Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA ndryshon aplikimet për llotarinë amerikane

Administrata Trump ka vendosur të ndryshojë rregulloren, duke kërkuar tani që individët të cilët pretendojnë rezidencë të përhershme në SHBA, duhet të aplikojnë nga vendet e tyre të origjinës.

Rregulli ekzistues, i cili u lejonte aplikantëve të ndryshonin statusin e tyre dhe të aplikonin për “green card” teksa banonin në SHBA, tani do të lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Kjo mund të çojë në pritje të gjata ose në shkëputje të përhershme nga SHBA për aplikantët që detyrohen të kthehen në vendet e tyre për të aplikuar.

Një politikë e tillë duket se shënjestron individët me viza studentore ose turistike të cilët përpiqen të zgjasin qëndrimin e tyre përmes martesës, punësimit ose ndryshimeve të tjera të statusit.

Vitin e kaluar, administrata Trump rriti tarifën e aplikimit për vizën H-1B për profesionistët e kualifikuar në 100,000 dollarë duke e rritur ndjeshëm pengesën për hyrje në SHBA.

Shërbimi i Emigracionit në SHBA njoftoi se shtetasit e huaj që duan të aplikojnë për green card, duhet ta bëjnë këtë përmes ambasadave dhe konsullatave amerikane në vendet e tyre të origjinës. Aplikimet nga brenda SHBA-së do të lejohen vetëm në rrethana të veçanta.

“Mbajtësit e vizave jo-emigruese, si studentët, punëtorët e përkohshëm dhe udhëtarët, vizitojnë SHBA-në për qëllime specifike afatshkurtra dhe sistemi ynë është projektuar në mënyrë të tillë që pas vizitës, ata të largohen. Vizitat e tyre nuk duhet të bëhen hapi i parë drejt rezidencës së përhershme“, theksoi Shërbimi i Emigracionit në SHBA.

Në SHBA lëshohen më shumë se 1 milion green card çdo vit dhe mbi gjysma aplikohen nga individë që tashmë jetojnë në vend përmes ndryshimit të statusit, sipas një sondazhi.