Albspirit

Media/News/Publishing

Një vit pa mjekun dhe intelektualin, prof. dr. Isuf Kalo

Selaudin Guma

U mbush një vit që prof. dr. Isuf Kalo është ndarë nga jeta. Për të afërmit, bashkëfshatarët dhe miqtë e shumtë 19 Janari është një datë përkujtimore, por jo vetëm ata, edhe kolegët, njerëz të të gjitha shtresave, studentë dhe akademikë kanë parë te ai njeriun e thjeshtë, human, i gjendur pranë tyre dhe me një përkushtim të rrallë.

Lindi në vitin 1942 në Luzat të Tepelenës. U nda nga jeta më 19 janar 2023. Studimet i ka përfunduar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1964. Midis viteve 1991 dhe 2004 ai u punësua nga Zyra Rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën (në Kopenhagë), duke drejtuar Programin Evropian të Diabetit dhe më vonë Programin e Cilësisë së Sistemit Shëndetësor në Evropë.

Dr. Kalo ngjiti shkallët e karrierës hap pas hapi, drejtori sektorë të rëndësishëm në mjekësinë shqiptare e deri në OBSH, drejtoi emisione televizive dhe shkroi artikuj të rëndësishme duke shfaqur erudicionin e tij dhe punë këmbëngulëse që bënte jo vetëm si mjek i diabetit, por me dijeni të thella edhe në fushëat e tjera.

Çdo fshat, krahinë apo zonë ka idhujt e vet, ndërsa Luzati dhe Tepelena ka në radhë të parë dr. Kalon, që u kujdes vazhdimisht në fushën e mjekësisë si edhe që shumë të rinj dhe të reja të ndiqnin studime universitare brenda dhe jashtë vendit.

Është laureuar me titullin “Punonjës i Shquar i Shkencës Shqiptare”, si dhe anëtar themelues i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës. Ai është themelues i Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, ku ka iniciuar vizione, ide dhe metoda bashkëkohore për sistemin tonë shëndetësor. Ka qenë konsulent i Bankës Botërore në projekte shëndetësore, konsulent i pesë ministrave të Shëndetësisë, lektor në Universitetin e Dubrovnikut, ekspert i Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë për programin e diabetit. Ka themeluar shoqatat mjekësore “Hypokrati” dhe “Jetë dhe shëndet”. Ai është autor i shumë veprave në shtypin mjekësor vendas dhe të huaj; është anëtar nderi në shoqata mjekësore ndërkombëtare, si dhe të vendeve të veçanta të Europës. Prof. Kalo ka botuar librat “Drejt një shëndetësie të re” botim i vitit 2012, “Mes ëndrrës europiane dhe realitetit shqiptar”, “Mjekësia, Pacientët dhe Shoqëria”, “Shëndetësia jonë, siç do ta doja” etj.

https://fjala.al/2024/01/20/nje-vit-pa-mjekun-dhe-intelektualin-prof-dr-isuf-kalo/

Please follow and like us: