“Të shpëtohet afresku i Shpatarakut!”, një libër i ri i Qerim Vrionit
Nga Sazan Goliku
Kohët e fundit doli nga shtypi në qarkullim përmbledhja publicistike e studiuesit të fotografisë, publicistit dhe fotografit, Qerim Vrioni. Brenda tij përfshihen mbi njëzetë shkrime të autorit të botuara në shtypin shqip në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj. qysh prej vitit 2003.
Botimi ndahet në pesë pjesë: Kreu i parë titullohet “Çështje shoqërore”, ku përfshihet edhe shkrimi “Të shpëtohet afresku i Shpatarakut”, që i ka dhënë edhe titullin librit. Në këtë shkrim ngrihet publikisht shqetësimi i autorit të librit për gjëndjen e tanishme jo të mirë, të afreskut “Apokalipsi” të Kostandin Shpatarakut brenda Kishës së “Shën Marenës” në Llëngë të Pogradecit. Afresku ose piktura murore (130 cm x 240 cm), që ndodhet në një faqe muri të kishës, është përfunduar nga mjeshtër Shpataraku në tetor të vitit 1754, pra rreth 270 vite më parë. Ka shumë të ngjarë që kjo vepër të jetë edhe më e vjetra e llojit në të gjithë trojet shqiptare. Vartësia e dyfishtë e Kishës, brenda saj edhe Afreskut, nga shteti (Ministria e Kulturës) dhe Metropolia e Korçës, duket se nuk është e dobishme për mirëmbajtjen e veprës së rrallë të Shpatarkut. Ndoshta jo pa qëllim, autori i botimit ka vendosur në ballinën e librit dy foto detaje të afreskut të fotografuara më 1990 dhe 2022, ku dallohet qartë dëmtimi i afreskut vetëm brenda 32 vitesh.
“Shënime për libra dhe ekspozita fotografije”, përmbanë kreu i dytë, të publikuara së pari në shtyp posaçërisht për raste të tilla të caktuara, botime dhe paraqitje fotografish në ekspozita të hapura në vend. Shkrimet e këtij kreu janë të karakterit të analizave dhe reçensioneve.
Kreu i tretë i botimit, emërtohet “Figura të shquara”, ku shkrimet e përfshira në të bëjnë fjalë për personalitete të tilla të njohura në kulturën tonë kombëtare si Ramadan Sokoli (muzikë), Piro Naçe (fotografi), Vangjush Mio (pikturë), Sadri Ahmeti (poezi dhe pikturë), Pano Taçi (poezi), Bajram Sefaj (letërsi dhe publicistikë), Fatos Baxhaku (publicistikë), Luan Mulliqi (skulpturë) etj. dhe mjaft të dalluar për kontributet e tyre në fusha të ndryshme. Të gjithë këta janë ndarë nga jeta prej kohësh, me përjashtim të Bajram Sefaj dhe Luan Mulliqit, që nuk e kanë mbushur vitin e shuarjes. Shtysat për botimin së pari të këtyre shkrimeve kanë qënë edhe kalendarike, p.sh., ngjarje thelbësore të jetës së tyre.
Kreu i katërtë titullohet “Nga Fotografia Botërore”. Brenda tij trajtohen pjesë nga krijimtaria më e zgjedhur e fotografëve të njohur ndërkombëtarisht si Jousuf Karsh (kanadez), Arnold Newman (amerikan), Ara Guler (turk) dhe Hyppolyte Bayard (francez). Dy të parët, Karsh dhe Newman, mbahen edhe nga fotoportretistët më të suksesshëm në botë, ndërsa i treti, Hyppolyte Bayard, është një nga katër shpikësit e fotografisë. Gjithsesi, të katër këta mjeshtra të aparatit, futen edhe në ajkën e historisë botërore të fotografisë.
Në pjesën e fundit, janë paraqituar dy intervista të autorit të përmbledhjes rreth veprimtarisë së tij krijuese në vite. E para e transmetuar drejtëpërdrejtë në seksionin shqip të radios britanike BBC me gazetarin Ilir Kadia, më 9 qershor 2009, ndërsa e dyta e zhvilluar me publicistin e njohur nga Prishtina Bajram Sefaj, është botuar në faqet e gazetës kulturore “ExLibris”, më 27 gusht 2022.
Përmbledhja “Të shpëtohet afresku i Shpatarakut” i Qerim Vrionit, për nga larmija e temave, trajtimi i tyre e sidomos mbështetja e trashëgimisë historike e kulturore të vendit, flet qartë edhe për horizontin e gjerë kulturor të autorit.
Please follow and like us: