Albspirit

Media/News/Publishing

Poetja Irma Kurti nderohet me çmimin “Golden Pen” në Kore

Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti nderohet me çmimin “Golden Pen” (Pena e Artë) nga Shoqata Koreane e Letërsisë Botërore (KAOWL) në bashkëpunim me gazetën koreane “Kulturë & Njerëz” (CNPN). Ky vlerësim i jepet me këtë motivacion: “Në njohje të arritjeve tuaja të jashtëzakonshme, Shoqata Koreane e Letërsisë Botërore dhe Gazeta “Kulturë dhe Njerëz” ju akordon Çmimin ‘Pena e Artë’. Veprat tuaja të shquara kanë kontribuar në përparimin e letërsisë botërore”.

Në juri bënin pjesë poetë dhe krijues të njohur koreanë dhe ndërkombëtarë si: Dr. Kang Byeong-Cheol, Dr. Yang Geum-Hee, Dr. Lee Hye-Seon, Ms. Lee Hae-Kyung, Dr. Siyoung Doung, Ms. Im Sol Nae dhe Kim Sun-Young etj. Në edicionet e mëparshme, personalitete të tjera që kanë dhënë një kontribut të çmuar në fushën e letrave janë nderuar me “Penën e Artë”. Ndër ta përmendim: poeti dhe përkthyesi me famë botërore Germain Droogenbroodt (Spanjë), Katica Kulavkova (Maqedonia e Veriut), Kazimierz Burnat (Poloni), Lidia Chiarelli (Itali), Dr. Rahim Karim (Kirgistan).

https://www.cnpnews.co.kr/news/articleView.html?idxno=10243

IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka fituar shumë çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali, Zvicër, ShBA, Filipine, Greqi, Liban, Kinë dhe Kore. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë poetike. Në vitin 2022 iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Në 2023 u nderua me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër. Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.

Irma Kurti ka botuar shumë vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Poezitë e saj janë përkthyer në 40 gjuhë. Ajo është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 24 vende të botës.