Albspirit

Media/News/Publishing

Nënë Tereza, atje ku “dashuria” merr kuptim, ja si ia refuzoi regjimi socialist bamirësinë

 

 

Eneida Jaçaj/New York

Vasiliev Nini: Nënë Tereza

Në vitet ‘90, gjatë periudhës së tranzicionit, kur perdja e “hekurt” e regjimit komunist kishte rënë dhe kur shoqëria shqiptare u largua nga tiparet e një shoqërie etnocentrike duke përqafuar të renë dhe ndryshimin, u krijua një imazh i errët famëkeq për shqiptarët në përgjithësi, të cilët u shpërndanë kudo nëpër botë për një jetë më të mirë. Të shtypur nga forca e injorancës dhe përballë skamjes, shqyhen “kangjellat” si triumf i lirisë, duke u dyndur në çdo kënd të globit, në kërkim të ushqimit dhe shkollimit të fëmijëve të tyre. Paragjykimi negativ për Shqipërinë dhe shqiptarët shumë shpejt ra poshtë, pasi ata i treguan Europës dhe më gjerë, se janë punëtorë të palodhur; ndërtuan shtëpi, sipërmarrje, dhe arsimuan fëmijët në shkollat më të mira, duke dalë të parët. Pavarësisht situatave dhe ngjarjeve, karakteri i njeriut, i mirë apo i keq, i fortë apo i dobët, shtypës apo i hapur, do të dalë gjithmonë në pah. Pra, ne, sot, mburremi me këto virtyte; por dua të theksoj se, ajo që na ka ngritur akoma edhe më shumë në piedestal si komb, na ka hapur rrugën duke na përfaqësuar kudo me shumë krenari, është emri i madh, simbol i mirësisë, dashurisë, paqes dhe dhimbjes, “Nënë Tereza”.

Shqiptarja e madhe, “Nënë Tereza”, nëna e gjithë botës, u vetsakrifikua në shërbim të të varfërve dhe të sëmurëve të Kalkutës, duke iu zgjatur dorën e ngrohtë dhe duke i afruar në prehrin e saj, si strehë e sigurt e dashurisë. Nën emrin e saj, “Tereza e Madhe”, është gdhendur bukur mirësia, dëlirësia, dhembshuria, atje ku dielli lind dhe nuk perëndon kurrë, atje ku fjala “dashuri” merr kuptim, e cila buron nga një shpirt i pastër dhe i çiltër. Dashuria e saj i kaloi të gjithë kufijtë, këputi çdo pengesë, hodhi poshtë çdo mendim negativ, të pamundurën e bëri të mundur, i dha Shqipërisë imazhin e kujdesit dhe respektit ndaj tjetrit pavarësisht nivelit shoqëror, nxori në pah ndjenjën e altruizmit, dhembshurisë, duke hedhur poshtë kështu stereotipin se shqiptarët janë njerëz të egër dhe të dhunshëm.

“Shenjtorja e Madhe” na i la trashëgimi të duam njëri-tjetrin, t’u gjendemi pranë të dashurve tanë, por edhe atyre më në nevojë, pasi dashuria është pasuria më e madhe e shpirtit, që e bën njeriun të ndihet plot brenda vetes. Dashuria është lumturia më e madhe e njeriut; të ndihmosh po ashtu të varfrit dhe të sëmurët, njeriu e merr mbrapsht dyfish lumturinë. “Nënë Tereza” për dashurinë thotë: “Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba që të sjellim paqe në botë. Kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri. Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të”. “Nënë Tereza” është arkitektja e dashurisë dhe dhembshurisë, e cila ngriti themele të forta në mbarë botën për humanizmin, përkushtimin, shërbimin ndaj më të dobtëve, të sëmurëve; ajo na mësoi se dashuria nuk ka kufij, as racë dhe as ngjyrë, por ta japim atë pa kursim, duke e bërë botën më të bukur, plot shpresë dhe begati. Nëse bota do të ishte e mbushur plot me “Nënë Tereza”, nuk do të njihnim luftën, dëshirën për territore e pushtet, nuk do të njihnim manovrat për të përfituar në kurriz të tjetrit, vjedhjen, vëllavrasjen, dukjen kush ka më shumë se tjetri; bota do të ishte ngritur mbi një parajsë plot me lule, ku aroma e tyre do të shpërndante kudo dashurinë, dhembshurinë, shpresën, ndërsa varfëria dhe urrejtja nuk do të ekzistonte.

“Nënë Tereza”, kjo katolike e devotshme, vlerësohet dhe njihet për bamirësitë e mëdha për njerëzit e varfër dhe komunitetet në nevojë, ku në çdo vepër nuk harroi të vinte dashurinë, shpirtin e saj. Ajo kurrë nuk i braktisi të varfërit, fëmijët e gjorë të Kalkutës, por shërbeu si një dritë e pashuar mbi ta, kur shumë vendeve të zhvilluara të globit, ndoshta as që iu binte ndër mend. Ishte kjo shqiptare e madhe që u qëndroi pranë, i përkëdheli me dorën e saj të butë, si një nënë e vërtetë, edhe frymën e fundit ua dedikoi familjeve në nevojë, të varfërve, të sëmurëve. Zoti e zbriti në tokë, duke ia falur të gjitha virtytet e një nëne të dhimbsur, me zemër të madhe, për t’u kujdesur dhe për të afruar në strofullën e saj, më të vobektit, ata të cilët kanë nevojë më shumë se askush tjetër. Misioni i “Nënë Terezës”, për të mbajtur ndezur pishtarin e dashurisë, përkujdesjen, ndihmën humanitare për të varfrit, vazhdon ende të qëndrojë i palëkundur nëpërmjet motrave të saj katolike.

Kur e gjithë bota e donte dhe e vlerësonte “Nënë Terezën”, fatkeqësisht, regjimi komunist e ka sulmuar dhe nuk e ka pranuar të hynte në Shqipëri. Një dokument që mban vulën e Autoritetit të Informimit të Dosjeve të Komunizmit, dëshmon për “𝑉𝑖𝑧𝑖𝑡𝑒̈𝑛 𝑒 𝑝𝑎𝑟𝑒̈ të 𝑁𝑒̈𝑛𝑒̈ 𝑇𝑒𝑟𝑒𝑧𝑒̈𝑠 𝑛𝑒̈ 𝑆ℎ𝑞𝑖𝑝𝑒̈𝑟𝑖, 𝑔𝑢𝑠ℎ𝑡 1989”, pas disa refuzimesh për dhënie vize hyrjeje në Shqipëri, pasi regjimi i Enver Hoxhës u kishte shpallur luftë dhe nuk lejonte besimet fetare në vend. Vizita u realizua në 14-17 gusht 1989. “Nënë Tereza” shoqërohej nga prodhuesja e kinematografisë, Jeanette Petrie, me origjinë nga Kanadaja, banuese në New York.

Ajo që duhet vënë në dukje me keqardhje për mentalitetin e kohës është se, ndërsa “Nënë Tereza”, gjatë misionit të saj si bamirëse hapi shtëpi misioni në vendet e kampit socialist duke përfshirë Republikat e ish-Bashkimit Sovjetik, një shtëpie bamirëse në Shqipëri u refuzua me argumentin se këtë mision e kryenin falas strukturat shtetërore të arsimit dhe përkujdesjes në Shqipëri. Kur e gjithë bota e vlerësonte shenjtoren shqiptare dhe i dha një imazh kaq pozitiv vendit tonë, është kaq e turpshme se si regjimi i Enver Hoxhës nuk e pranonte, madje ajo nuk arriti të vizitonte as nënën e saj të sëmurë, e cila u nda nga jeta me një breng të madhe. Që në vitin 1967, Enver Hoxha mori nismën për mbylljen e objekteve të kultit  dhe ndalimin e besimeve fetare, duke e shndërruar Shqipërinë në vendin e parë ateist në botë. “Nënë Tereza” nuk erdhi për të propaganduar besimin e saj, por për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve. Ajo erdhi të rrezantonte mirësinë e saj në një vend ku vetëm e kishin refuzuar, erdhi t’u jepte zemrën e saj vëllezërve të një gjaku, t’i nxirrte sadopak nga ai mjerim ekonomik dhe kulturor.  Si është e mundur që në ditët e sotme ka shumë individë që e duan dhe e vlerësojnë atë regjim, i cili kreu makabritete dhe e la vendin shumë mbrapa?! Shtëpitë e Misionit të Bamirësisë së Nënë Terezës në Shqipëri e filluan aktivitetin e tyre në mars 199,1 në Tiranë e në Shkodër.

Vizita e “Nënë Terezës” në Shqipëri, në vendin ku ishte ndaluar besimi fetar, është komentuar mes diplomatëve të vendeve rezidentë në Shqipëri. Komentet e shprehura të diplomatëve do t’i paraqiteshin Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit, nga Ministria e Punëve të Brendshme, në 18 gusht të vitit 1989. Në tërësi të qëndrimeve, rezulton një qasje dualiste mes tyre. Diplomati çek ishte shprehur se opinioni i përgjithshëm për vizitën e Nënë Terezës dukej i mirë, u prit nga personalitetet shqiptare dhe se ardhja e saj ishte e nevojshme. Ai vijonte të dëshmonte se ajo kishte një popullaritet të madh në botë, sepse kishte punuar shumë për shërbimin njerëzor dhe, fakti që ajo kishte jetuar në sistemin kapitalist, mbase kishte ndikuar në ndjekjen e kësaj rruge. Gjithashtu, përmendej në fjalët e tij vizita e Nënë Terezës në New York, takimi me figura si Regani, Papa, apo shërbimi në vende të ndryshme që kishte kryer, së fundmi në Bejrut. Ambasadori vietnamez do të ndalej te filmi i transmetuar në Pallatin e Kongreseve mbi jetën e Nënë Terezës. Ideja e tij e vendoste theksin tek aspekti fetar, pritja e nënës katolike me origjinë shqiptare në vendin kur dikur ishte i ndaluar besimi fetar. Sipas tij, në Shqipëri nuk ekzistonte zyrtarisht besimi fetar, por brenda familjeve ai nuk mund të ndalohej. Ende njerëzit i ruanin zakonet e tyre. Por në përgjigje, diplomati çek do të sillte një pikëpamje tjetër të dokumentarit mbi Nënë Terezën, ku sipas tij në të shfaqej interesi propagandistik për Shqipërinë, në momentin që shpalosej vështirësia ekonomike në të cilat jetonte shoqëria shqiptare, duke krahasuar se problematika shoqërore të tilla viheshin re edhe në Perëndim. Për atë, filmi mbi Nënë Terezën dhe ardhja e saj nuk ndikonte në qëllimet socialiste, sepse populli ishte ateist dhe nuk kishte njohuri nga pikëpamja fetare. “Nënë Tereza” do të mbetet në histori krenaria e Shqipërisë, kujtimi më i bukur që do të përcillet te brezat, shembulli më i mirë i dashurisë dhe përkujdesjes për tjetrin.

 

 

 

Please follow and like us: