin me organizuar kryengritjen e armatosur, për të rrëzuar Pushtetin Popullor?
Xhakoni Gjon Shllaku i përgjigjet: Në se doni, unë edhe e çveshi këmishën, dhe shifni si e kam trupin e nximë kur i kam thanë ato fjalë, nuk asht e vërtetë, që këtë organizatë e ka formue At Fausti e At Dajani… Për poezinë e Tuk Jakovës më ka shty delegati Nigris, se e kishte pritë keq Tuk Jakova… Për rektorin, asht e vërtetë se e ka shkye gazetën “Koha e re”… Dij se ata që ndanin trakte duhet të ishin të armatosun.
Gjelosh Lul Marku: Nuk asht e vërtetë se u kemi thanë shpërndarsve të trakteve me kenë të armatosun,..nuk asht e vërtetë se kemi pasë lidhje me të arratisun.
Mark Çuni: Asnjë person nuk ka pasë armë. Unë nuk i dij lidhjet e xhakonit Gjon Shllaku me delegatin Nigris… Nuk kam pasë asnjë dijeni për poezinë e dërgueme tek Tuk Jakova. Gjoni ndoshta, i thotë këto, se don me shpëtue vedin.
At Giovani Fausti S.J.: Unë nuk dij sëpse e zaptoi Italia Shqipninë, se nuk na ka lypë lejen tonë e, as nuk e kemi ftue që të vinte… Kur kanë ikë gjermanët nga Tirana, unë jam plagosë…
Për lëvizjen Nacional-çlirimtare nuk e kam dijtë se ç’parime ka pasë. Derisa lëvizja Nacional-çlirimtare nuk përket Fenë, jemi në pajtim të plotë me këtë lëvizje. Ballin e Legalitetin i kam quejt si lëvizje nacionaliste dhe kundra Italisë fashiste, por nga krenët e tyne nuk njof, vetëm Don Zef Shestanin, por unë me té nuk jam takue asnjëherë. Jam largue për shkak se ky merrte pjesë në politikë…
Të gjitha sendet janë ba pa dijeninë teme. Françeskanët dhe Jezuitët nuk kanë ardhë në Shqipni për qëllime politike por për qëllime fetare, dhe jena mundue gjithmonë me u largue nga politika….Unë i nënshtrohem gjykimit por nuk kam punue kundër Pushtetit. Kundër qeverisë nuk kam folë, veç kundër Partisë Komuniste, të cilën e kemi konsiderue ateiste dhe imorale…
Mora vesht, kur erdha nga Tirana, se Mark Çuni asht marrë me trakte dhe se ishte udhëheqës i atij grupi. Deshtme ta qitnim jashtë prej Seminarit, por atëherë ishte kot, prandej e mbajtëm… Në atë kohë ka ardhë edhe xhakoni Gjon Shllaku, që donte t’ikte po ne e mbajtëm.
Kisha nuk duhet të përzihet në politikë. Zogu vërtetë i ka mbyllë shkollat por në punë të tjera nuk asht përzi. Kisha kjoftë edhe një qeveri tiranike e nderon për mos me shkaktue randime ma të mëdha, dhe shkakton salvimin e Kishës. Padër Anton Harapi, ka hy në qeveri për me shpëtue Shqipninë, por ka ba gabim se qeveria ishte kuislinge, dhe qëndrimi i em ka kenë negativ.
Xhakojt nuk mund të marrin pjesë aktive në ndonji parti. Unë kam njoftë mjaft Katolik intelektual, që mund të punojshin mirë në punët e qeverisë por, për fat të keq, Katolikët janë m i n o r a n c ë…
Ndërhynë prokurori A. Çela: Juve kështu keni kërkuar me përçarë popullin shqiptar, duke e konsideruar pjesën Katolike gjithënjë një minoritet!
At Giovani Fausti, përgjigjet: “Jo, jo, e keni gabim, jo minoritet, por minorancë, e kam fjalën për PAKICË…”.
At Daniel Dajani S.J.: Unë përsëris, nuk dij gja se ka pasë organizatë terroriste. Nuk kam marrë vesht se asht formue organizatë për me luftue kundër Pushtetit… Unë kam predikue kundër komunizmit ateist dhe i kam thanë xhakojve, me e luftue ateizmin ku të ju nepët rasa… Nuk dij që P. Fausti ka shprehë ndonjëherë ide fashiste… Pohoj, se nuk jam marrë me politikë mbasi këtë na e ndalojnë rregullat e Institucionit tonë… Jezuitët në asnji mënyrë dhe asnjiherë, mos me u marrë me politikë… Nuk dij se ka pasë ndonji Jezuit që ka shty xhakojt me u marrë me politikë. Asnjiherë nuk kemi kenë kundër çlirimit të Shqipnisë, madje, e kemi dashtë këtë, prandej edhe nuk e kemi pengue. Mbas ikjes së gjermanve nuk më ka pëlqye që qeveria ra në duert e komunistave. Komunizmin e kam urrye gjithmonë se asht ateist dhe se lufton Fenë. Përsëris, se, as nuk dij se egziston organizatë terroriste dhe as nuk kam ba pjesë ndër to.
At Gjon Shllaku O.F.M.: Jam kenë dhe jam kundër çdo lloj diktature. Për këtë jam kenë i keq edhe me italjanët, mbasi ardhjen e tyne e kam quejtë pushtim. Për këtë edhe Sejfullah Malëshova më ka kërkue me formue nji parti Demokristjane por nuk më kanë lejue eprorët, për mos me u përzi Kleri në politikë…
Me datën 28. 01. 1946, i kam thanë edhe z. Prokurorit se Kisha lejon pjesëmarrjen në politikë të anëtarëve të saj, mjaft që politika të përdorët për të miren e shoqnisë dhe të popullit.
Unë nuk kam ba pjesë në këtë organizatë dhe as nuk kam sjellë njeri në këtë organizatë mbasi po e përsëris, nuk më asht lejue me u përzi në politikë… Arsyeja kryesore asht se drejtimin e shtetit e morën komunistët ateista… Kur asht inaugurue Shtëpia e Kulturës në Shkodër, unë kam shprehë bindjen teme, se asht e para herë që Shqipnia çlirohet me gjakun e bijve të vet.
Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të popullit shqiptar… Për organizatën “Bashkimi Shqiptar” e kam marrë vesh kur asht arrestue At Fausti e Dajani. Ma përpara nuk kam ditë kurrgja.
***
Me datën 08. 02. 1946, kur po fillonte seanca e mbas drekes, porsa del para trupit gjykues Z. Myfit Q. Bushati, ish student i gjimnazit të Jezuitve, i arrestuem edhe ky si anëtar i kësaj organizatë, ndërpritet seanca nga ndërhymja e prokurorit A. Çela, i cili i drejtohet kryetarit të trupit gjykues me këto fjalë: “Me qenë se avokat Muzafer Pipa, implikohet në këtë proçes, se ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre organizatave apo ka qenë pjestar, kërkoj që të përjashtohet si përfaqsues mbrojtjëje i të pandehurit Patër Gjon Shllaku me shokë”.
Av. Muzafer Pipa tha: Në lidhje me kërkimin e z Prokuror, unë nuk kam ndonjë kundërshtim por, në këtë rast unë nuk përfaqsoj Myfit Q. Bushatin.
Kryetari i trupit gjykues lexon vendimin: “Vendim: Me qenë se Muzafer Pipa, mbi egzistencën e organizatës së ashtuquajtur Demokristjane, ka patur dijeni dhe i atribohet faji që pretendohet që organizator është Patër Gjon Shllaku, në anë tjetër, që të pandehurit që ky përfaqson kanë qenë pjestarë të organizatës “Bashkimi Shqiptar”, që do të bashkohej me Demokristjanën, sipas parimit juridik, nuk duhet të përfaqsojë, për derisa i atribohet faji i dijenisë ose i pjesëmarrjes, prandaj, Trupi Gjykues, konform kërkesës z. Prokuror, Vëndosë përjashtimin e tij si përfaqësues Mbrojtjëje i të pandehurve: Patër Gjon Shllaku, Rrok Martini, Çesk Gjeluci, Ndoc Rrok Jaku dhe emron Ranko Çerankoviq”.
Avokat Muzafer Pipa doli nga salla e gjyqit. (Dosja nr. 1068).
Nuk shkoi gjatë dhe Aranit Çela e mbajti fjalën që i pat thanë në bar “Impero” të Fushës së Çelës: “Hë… Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysëm leku edhe për ty”. (Dëshmi e Prof. Gaspër Ugashit).
Don Luigj Pici, edhe ky ato ditë kryen një akt tjetër burrnor. Predikon para besimtarëve në Kishën e Reçit, se Klerikët e akuzuem për Organizatën “Bashkimi Shqiptar” janë të pafajshëm. Edhe ky prift vritet pa gjyq edhe pse ishte antarë i Kryesisë së Frontit të Qarkut të Shkodrës.
Po, avokat Paulin Pali, që guxoi me i shtërngue dorën avokat Muzafer Pipës për qëndrimin e tij burrnor, si përfundoi?
– Edhe këtë do ta lexoni!
Populli i Shkodrës ruen në kujtesën e tij përjetë veprën heroike të Prof. Kol Prelës, Deputet i Kuvendit Popullor në zgjedhjet e 2 dhetorit, i cili si burrat paraqet para gjyqit:
DEKLARATË:
Unë i nënshkruemi Kol Prela, profesor në Liceun e Shtetit Shkodër, dhe Përfaqsues i Dekretuem në Asamblenë Kushtetuese, përsa i përket të pandehurit Patër Gjon Shllaku, Françeskan nga Shkodra, deklaroj sa ma poshtë vijon:
- Gjon Shllakun e kam njoftë për herë të parë në verën e vjetit 1940 kur u ktheva prej Italijet, mbasi mbarova studimet universitare. Qyshë në takimet e para që kam pasë me té kam muejtë me konstatue, se ai ishte nji element anti-italian dhe anti-fashist. Kudo qi kishte rastin dhe mundësinë demaskonte dhe disaprovonte ardhjen e Italisë këtu dhe vëprimet që Italia me trathtarët bante vazhdimisht këtu, në dam të tonë. Në rast konkret dij, se, ai propagandonte kundër njollosjes së Flamurit tonë Kombëtar me fashjot e Liktorit e, kundër artikullit denigrues për Popullin Shqiptar që P. Fulv Cordignano pat botue në revistën “Albania”. Madje, në këtë rasën e fundit nuk u kondenue vetëm me disaprovue por edhe punoi për përpilimin e broshurës: “Cordignano në gjyq përpara botës”, tue gjetë gadi të gjithë bibliografinë, tue përkthye të gjithë copat e autorve gjerman që nëvojiteshin për atë përgjigje. Nuk e vuni emnin në fund mbasi broshura delte n’emnin e grupit të profesorëve të Liceut të Shtetit të Shkodrës e me vue emnin edhe ky, do të dukej se profesorët e nji instituti shqiptar mos të ishin në gjendje me shkrue nji artikull pa kërkue ndihmën edhe jashta rrethit të tyne. Këtë, mund t’a dishmojnë edhe Prof. Mark Ndoja e Prof. Simon Deda, të cilët në këtë kohë janë kenë në kontakt vazhdimisht me të pandehurin.
Këtë qëndrim anifashist ka vazhdue t’a mbajë gjatë gjithë kohës që kam kenë në kontakt me té, d.m.th. deri në qershor 1943, datë në të cilën jam ilegalizue, mbas së cilës nuk kam pasë ma rasë me ra në përpjekje me té derisa asht shlirue Shqipnia.
Mbas shlirimit dihet prej të gjithve se P. Gjoni, ka dhanë kontribut në lamën që ishte ma i pregaditun d.m.th. në atë të kulturës. Ka ba konferencën për inaugurimin e Shtëpisë së Kulturës në Shkodër, në të cilën ka thanë ndër tjera edhe këto fjalë:
“Asht e para herë që Shqipnia shlirohet me gjakun e bijve të vet. Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të Popullit Shqiptar”.
Përmbajtjen e kësaj deklarate, jam gadi me e vërtetue edhe para Gjyqit të Popullit, po mos të jemi i nxanun në shkollë me mësime.
V.F.L.P
Deklaruesi
Shkoder, 14. 02. 1946. Prof. Kol Prela d.v.
Shënim (FR): Edhe Prof. Simon Deda në Durrës, mbytet në Sigurim dhe hidhet nga dritarët i vdekun. Mos, ndoshta, edhe Ai kishte pregatitë ndonjë deklaratë si kjo e Prof. Kol Prelës!?… Aspak çudi!…
E, pra, qé! Me fakte vritën profesorë, filozofë, avoketën, antifashistë, atdhetarë, klerikë, njerëz të thjeshtë, të pastrehë, vritën e vritën pikërisht ata që me trutë e tyne tue dashtë me i shërbye Atdheut, stërklatën murin e vorrëve të Rëmajit, më 4-mars-1946, sëpse, guxuan e thanë:“Komunistët kanë vorrue Shtetin në gropën e gjakderdhjëve, të grindjëve, të përçarjës, të ngatrresave, të plaçkitjës, të vëllavrasjës dhe spijunlleqëve!…”.
- Kishte kohë që e kishte thanë At Gjon Shllaku O.F.M.: “Tjetër kund njerëzit e idealit nëse i mbysin për së gjalli, i nderojnë për së vdekuni. Ndër né, ata mbyten dy herë… edhe harrohen”.
DERA QË PO HAPET…
“…Si mbas parimit komunist: Sytë që kanë pa duhen verbue; e duhen shurdhue veshët që kanë ndigjue; e pré gjuhët që mund të flasin; e, shkurtue krenat që mendojnë“.
Engjulli i birucave
Shumë vjetë ma parë më çonte nana tek një rrugicë qorre në Gjuhadol që thirrej rruga e Murgeshave këtu në Shkodër, jo larg prej shtëpisë seme. Aty ishte kuvendi i Motrave Stigmatine, shkolla e tyne e Kisha. Kjo Kishë e vogël ishte shumë joshëse, gjithmonë mbushej plot! Në Elterin kryesor kishte një bazoreliev të bukur të Shën Bonaventurës (Shna Bafti), që ishte edhe Pajtori i këtij Urdhni. Flitej se ishte vepër e fratel Salës. Para Kishës ishte kuvendi.
Ecësha në heshtje vetëm e me krye ulët. Kur afrohesha tek rrugica, kontrollojshe me sy gjithkah apo më sheh kush mandej, me dorën e vogël timen, mbasi atëherë isha gjashtë vjeç trokitshe tek dera e madhe me hark. Dera kishte një vrimë të rrumbullakët me një teneqe me bira prej ku shihej nga mbrendë se kush troket. Shpesh trokitshe me një gur të vogël, mbasi nuk mërrijshe tek rezja e derës. Motrat ishin mësue me dorën time, hapshin derën me një buzqëshje të ambël më futnin në korridor, më lëmonin kokën e më thonin: “Prit, po ta thërrasim hallën”.
Gati çdo ditë shkojshe me pyet hallën Gjyzepinë, si jeni?… Atë përgjegje unë nuk duhej me ia tregue askujt… sigurisht, aty dishka mëshefej! Edhe sot ato motra që kanë mbetë kur më shohin të thinjun ma shumë prej kohës se sa prej moshës, më thonë: “Ai Fritzi i vogël je ti?”, unë me mburrje i përgjegjem: Po, po. Sigurisht me njëfarë krenarije, sëpse parulla që më jepej mbeti gjithmonë sekret. Kurrë nuk ia kam tregue njeriu të gjallë…”jemi mirë”…, ose “kanë kapë mbramë edhe një prift”, “nuk na kanë thanë gja”; por, ajo që pritej e që shumë shpejt ndodhi ishte: “Mund të vij shpejt se po na nxjerrin jashtë…”.
Ashtu ndodhi, halla erdhi shumë shpejt me lot në sy e veshun me zhgunin e saj që e bajti me nderë deri në vdekje, ashtu si të gjitha motrat e të gjitha kuvendëve të Shqipnisë që nuk u kthyen kurrma aty. Kuptohet, u duheshin komunistëve. Duheshin prishë çerdhët e edukimit të rinisë, prandej ishte mbyllë edhe shkolla e tyne.
Kështu u veprue edhe me Motrat Servite… madje, aty u vendos qendra e Sigurimit të Shtetit, prej ku drejtohej spijunazhi komunist që ka vazhdue deri tashti dhe birucat e torturave.
U shpërndanë të shkretat pa asgja mbas shpirtit me përjashtim të rruzarëve që mujtën me futë ndër xhepa, të Kryqit që bajtën gjithë jetën, të ndonjë figurje në parzëm së cilës i ishin kushtue dhe ia mbajtën gjithmonë premtimin: “Zojën e Shkodrës”, ose “Zojën e Papërlyeme”. Ndër mangë kishin ndonjë shami hundësh, ndërsa në dorë një shami me ndrresat përsonale. Ushtarët e Mbrojtjës ua kishin kontrollue plaçkat dhe mbas kontrollit i kishin nxjerrë jashtë me fjalorin e tyne komunist.
Morën rrugët, kush tek motra, kush tek vëllai, kush tek nipi, kush tek mbesa, kush në fshat e kush në malësi, u shpërndanë të shkretat për një kafshatë bukë të thatë, ashtu si e kishte edhe dera së cilës ia mësynë. Kudo ku i shkeli kamba atij praku ia kanë shpërblye atë pritje që i zoti i shtëpisë me zemër, u tha: “Eja… mirëse të ka pru Zoti, një kafshatë bukë si ta kemi, do ta ndajmë bashkë!..”.
Kudo gjetën strehë. Në çdo shtëpi ku ranë kishte të paktën një fidan që ato kishin rritë e edukue në fidanishtën e mrekullueshme të tyne. Shkollat e motrave ishin të hapuna katër kapakësh për vajzat e të gjitha besimeve. Aty vinin nga çdo krahinë e Shqipnisë. Të gjitha hynë në punë me fitue jetesën. Disa qëndisnin, ndonjena mbante fëmijët e të afërmve, dikush shkonte me la rroba, dikush punonte në bujqësi ose kujdesej për bagëtitë, pra, secila do të mundohej e lodhej shumë vetëm e vetëm pse kishte veshë zhgunin dhe i ishte kushtue Kryqit!
Motër Luigja mue më mësoi bukurshkrim. Unë këtë nuk duhët t’ia tregoja as mësueses, as shokëve, mbasi atëherë përdorej në shkolla shkrimi skript. Nuk duhët të bija në sy për shkrimin e bukur mbasi çdo gja e bukur ishte në kundërshtim me mësimet komuniste që përhapte shkolla e re komuniste.
Një ndër arsyet që komunistët hapën shkolla në çdo skaj të vendit, ka kenë pikërisht kjo: me përhapë vetëm ideologjinë komuniste. Me shkatrrue parimet e edukimit atdhetar dhe fetar. U ba një rrugë e dy punë. Edhe u hapën këto çerdhe të ideologjisë marksiste-leniniste dhe në të njajtën kohë komunistët morën shtëpijat të gjithë tregtarëve për me i këthye në lokale shkollore. Pasuninë që kishin ua shtetizuan dhe paisën shtëpijat e veta. Magazinat i boshatisën me ndihmue Jugosllavinë dhe mbasi i futën ndër biruca pronarët ua morën edhe arin e argjëndin, që nuk e mori vesh askush nga iku. Që në ditët e para u fillue puna me programet e diktueme nga jugosllavët dhe u punue që rinia me u marrakotë me internacionalizmin proletar dhe ateizmin materialist. Asgja ma shumë se kjo edukatë nuk i ka shërbye, siç thonte At Fishta, klyshve të Rusisë.
Ky helm ka hy në gjakun e të gjithë shqiptarëve mbasi po të vërehët edhe sot me kujdes rezultati, secili prej atyne që ka mbarue këto shkolla as nuk don me dijtë ku bie Shqipnia, tue fillue nga “unë”.
Disa nga këto motra shkuen me punue në spital. Aty gjetën kënaqësi se uniforma e spitalit në ballë kishte “Kryqin e Kuq”, madje, në kohën e Revolucionit Kultural u patën ba përpjekje me e heqë, por kje kërcënimi për përjashtim nga ajo Organizatë Ndërkombëtare që mbeti në disa objekte. Edhe sot kujtohën motrat Luçia, Kjara, Ludovika, Marta, Çeçilia, Neta, Gjystina etj. Gjithmonë me buzë në gaz. Motër Bernardina e Marta punonin vetëm sanitare; e kush mund të harroje motër Juditën e Virgjinën për bamirësitë e tyne? Cila merrte shpërblim për ndihmën që jepte? – Askush nuk i ka shpërblye ndonjëherë këto motra, përveç shpifjeve, përbuzjes, apo pushimeve nga puna prej Xhyhere Mushanit me shoqët e saja partizane.
Aty punoi edhe halla, Motër Gjyzepina, që shpesh shërbente edhe në spitalin e burgut. Për këtë të burgosunit i kishin vu emnin e nderuem “Engjulli i birucave”, sëpse, kur shihnin fëtyrën e saj ata ishin të sigurt se do të shëroheshin. Ajo nuk bante mrekulli por buzëqeshja e saj ua ringjallte shpresën e jetës dhe të lirisë. Gjithmonë u thonte: “Sot je ma mirë, ço mendjen tek Zoti, se Ai të jep shndetin por edhe lirinë, mos u mërzitni, i gjalli e ka dermanin”.
Shumë prej tyne punonin ndër punët ma të ndyta, ndër repartët ma të vështira, si Motër Gjystina Çoba, që punonte gjithmonë natën në kirurgji, e çfarë kirurgjie? Ajo punonte natën vetëm mos me lanë spitalin asnjë çast pa një MOTËR, vetëm me u ndodhë kurdoherë pranë të sëmurëve në çastët e fundit të jetës. Shumë herë ajo me kujdes e sakrificë ka thirrë natën ndonjë prift të “panjohtun”, për me ngushllue ndonjë të sëmurë të dispruem, ose me i ba Shartët e Fundit të jetës.
Ato gjithmonë simbolizonin humanizmin sëpse katolikë e myslimanë e dinin se ato kishin vetsakrifikue gjithë jetën për Kryqin që kishin në ballë dhe, për atë që mbanin në parzëm. Ato mbetën të paharrueme dhe u respektuan jo vetëm nga populli por edhe nga mjekët e ardhun nga të gjitha viset e vendit, tue fillue nga doktorët: Karagjozi, Pandi Todi, Basria, Dhimitër Lluka etj.
Dr. Federik Shiroka e Pjeter Prela ishin ma shumë se vëllaznit e tyne, mbasi motrat ishin të vetmët me të cilat mujtën me komunikue nën za me ndonjë italishte nëpër dhambë, në lidhje me gjendjen politike dhe a do të vazhdonin gjatë “këta”?
Ato fluturuan nga gëzimi kur ndigjuan Papën Gjoni XXXIII-të, tue përshëndetë popullin shqiptar për herë të parë në gjuhën shqipe:
“Për shumë mot Pashkët”!
Ishin të lumtuna kur në fundin e korridorit të spitalit silueta e ndonjë polici të mirë i thirrte: “Ec shpejtë, se ka ardhë një i sëmurë rëndë!..” Aty, ai podrum i dukej vendi ma i lumtun mbasi ai ishte vendi me ndihmue të ftofunit ndër çimentot e birucave ose, të zhytunit në ujë në pikën e dimnit, apo të thyemit kockash e kafkash nga levat e hujtë e kriminelëve të sjellun pandjenja. Aty ato u mjekonin plagët e kambëve të djeguna nga pezhgvja e vlueme që u hidhnin hetuesit për me i ba me folë. Kishte njerëz që trupin e kishin të veshun me plagë që vetëm kullonin qelb dhe shpesh i sillnin aty vetëm me vdekë. Ato i rikthenin në jetë por viktimat e shkreta pa u shërue mirë i merrnin ndër shkalca plehu, mbasi nuk njihëj barela ndër ato vende e i çonin me vazhdue prap torturën deri në vdekje. Torturuesit kishin një ide: “Nuk ju lejojmë me vdekë edhe pse doni ju, do të ju sjellim prap në jetë mbasi nuk ngopemi duke ju torturuar!..” Ishin motrat ato që ua lagnin buzën e rreshkun me ujë, ishin motrat ato që u rrinin tek koka tue u thanë uratë, ishin motrat ato që i ngopnin me dromca buke, ishin motrat ato që në vesh i përshpërisnin: “Qëndro edhe pak se, nuk e kanë të gjatë…” e, kjo e fundit ishte ma shumë se uji, buka e gjumi, me të cilat ata nuk ngopeshin kurrë.
Tregonte i ndjeri Zef Nika: “Numuri i të vdekunve në tortura as nuk ka me u dijtë kurrë. I vetmi burim mund të jenë raportët e Ministrisë së Mbrendshme që i janë dërgue Byrosë Politike të K.Q. të P.P.Sh. Të gjithë toturoheshim njësoj, veç ndryshonte zgjatja se sa mujte me durue viktima. Të gjithë hetuesit kanë një difiçencë mendore, të etëshëm për gjak…”.
“Njeriu pa zemër asht një makinë pa pasion mendimi që nuk ka as familje, as miq, as Atdhé; zemra përmban bazën e mbrekullueshme e të pandame të zhvillimit shpirtnor”, thotë, A. I. Hercën.
Pikërisht për këtë, Motrat mbetën të paharrueme sëpse, shumë të burgosun të masakruem ato i shëruen me fjalën e ambël, dashtninë për jetën dhe shpresën e lirisë.
Ato u plakën… dhe koha e bani të vetën. Edhe pse të moshueme, të kërrusuna, të lodhuna nga puna, mundi dhe pesha e randë e vitëve dërmuese ato u gjetën tek telat me gjemba, ndër dyert e burgjeve dhe të kampëve me çue sado pak një ndihmë që mujtën me mbledhë, tue trokitë ndër dyert e këtij populli fukara për ata fatzezë që nuk kishte mundësi me ju shkue kush, ose tek ata klerikë që prej frike nuk i afrohej kush atij vendi të mnershëm. Motrat u gjetën në Beden, Maliq, Tepelenë, Burrel, Vlashuk, Tërbuf, Rinas, Levan- Fier, Gocë-Kavajë, Rreps, Ballsh, Spaç, Vlonë, Sarandë, Urë-Vajgurore, Qafëbari e anë e kand Shqipnisë, sëpse anë e kand kishte vetëm kampe e burgje e nuk kishte asnjë kamp e burg pa një klerik katolik deri në vitin 1989. Ka fillue At Gegë Luma e At Dioniz Maka në janar 1945, e kanë mbyllë burgjët Don Mikel Koliqi, Don Simon Jubani, Don Nikoll Mazrreku, At Zef Pëllumbi etj. në vitin 1989. Jam i sigurt se Motër Dava duhët t’i kenë njoftë rrugët e gjithë Shqipnisë mbasi edhe ajo deri në vitin 1989, ka shkue në të gjitha burgjët e kampët me strajcën e saj të arnueme. Ato prisnin në pishën e diellit apo në shullanin e erës kur po i mbushët mendja një polici injorant me i thanë, “silli këtu ato plaçka!”, shpesh “merri me vehte se nuk pranohën, mbasi nuk ka zënë mend…”, ose ma shpesh se kurrë, përsëritej nga goja e tyne e ndytë: “Mos eja më, se ka ngordhur…”.
Kur Shkodra mbeti pa klerikë, Motër Luçi Koliqi solli nga kampi Bagmin për Vojime dhe në mungesë prifti, u autorizue me krye edhe shërbime të lejueshme fetare.
Mbas “Revolucionit Kultural të vitit 1967” vendi mbeti pothuej pa asnjë klerik. Ishte e frigëshme për të gjithë me u shkue prifti tek shtëpia. Klerikët u detyruen mos me shkue as ndër të afërmit e tyne mbasi njerëzit rrezikonin punën. Shumë nga fshatrat nuk kishin asnjë shërbim fetar sado të vogël. Pushkatimi i Don Shtjefën Kurtit për Pagëzimin që i bani një fëmije shtoi edhe ma shumë frikën në popull. Prifti ishte e pamujtun me qarkullue në qytet jo ma ndër fshatra, shkuemja e tij atje binte në sy përnjëherë. Ishin motrat ato që shkonin ndër famullitë e mbetuna shkret ku priteshin me dashtni ndër sofrat tejèt të vorfnueme të fshatarëve, mbasi Kishat e qelat as nuk diheshin ku kanë kenë, shumica ishin rrafshue, një pjesë ishin ndërtesat e kryesisë së koopërativës, ose vatrat e antikulturës. Ato shkonin atje të unëshme, të zbathuna dhe ma të vobegta se mund të mendohën, ishin të palëkundshme dhe të vëndosuna me ruejt Fenë e ndezun ndër zemra, aty ku po fikej.
Shtëpia merrte dritë e fiset shtoheshin aty ku shkelte kamba e motrave me Pagëzue fëmijë.
Në vitin 1974, halla ishte plot 74 vjeç. Kur pagëzova vajzën, ajo më tregoi këtë histori: E kishin thirrë me shkue në fshatin Pëllanë për me Pagëzue tre fëmijë të një fisi. Rrugës në makinë e kishte pyetë një burrë: “A je motër Gjyzepina, ti?” – Po, unë jam, ishte përgjegjë kjo. Ai prap e kishte pyetë: -“A kujtohesh, kush jam?”. Kjo nuk e kishte njohtë. Ai i kishte kujtue kësaj se ishte ai djali i ri që e kishin pru tue vdekë prej hunit nga hetuesia e konviktit “Malet tona”, tek spitali aty afër dhe kishte vazhdue: “Kur erdhe ti tek dhoma ku isha unë, t’u luta: Motër, më beko, se po vdes! Ti më the se, – unë po lutëm në Fenë teme, se në Fenë tande nuk di. Unë atëherë të thashë: -Motër, ti lutu, se myslimanë e katolikë të gjithë bashkë NJË ZOT BESOJMË! Ty t’u ba qejfi kur unë të thashë ashtu dhe çove sytë kah qielli e the: -Zot në doren tande këtë djalë, ndigjoje lutjen teme! Dhe dole për dere. Mbas gati një ore që po u rrapatësha në shtrat nga dhimbjet erdhën dy ushtarë me ty, më more dhe më fute në operacion aty nga ora 11.00 e natës. Mbasi më doli narkoza u bana mirë dhe qé tek jam sot gjallë. Të gjithëve u kam tregue sësi ti u lute për mue dhe unë shpëtova.”
Unë, tha halla, i ndërpreva fjalën e i thashë: “Jo, jo, ishte lutja jote e fortë dhe besimi që ke pasë në Zotin që të ka shpëtue, jo unë!”
- Prof. Arshi Pipa thonte: “Unë i besoj efektit të lutjës, kur lutja bahët me intensitet të fortë, kur ajo nuk asht një përsëritje mekanike formulash, kur jetohët prej njeriut”.
- Po, sa volume, mund të shkruhën për Motrat e nderueme të tokës shqiptare?
“I HUMBUNI…” DON ALFONS TRACKI
Misionarët në Shqipni vritën tri herë, pushkatohen, harrohen dhe të tretën here ua dhunojmë edhe vorrin…
“I humbun…”, vetëm kaq shënohej ndër rregjistrat e klerikëve që ishin mbrenda “perdës së hekurt”, e ndoshta, përgjithmonë mbetëj ashtu. Nuk asht e meritueshme që shumë figura të ndrituna të historisë sonë kombëtare të mbulohën nga pluhuni i harresës. Jo ma pak përgjegjësi historike dhe morale kemi edhe përpara veprës së misionareve të fesë, të cilët, në rininë e tyne, me punë vetmohuese provuan me fakte se toka Shqiptare për ta ishte Atdheu i dytë i tyne.
Kjo asht arësyeja kryesore që më shtyni me u ndalue tek “i humbuni” Don Alfons Tracki, i ardhun misionar nga Breslau.
Don Alfonsi ka lind nga prindët Jozef e Marta Tracki, në vitin 1896 në Breslau. I ati ishte oficer i gardës mbretnore. Don Alfonsi kishte edhe dy vëllazën të tjerë, Hansin dhe Gjergjin, që u vranë në Luftën e Dytë Botnore, ndërsa motra e tij Kordola mbas vitit 1944 nuk dihet ku ka përfundue. Alfonsi i ri, pa mbushë 17 vjet, vjen ushtar në Shqipni me forcat Austro-Hungareze. Mbas luftës vëndos me qëndrue këtu, pikërisht, kur Breslau i kalon Polonisë. Në natyrën e tij dallohet kjartë gërshetimi i karakterit të vendosun gjerman me besimtarin katolik polak. Lè në një anë armët e hekurta dhe rrokë armën ma të fuqishme të njerzimit, tue u ba përjetësisht ushtar i Krishtit në armatën Shqiptare. Ai e admiroi këtë armatë sëpse asht pikërisht ai kler që një vit maparë, bashkë me të gjithë atdhetarët shqiptarë kishte ngritë nalt edhe njëherë flamurin e Gjergj Kastriotit, tue i ba të ditun botës se Shqiptarët janë këtu. Edhe pse kishim kalue pesë shekuj robni të dhunëshme fara e krishtënimit jo vetëm, nuk ishte shue, por kishte marrë aq hov sa me shumë frikë e thom, “drue se nuk përsëritet kurrma!…”.
E, ku i kanë vorret? – Kurrkund!…
Imzot Mikel Koliqi më tregonte se veprimtaria e Trackit, ishte baza e “Veprimit Katolik” në Shqipni. Krahas veprimtarive sportive e zejtare vendin kryesor e zente aktiviteti atdhetar. Vazhdon edhe ai vetë Seminarin Papnuer të Jezuitve dhe i përfundon studimet teologjike në Bosnje. Në vitin 1926 shugurohët meshtar.
Formon lidhje të ngushta miqësore me meshtarët Shqiptarë Kolec Prennushi, Pjetër Meshkalla, vëllaznit Gazulli, që simpatizojnë Lëvizjen e malësorëve të Veriut kundër Zogut. Don Gjoni u var nga Zogu, ndërsa Don Nikolli u dënue me katër vjet burg në Gjinokastër. Për këtë lidhje edhe Tracki u nxuer jashtë nga Shqipnia nëpërmjet të Musa Jukës, i cili nuk e shihte me sy të mirë grumbullimin e rinisë shkodrane rreth Trackit. Ndërhymja e Bajraktarit të Shkrelit, Vat Marashi tek Zogu, e rikëthen Trackin në Shqipni, me kusht mos me qëndrue në Shkodër. Ai shkoi në qendrën malarike të Velipojës ku banonin malësorë të ramë nga Alpet.
Zotnonte mirë gjuhën shqipe gja e cila bani me u hy në zemër fshatarëve. Njohja e zakonëve të malësisë e vëndoste në krye të vendit mbasi shumë shpesh, malësorët kishin nevojë për mendimin e priftit ndër kuvendët e tyne. Merrej me pajtim gjaqësh dhe ishte kudo ku lypej me u shmangë vëllavrasja. Kjo arësye e shtyni shpesh me ndërhy edhe pranë organëve qeveritare për me shpëtue ndonjë që binte në duert e gjermanve.
Po cili kje shpërblimi që mori prej nesh?
Në vitin 1944 Hausdingu i shpjegoi Trackit, se në Shqipni ka shumë ngatrresa të mbrendshme dhe se mundësia e ardhjes në pushtet asht e komunistëve, mbasi ata i ndihmojnë edhe anglezët prandej, eja me né, se do të kenë edhe ndryshim sistemesh dhe ti do të konsiderohësh edhe gjerman. Pavarësisht se ti i ke ndihmue shumë shqiptarët nuk ka me t’a dijtë kush për nderë pra, mos e rreziko jetën me qëndrue këtu!
Tracki ju përgjigj: “Jo, nuk vij me ju, mbasi nuk kam ardhë në Shqipni për qëllime politike, as ushtarake dhe as si pushtues.
Këtu unë kam Atdheun e dytë, Shqipninë, të cilit, i kam shërbye si Meshtar dhe këtu, due të vdes si Shqiptar”.
Ata ikën, ndërsa Tracki qëndroi këtu.
Për me evitue përpjekjet me partizanë në ditët e para të 1945 ai shkoi në malësi tek priftnit Nikoll Gazulli, Luigj Pici, Ndre Zadeja dhe se fundit tek Don Injac Gjoka. Aty e njoftuen se kërkohet nga disa partizanë, që në Velipojë e kanë shpallë armik. Ato ditë edhe Ndoc Jakova ikë nga ushtria mbasi fillojnë përshpëritjet se Ndoci asht i lidhun ngusht me klerin katolik. Edhe Ndoci shkon tek Don Injaci, ku takohet me Trackin dhe të dy bashkë shkojnë në Shpellë të Mëri Kokës në Stenë.
Po kalonte vitin me grupin e Gjergj Vatës, Martin Sheldisë, Gjelosh Lulit, Mark Malës, Nikoll Prenk Dedës, Pjetër Gjokës etj.
Jeta e malit dihet. Tracki nga Breslau në shpella të Veriut.
E, pse? Për ata që njohin zonën e Shllakut asht e kjartë vuejtja dhe sakrifica që ka ba Tracki.
Zoji Themeli, kryetar i Seksionit Mbrendshëm të Shkodrës më 31 dhetor 1945, njofton Drejtorinë e Mbrojtjës së Popullit në Tiranë: “Ju njoftoj se përveç Dom Alfons Trackit që gjindet në këtë qark, nuk ka elementa fetarë me kombësi gjermane”. (Dosja 1885).
Në mes të natës së 12-13 shkurtit 1946, kur forcat e Ndjekjës nisën për në Dushman, mbasi ishte ba një vrasje atje gabojnë rrugë. Koha e keqe me shi kishte vështirsue kalimin. Prrojet kishin shpërthye. Brigada merr drejtimin kah shtegu i shpellës, jashtë së cilës atë natë bante roje Ndoc Jakova. Në shpellë ndigjohen disa krizma armësh që u shuan shpejt. I pari i ndigjoi Gjergj Vata, i cili i zgjoi shokët nga gjumi dhe po prisnin sinjalin prej Ndocit për me veprue. Nuk ndihej asgja. Mendojnë pse Ndoci nuk po i ban me dijtë, shka ndodhi!?.. Vrojtojnë me kujdes jashtë dhe vërejnë se aty afër ndigjohen ecje këpucësh ushtarake, që ushtojnë pak prej natës e pak prej gurve të kalldramit të rrugës. Pergatitën me ça rrethimin nga një shteg që nuk njihëj nga Ndjekja. I pari prinë Gjergji, mbasi dinte shtigjet, të tjerët u nisën mbas tij.
Don Alfonsi nuk pranoi me marrë atë drejtim pa shkue deri tek vendi ku ishte Ndoci. Gjergji ka kundërshtue tue parashikue pritën. Don Alfonsi ishte i vendosun me shkue kah Ndoci, parandjente dishka të keqe dhe u nis. Kur mërrinë tek vendi gjenë Ndocin e plagosun randë… ishte i lamë me gjak. Ndoci e njeh… Don Alfonsi i jep të zgjidhun, e kungon dhe e vojon, i çon kokën nga balta e pellgu i gjakut, e mbështetë për parzëm, i ban Kryq dhe qëndron me té derisa Ndoci jep Shpirt… Si një babë i mirë që shtërngon fort djalin e vet në fund të jetës.
Afrohen forcat e Ndjekjes. Don Alfonsi nuk lëvizë nga vendi, madje, u thotë: “Afronju, mos kini frikë se nuk kam armë, tashti ejani kur të doni se unë e kreva detyrën teme!…” E lidhën me litar dhe e sollën në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës. Aty ra në duert e një krimineli fanatik, i pa ngopun me gjak klerikësh, tek katili Fadil Kapisyzi që për pesë muej nuk la gja pa ba në trupin e Trackit. Përpilohët, si gjithënjë një proçes fals (me sekretar Kol Kirin), ku nuk mungojnë as shpifsit, as trilluesit kundër misionarit të pafaj që kishte shpëtue sa jetë të rinjësh nga duert e nazistëve si: Çesk Kabashi, Zef Kol Preka, që me paturpësi e akuzon Trackin se i kishte kërkue 200 napolona me i shpëtue djalin, apo një vagabond si Gjovalin Mazreku, që e quan me fjalorin e njohun të agjentit sigurimit: “Fashisti i poshtër Don Alfons Tracki”.
Debili Rustem Sykja e akuzon për propagandë naziste etj. Shpërblimi i veprës së misionarit të palodhun ndaj atyne të rinjve që i kishte ndihmue pa dallim feje dhe që ndodheshin në sallën e kinemasë “Rozafat”, ishin thirrjet e tyne mizore te paturpëshme: “Plumbin ballit … kriminelët në litar”!…
Tracki deklaron në gjyq (Dosja nr. 1885): “Për doktrinën fashiste kishe me thanë se kjo ka gjetë njeriun dhe njeriu kokën. Sa për nazizmin, unë jam gjerman por, nuk jam nacional-socialist. Nuk jam as nuk due me kenë mbasi si doktrinë asht e gabueme. Na kurrfarë ndihmet nuk i kemi dhanë. Tham se fashizmi dhe nazizmi janë njilloj, e duhet me kenë kundër… Unë me politikë nuk jam marrë, pyetni ata që kam ndejë me ta. Prifti po të merret me politikë sharron, prandej edhe kam ndejë larg… tek Oberlajn dhe Dr. Hotnik nuk kam shkue, kishin zyre të tjera se merrëshin me hetime politike… Në rrethin “Veprimi Katolik” flitej për fenë… Propagandë kundër Bashkimit Sovjetik nuk kam ba, por si gjerman kam dashtë me fitue Gjermania në luftë kundër Rusisë…
Kam kenë tek Hausdingu, por kjo nuk don me thanë se jam nazist. Fillimi i luftës ka kenë i padrejtë…Për Gjrmaninë naziste jam gëzue që ka mbarue. Nazizmi nuk asht potencë që ka dalë nga populli por me dhunë. Nuk e lente kush fitorën e nazizmit, se ishte çue gjithë bota kundër… Delegati Apostolik nuk ka shkue te Hausdingu, por më ka çue mue për disa dezertor italian… për pilotët, po, kam ndërhy dhe u asht falë jeta… Mos me ndigjue me ba përkthime në Gestapo nuk e queja gja të mirë, mbasi unë punoja në interes të popullit shqiptar…Unë dola në mal se partizanët nuk ishin ushtri e rregullt, vepron kushdo në kokën e tij, të vrasin dhe të përsekutojnë… Me Ndoc Jakovën kemi nda bukën dhe sende të tjera, që na nepshin katundarët, por edhe kemi ble… Partizanët kur na kanë rrethue në luftë, unë jam diftue ushtar! Nuk kam dijeni se Papa ka bekue armët… Unë këtu kam kenë në atdheun tem”.
Disa mendime politike të Trackit: “Krotnik më ka thanë se na po shkojmë, por ky popull asht në grindje në mes të shoqi-shoqit e mund të fitojnë komunistat, se i ndihmojnë anglezët. Për majorin Nil, ishte dy ftyrash, ndryshej me Sali Myftinë, e ndryshej me Nik Sokolin. Gjermanët donin me lanë oficera në Dukagjin por në tetor ky urdhën u prapsua.
Zef Mirashi e Gjergj Vata më kanë tregue se Muharrem Bajraktari asht Komandant i Përgjithshëm…
Anglia e Gjermania e luftojnë shoqi-shojnë për jetë a për dekë e në Shqipni, të thuesh bashkë-veprojnë. Këto të pohueme janë fakte, por si shpjegohën? – Unë nuk dij me dhanë përgjegje. Por, një fakt asht se, që Anglia si e ka pasë ma përpara edhe tash don me pasë konceptin e sundimit. Sundimin e Evropës e don! Historia e vërteton se ekujlibrin ndërmjet shtetëve të Evropës don ekskluzivisht me e rregullue Anglia. Shembujt janë: (Holanda, Spanja, Franca – lufta e njiqindvjetve, Lufta e I-rë dhe e II-të Botnore), e tash? – Mue më duket se në hesapë të vet Anglia nuk ka shti një Rusi të evolucionarizueme e prandej, tash mbas Luftës së II-të Botnore, nuk i del besoj hesapi si ka mendue e dashtë.
Shtetet e ndryshme të Evropës edhe të vogla tue përdorë të drejtat e veta të fitueme me gjak nuk po këcejnë ma simbas vishkëllimit e taktit të Anglisë, e nuk po pvesin atë për trajtimin e qeverimit të vet, me një fjalë i kanë dalë dorët Anglisë.
Rregullimi i Evropës nuk asht ma në dorën e saj si dikur.
Ardhjen e Gjermanisë në Shqipni nuk mund ta konsideroj as mirë as keq mbasi jam gjerman, por mbas principit tem – lum i forti – por edhe kjo prap asht ide e gabueme! Ndoshta për problemet kombëtare të Shqipnisë gjermanët kanë punue mirë, mbasi Kosova me tokat tjera që i përkasin truellit Shqiptar e ja kanë marrë, kam frikë se nuk i kthehën ma.
Populli më ka pyet: “A të shkruhemi fashista?” – Unë i kam thanë se edhe po të shkruheni nuk asht ndonjë dam se merrni harxh, por nuk i kam thanë se po mos të jesh fashist – nuk je katolik, për milici i kam thanë mos u shkrueni! (dorëshkrim i Trackit, fq. 9,10.).
Kam kenë në Meshkallë (Shllak) më 31 dhetor 1945 dhe jam nisë te Don Injac Gjoka në Mazrrek, ku kam pritë anmisti prej Don Luigj Picit e Luigj Mjedës. Më 12 janar kam shkue në shpellë tek Gjergj Vata e Nik Sokoli. Më 13 shkurt 1946, më kapën partizanët”.
Me datën 17 korrik 1946, ora 17.00 Trupi Gjykues i përbamë nga: Kryetari Mustafa Iljazi, antarë, Zurdi Shehu e Anastas Koroveshi dhe prokuror Aranit Çela (akti nr. 249), vëndosi: 1. Llesh Marashi, me varje në litar. 2. Kol Ashiku, 3. Nikoll Preng Dedaj dhe 4. Don Alfons Tracki , dënohën me vdekje, me pushkatim.
Me datën 17 korrik, pra, atë natë bahët kërkesa për falje jete nga avoketnit e secilit të dënuem me vdekje.
Më datën 18 korrik 1946, bahet shqyrtimi i akteve në Gjykatën e Lartë në Tiranë, nga: Krytari, major Frederik Nosi, antarë kap.Veladin Zejneli e kap. Nexhat Hyseni, prokuror Nevzat Haznedari dhe vendosi:
Me datën 18 korrik 1946 njoftohët Drejtoria e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, me shkresën nr. 902/7 se: “…në bazë të vëndimit të dhënë me datën 17 korrik 1946, u ekzekutuan kriminelët:
Llesh Marashi, Kol Ashiku, Nikoll Preng Dedaj dhe Don Alfons Tracki. I pari në litar. Dënimi i tyre në përgjithësi është konsideruar me vend nga i gjithë opinjoni.
Vetëm për priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit bëri që të kishte më tepër diskutime, kështu që u fol se si Don Alfonsi nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në anën katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë.
Shef i Seksionit Shkodër (Zoi Themeli) d.v.
- Ekzekutimi u krye në orën 5.00 të datës 18 korrik… po kërkesat e të dënuemve kur janë shqyrtue nga Gjykata e Naltë dhe Kuvendi Popullor?
- Pse në shkresën e Zoji Themelit nuk asht emni i të ndjerit Kel Abati, që u pushkatue me këtë grup pa pasë asnjë lidhje me ta?
Pse asnjëherë nuk doli në dritë vrasja misterioze e Kel Abatit, mos edhe ky ishte “kriminel”? A duhet besue se me të vërtetë Kel Abatit ju fal jeta mbas ekzekutimit?
Ndoshta ma vonë e drejta do të dalin, por kam frikë se jo!
- Vrasësit gjithmonë punojnë me mbulue krimet e veta, mjeti ma i mirë i tyne asht harresa!
- “Tracki ishte modeli ma i përkryem i Meshtarit Katolik”, shkruan At Konrrad Gjolaj O.F.M.
- A u bindët pra, se në Shqipni… Misionarët e huaj vritën tri here!