Gjen. Gëzim Ostrenit takohet me pedagogë dhe studentë të Kolegjit Universitar të Bisnesit (KUB)
Nga Sakip Cami
Gjeneral Gëzim Ostreni nga Dibra e Madhe RMV është hero i gjallë i dy luftërave të shqiptarëve të Kosovës më 1999 dhe i shqiptarëve të Maqedonisë në vitin 2001.
Gëzim Ostreni ish shef i Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të shqiptarëve të Maqedonisë është një figurë e rëndësishme në historinë dhe luftën për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Drejtimi me kompetencë i luftës 6 mujore të shqiptarëve të Maqedoni nga Gjeneral Gëzim Ostreni bëri të mundur sigurimin e fitores pa asnjë humbje jete ushtarakësh dhe civilësh dhe në aspektin politik ndërkombëtar u arrit Marrveshja e Ohrit e firmosur nga Presidenti dhe qeveria maqedonase, nga përfaqësuesi i shqiptarëve Ali Ahmeti, nga përfaqësuesi i ShBA dhe BE, marrëveshje e detyrueshme për zbatim që çoi në realizimin e kërkesave dhe të drejtave të shqiptarëve.
Pas vitit 2001 Gëzim Ostreni bëhet deputet dhe zv kryetar i Parlamentit të Maqedonisë.
Gjeneral Gëzim Ostreni është doktor i shkencave në fushën e sigurisë dhe autor i disa librave me temë shkencore, historike dhe publicistike.
Ndër to mund të përmendim:
-“Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, shkaqet, lufta dhe paqja, një libër voluminoz me 1050 faqe, dhjetra harta dhe i shoqëruar me një CD, dokumentar të gjatë ku pasqyrohet kjo luftë.
⁃ “Dëshmia në Gjykatën e Hagës” në tre gjuhë: anglisht, shqip dhe maqedonisht. Gjatë kësaj dëshmie 19 ditore, Gjeneral Gëzim Ostreni argumentoi para gjyqtarëve ndërkombëtarë luftën e drejtë të shqiptarëve të Maqedonisë.Marrë ngs proces verbali i Gjykatës së Hagës.
⁃ Libri i bardhë, që përmban të gjithë të vrarët e të masakruarit shqiptarë nga Mbretëria Serbe, Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, nga RFJ dhe shteti maqedon që nga viti 1878 deri në vitin 2000 që shkon deri në 1 milion njerëz, fëmijë, gra, burra, pleq e të rinj.
⁃ “Shpresa dhe zhgënjime gjatë dhe pas luftës së II Botërore” është libri që argumenton përse shqiptarët e Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të zi ishin kundër koalicionit BS, ShBA, GB dhe për rrjedhojë edhe kundër koalicionit midis Fr NÇl të Shqipërisë dhe PKJ e asaj maqedonase. Ata kishin vuajtur 30 vjet nën Serbi e Sllavo maqedonas e kurrësesi nuk mund të luftonin krah tyre dhe për llogari të tyre që do të thoshte vazhdim i shtypjes dhe terrorit ashtu sikurse ndodhi në fakt pas vitit 1944 e që vazhdoi deri në vitin 1999.
Gjeneral Dr. Gëzim Ostreni u mikprit në Tiranë dhe në mjediset e KUB nga rektori Prof. Dr. Ylber Bezo.
Gjatë takimit të hapur në një nga sallat e Fakultetit të Inxhinjerisë Informatike të Kolegjit Universitar në fillim të pranishmit ndoqën një dokumentar (CD) përgatitur nga Gëzim Ostreni mbi shkaqet, luftën dhe paqen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në vitin 2001.
Ky dokumentar i gjatë (CD) shoqëron librin e tij “Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, Shkaqet, Lufta dhe Paqja në Maqedoni në Vitin 2001, fakte të dokumentuara e përjetuara.
Mesazhi i gjeneral Ostrenit mbetet një thirrje për respektimin e të drejtave të shqiptarëve, por gjithashtu një shembull për angazhimin e drejtuesve politikë e shtetëror për një paqe të qëndrueshme, në përputhje me normat ndërkombëtare dhe drejtësinë shoqërore.
Takimin e moderoi Prof. Asoc. Dr. Edit Bregu, e cila u prezantoi shkurt të pranishmëve jetën dhe veprën e Gjeneral Gëzim Ostrenit.
Mbi krijimtarinë e zotit Ostreni foli biografi i tij, studiuesi i historisë ushtarake S. Cami.
Gjeneral Dr. Gëzim Ostreni në fjalën e tij në mënyrë të sinkronizuar shpjegoi se si u bë e mundur organizimi, lufta dhe paqja e arritur.
Prof. Assoc. Dr. Simon Gega vlerësoi figurën dhe veprën e lënë pas nga ky hero i shqiptarisë. Është fat për ne kjo ditë që e kemi midis nesh, nëmvizoi ai.
Rektori i KUB Prof. Dr. Ylber Bezo në fjalën e tij falenderuese nënvizoi faktin se koha ecën dhe heronj të tillë, asete të kombit shqiptar duhet t’i mbajmë midis nesh e të mësojmë nga vepra e tyre.
Për mbarëvajtjen e kësaj veprimtarie një ndihmesë të çmuar dhanë Prof. Assoc. Dr. Shpëtim Cami dhe Ing. Ilmi Hasa.