Arben Malaj: Të vërtetat e hidhura të Zvërnec-Pishë Poros
Rasti jo vetëm i Zvërnec-Pishë Poros ka disa të vërteta shumë të hidhura, sepse vërtetojnë:
1. Në Shqipëri funksionon mafia e tokës, e krijuar nga gjyqësori dhe e shërbyer nga qeveria;
2. Barbarët që heqin zvarrë protestuesit, janë me licencë qeveritare;
3. Çdo strukturë e shtetit ka rënë në pikën që nuk mbron dot veten.
Qytetarët janë shpronësuar me procedura të përshpejtuara për “strategjikët privatë” të qeverisë.
4. Reforma në drejtesi është turpërisht e dështuar në pjesen e saj penale, civile dhe administrative.
5. Në stokun e 200.000 dosjeve, lëngojnë të shtypura, të mohuara dhe të vjedhura edhe pronat e pronarëve të zonës së Zvernecit dhe Pishë Poros, që po protestojnë paqësisht dhe qe duhen mbështetur nga të gjithë;
6. Kjo mosnjohje e pronës për banorët e zonës është bërë nga qeveritarë dhe gjyqtarë rrënjësisht të korruptuar, që janë shndërruar në pronarë apo qëndrojnë mbi pronat ligjore të banorëve protestues.
7. BE i ka kërkuar Shqipërisë të anulojë ligjin shpronësues dhe varfërues për shqiptarët, ligjin që vazhdon kriminalizon ekonominë dhe politikën shqiptare, pikërisht ligjin për investitorët strategjikë, ku pa garë, pa transparencë dhe vetëm për përfitim absolut ekonomik të qeveritarëve të babëzitur dhe politikanëvë/skllevër vullnetarë ndaj udhëheqësit vazhdohet barbërisht vjedhin bashkërisht pronat e pronareve të ligjshëm.
Bile aq të fortë janë sa shteti i vet-nënshtruar rri dhe i sodit kur ata i rrahin protestuesit, i përçmojnë dhe i shtypin me një pashpirtësi deri në kriminale pronarët realë të tokës.
8. Qeveria e partneriteteve publike-private personale preferenciale (5P) nuk do ta nxitojë anulimin e këtij ligji deri sa të babëziturit të zaptojnë çdo hapësirë publike dhe private, që ata dëshirojnë dhe zaptojnë edhe zvarritje deri kriminale të protestuesve.
Pak vlerësime vetëm profesionale, për një njoftim publik për përfitimet çudibërëse të këtij investimi:
1. Populli shqiptar thotë: “Dielli duket që në sabah”.
Kompania fillon rrethimin dhe angazhoi policinë private me sjellje barbare, pa asnjë tabelë sqaruese për projektin. Detyrim ligjor.
Mungesa e transparencës është kundër asaj deklarate të stërgjatur, thjesht dhe vetëm justifikuese.
2. Shoqëria nuk kërkoi asnjë ndjesë publike për barbarinë se si u keqtrajtuan banorët, pronarë ligjorë, por të vjedhur si edhe protestuesit mbështetës.
3. Kompania pretendon se do të investojë 4 miliardë dollarë, po kush është kalendari i investimit?
Populli i mençur shqiptar këshillon kur thekson se: Kur digjesh nga qulli i Alabarit në Durrës, duhet t’i frysh edhe kosit në lugën e florinjtë të 5P-ve në Zvërnec.
4. Djalli qëndron në detaje, prandaj ata në atë sqarim prezantojnë shifra dhe me efekte çudibërëse.
5. Nëse investimi është për 10, 20 apo 25 vite, shuma vjetore është 40 milionë në vit dhe 200 milionë në vit nëse është për 20 vite.
6. Investimet dhe shpenzimet e pakryera në ekonomi gjatë viteve të fundit janë 300 deri në 400 milionë në vit.
Pra ato shifra thjeshte “mbyllin gropa” por nuk ndertojnë maja të larta të rritjes ekonomike.
Pra, kompania nuk e ngre dot më lart ekonominë shqiptare, por mbush gropat e dështimeve të qeverisë më autokratike në Evropë.
7. Kompania pretendon se do ta rrisë GDP-në e vendit tonë me 3-4%.
Si efekt multiplikator gjatë funksionimit apo vetëm gjatë ndërtimit?
Në të dyja rastet është e pamundur.
8. Efekti i përfituar në ekonominë reale të shqiptarëve do të jetë shumë larg këtij premtimi euforik mbi dobinë reale të tij tek ekonomia, por aq më pak tek të ardhurat reale të disponueshme të shqiptarëve.
Shqipëria po bëhet më e shtrenjtë dhe shqiptarët po bëhen gjithnjë e më të varfër.
9. Ky thellim pabarazie dhe rritje varfërie nga rënia e të ardhurave reale të disponueshme të klasës së mesme, pensionistëve, të varfërve dhe përfituesve nga paketa e kohezionit dhe solidaritetit social është kërcënim real dhe në rritje!
Këto efekte ndikohen nga inflacioni i rritjes së çmimeve, nga efekti i kërkesës së rritur nga para informale dhe kriminale të nxitura dhe “të mirëpritura” , nga qeveritarët e babëzitur deri në kriminalizim.
10. Kjo për dy arsye kryesore, bazuar edhe në realitetin jetësorë dhe jo në propagandën e bazuar tek efektet çudibërëse te turizmit:
A.
Qeveria deklaron se kemi 14 milionë turistë në vit dhe me efekte në rritje të ekonomisë dhe të turizmit, por bujqësia është për shumë vite me rritje ekonomike negative.
Pra këto resorte do te rritin importin e ushqime dhe do të rritin deficitin tregtar.
B.
Kemi “rritje çudibërëse” të turizmit për disa vite, por rritja ekonomike për të gjithë ekonominë, varion nga 3.2 deri në 3.5%.
Prandaj është joreal dhe euforike vlerësimi që 10.000 shtrete mund të kontribuojnë më shumë se 14 milionë turistë.
C.
Vlerësimi është tërësisht jo profesional që ky investim do të rrit 3-4 % GDP-në, kur kontributi i turizmit aktual i të gjithë mallrave dhe shërbimeve është rreth 20%.
Ekonomia shqiptare mund te rritet me ritme më të larta, me aftësi më konkurruese edhe përballuese ndaj goditjeve të jashtme dhe si një rritje e drejtë me përfitime pozitive reale dhe të prekshme, vetëm kur të garantohet e drejta universale dhe kushtetues e pronës private, kur gjyqësori të jetë realisht i pavarur, i pacënueshëm dhe i pa nënshtruar dhe kontrolluar nga politika, vetëm kur të luftohet realisht korrupsioni dhe kapja e shtetit, qe vërtetohet plotësisht në partnetitetet publike-private- personale (5P-të) qe dëmtojnë konkurencën, cilësinë e lartë dhe kostot e ulura të mallrave dhe shërbimeve dhe që ushqejnë kapjen e shtetit.