Cikël poetik nga Avdush Canaj
KËNGA FLUTUROI NË SHI
Dua të më lag pranvera
tha kënga dhe fluturoi në shi
çadra gazit u shkri
në vetull të shkallëve
PËRQAFOI DITËN E QESHUR
Zogu hapi dritarën e librit
Përqafoi ditën e qeshur
Me këngën e violinës magjike
TUNDI RRJETËN E ËNDRRËS
Topi ëndërronte në kopsht
fluturimin te retë
tundi rrjetën e ëndrrës
me dy gola bubullime
Kur ëndrra iku
më zogun e gjumit
sytë i qeshën në duart e barit
PSE IU DRIDH DORA RREZORIT
Zemra më tregoi
pse iu dridh dora Rrezorit
kur ma mikloi gërshetin
në orën e vizatimit
ME CICËRIMA SHKRUAJ NJË LIBËR
Krejt çka flasin drurët
më tregon era
unë pastaj e shkruaj një libër
me cicërima gjethësh
ERA HAPI FLETORËN TIME
Era hapi fletorën time
me gishtin e zymbylit
Donte të dinte
ç’vjershë kam shkruar
Kur e lexoi
i qeshen kaçurelat mbi sy
I tregoi kumrisë
ta këndojë e para
në ballkon të mëngjesit
LOJA FLUTURONTE
Loja s’ndalej, loja.Fluturonte.
Herë si fluturake
herë si sutë e vjershës
Kur u lodh
puhiza ia fshinte djersët e ballit
si motrushja e vogël
S’du të fle shumë, tha,s’dua
sall një grimë të grimës
sërish ta vazhdoj lojën me litar
me lepurishin hopa-hopa
Gjumi s’e pyeti
e zuri në prehër të manushaqes
Kur u zgjua e qeshur si dita
bishtcubi kishte hyrë në përrallë.