Ilirian Zhupa: Jo heshtje, jo harrim
As jemi ndarë,
As kemi fjetur;
Heshtja ka folur,
Zëri ka heshtur.
Ti, në Veri,
Në Verilindje
Të kraharorit tim
Dhe brengë dhe dhimbje.
Rrëmbehemi me sy,
Si në legjenda;
Kemi një shpend,
Që na rreh brenda.
Na ndajnë rrufetë,
Na djegin gjysëm,
Na mohojnë shtegun
Ku u nisëm.
Dërgojnë erëra,
Dërgojnë rrebeshe,
Kërkojnë harrimin
Tonë dhe heshtjen.
Po në Veri,
Në Verilindje
Të kraharorit tim
Rreh zemra ime.
1986.