Albspirit

Media/News/Publishing

Lumo Kolleshi: LIRIKA DIMRI

 

(Cikël poetik)

 

ZEMRAT NE VALLE

 

Cipëza e hollë që ta mbulon gjirin,

Më fsheh pak dëborë, si ma verbon syrin.

 

Pa bëj që ta prek me duart që dridhen,

Zë e gjej një shteg që gishtat të mblidhen.

 

Mblidhen e shtrëngojnë kulumbritë e zeza,

Bobo ç’më punojnë, më thumbojnë grerëza.

 

Embëltojnë buzët si mjalt sherebeli,

Natëzën e shurdhët çukit një sqep gjeli.

 

Dielli nis qerpikët t’i ngjyejë mbi male,

Mëno pak moj ditë, ler zemrat në valle.

12.12.2013

 

KONTROLL NE AEROPORT

 

Fillimisht hoqa orën,

Rripin e mesit pak më pas,

Çelësat e monedhat e mbetura

I hodha në koshin që ngutej.

Sepse ndjeva një krismë në shpirt

Tek hoqa prej gishtit unazën,

Kompjuterat nuk dinë ç’është zemra, e dashur,

Ata të shikojnë si fantazmë.

12.12.2014

 

NE VARREZA

 

Këtu hyhet në qytetin e akullt të të vdekurve,

Këtu të gjithë pronarë të një copëze të barabartë toke,

Vetëm këtu nuk e akuzojnë ligjin 70501.

Këtu mendimet përqafohen me lotin

Dhe gratë fshijnë sytë me cepin e shallit të zi.

 

Por vetëm kaq.

 

Më tej edhe ata shtyjnë me bërryla njëri-tjetrin,

Kush të jetë në vijën e parë,

Kush të ketë mermerin më të shtrenjtë,

Kush ta ketë emrin me gërma ari.

Mendimi thërret për ndihmë një bastun,

Në rrugicat e ngushta çalon,

Edhe këtu s’m’u ndave korrupsion?!

12.12.2014

 

BORXHET E MIA

 

Po, Xhevahir Spahiu,

Edhe unë i kam mbetur borxh nënës.

Nuk i bleva dot një çember apo një palë çorape me rrogën e parë,

Vajzen e fshatit përballë ,që tani e kam grua,

Nuk arrita t’ia prezantoja,

Ta puthte si nusen e djalit në ballë.

Dhe një jetë tjetër Zoti të më japë hua,

Këto borxhe të rënda do më mbeten pa larë.

12.12.2015

 

STATUJA TË GJALLA

 

I varfër për statuja vendi im,

(Statujat e vërteta s’e gjejnë vendin e vet)

Dhe,nuk është lajthitje,as harrim,

Statujat ne i mbajmë vetëm në pushtet.

 

Eh,pastaj e hamë veten tonë me lënjë,

S’i shkulim e s’i shkulim dot nga froni,

Ato na shkulin ne me gjithë rrënjë,

Kanë gjak të akullt faraoni.

 

Dhe presim më kot,të thahen si lisat,

Të kalben në pyllin tonë të varfër;

Para kërpudhave të na qeshin qiparisat,

Se demokracinë e mbollëm të ngathët.

12.12.2016

 

RRUGEN MA PRET NJE KORB

 

Në rrobaqepësinë e heshtjes

Gjeta veshë të qepur qeveritarësh,

Sy të shqepur gjykatësish,

Gojën e një populli të qepur.

Nisem me nderim para një gijotine.

Diku, në një bërrryl të mjegullt,

Gjunjët nuk di pse janë shkrehur,

Rrugën ma pret një korb i dehur.

12.12.2017

 

PA DROJE

 

Ta them botërisht:  në ëndrra të kam tradhëtuar,

Me femra që nuk i njoh e gjuhën s’ua flas dot.

Jam thjesht një xhind në kohën e mallkuar,

Por nga të gjitha, veç nga ty kam njohur zemër e lot.

12.12.2017

 

REVOLTË JAM

 

Jam në revoltë me erën që fryn nga t’i teket,

Në revoltë jam me shiun që hyn si hajn në suva,

Në revoltë jam me qeverinë që shtiret e meket,

Në revoltë përherë dhe me fuqitë e mëdha.

 

Madje, madje, në doni të dini,

Jam në revoltë dhe me gruan time,

Kur shtyp tastierën e vjen një menopauzë harrimi,

Them:bota u prish e vuaj ndër lënigme.

 

Në revoltë jam e kështu do të mbetem,

Qeshni ju, ç’tjetër mund t’ju them më shumë?

Kur ju të përballeni me vetveten,

Do revoltoheni po njëlloj si unë.

12.12.2021