Ymer Çiraku: Mbi librin “Portat e kujtesës” të Vasil Mukës
Vasil Muka apo Baçi, siç e thërrasim ne të njohurit e tij, si librin e tij të mëparshëm, ashtu dhe këtë që po promovojmë sot, m`i ka dhënë për lexim qysh në dorëshkrim. Këtë e kam ndjerë si privilegj të një shoqërie të hershme. Me Baçin kam kaluar vite të fëmijërisë dhe të rinisë në lagjen “Pazar i vjetër”, atje ndënë kalanë historike të Gjirokastrës.
Mund të them se është një metaforë e bukur dhe fort e gjetur, qysh titulli i librit: “Portat e kujtesës”. Dhe për një qytet jo të zakontë si Gjirokastra, këto janë ato Portat e Mëdha të një memorie po aq të madhe – brenda historisë së atij qyteti emërmadh.
Baçi e ka dëshmuar edhe në librin e tij të parë, por edhe në shkrimet e shumta në rrjetet sociale, se i është përkushtuar kujtesës, apo mos-harrimit të të gjithë atyre labirinteve të pasurive njerëzorë dhe arkitekturorë, të një qyteti jo të zakontë, siç është Gjirokastra.
Ka kuptim edhe përkushtimi në krye të librit – për mbesën e tij të vogël. Që do të thotë se garantët, apo rojtarët më të sigurt të Kujtesës, për qytetin dhe njerëzit e tij, janë brezat e rinj. Pra, janë ata që vijnë më pas, në kohërat e erërave të furishme të globalizmit, të teknologjive marramendëse të inteligjencës artificiale.
Unë personalisht jam mrekulluar me tërë atë mori emra njerëzish të përmendur, atë inventar dyqanesh, rrugësh, zanatesh, historish, që Baçi i risjell me skrupulozitet dhe duke i ruajtur besnikërisht, në ato trajta si ato janë emërtuar e vlerësuar nga bashkëqytetarët.
Ky pasion i shfaqur herëpashere në shkrime dhe postime të hedhura dendur në rrjetin social Facebook nga V. Muka, më sjellin ndërmend shkrime të dikurshme të Musine Kokalarit në vitet `40, më vonë të Muzafer Xhaxhiut, Mimoza Kore Karagjozit, Shpëtim Emirit, Andon Lulës, Baftjar Dobit, Sotiraq Nakës dhe të tjerëve, që janë marrë me risjelljen e pasurive të së folmes dhe traditave kulturore e shpirtërore gjirokastrite.
Në këtë libër, Baçi bën “skanerin historik” të qytetit, duke na sjellë Lagjet, Fiset, Banorët, Institucionet, sokakët e kalldrëmta, gastronominë tipike lokale, ngjarje të ndryshme arsimore dhe kulturore të qytetit…Nuk njeh të ndalet së regjistruar “kamera” e kujtesës së tij mbresëlënëse.
Baçi është një kronikan i vërtetë dhe fort i apasionuar i qytetit të tij. Në kuptimin më të mirë të fjalës. Ka shumë njerëz që kanë ikur nga kjo botë, rrugë dhe ambiente që kanë ndryshuar – edhe në një qytet historik si Gjirokastra. Pra, zanate të harruar, dyqane e shërbime që i kanë humbur funksionet e dikurshme. Psh të kujtojmë edhe një librari si ajo e Alizot Emirit, që ishte një pikë referimi e autoritetshme te Qafa e Pazarit. Mund të thuhet se ishte për kohën një lloj Akademie, ku mblidheshin intelektualët më në zë të qytetit.
Por ja që në librin e Baçit, ato pasuri të dikurshme i kemi pajdash (siç thonë gjirokstritët) – para syve si dikur. Duke i kujtuar dhe duke i përmalluar të sotshmit, për të kaluarën e qytetit.
Libri nuk ka ndjekur ndonjë strukturë kohezive. Siç e thotë dhe poeti Sadik Bejko në parathënien e tij sintetike dhe mjaft shprehëse, ky nuk është libër shkencor. Këtu janë derdhur me bollëk të dhëna, ngjarje, histori, qofshin këto edhe personale, por të lidhura me njerëzit, brenda Gjirokastrës, por edhe përtej tij. Si në rastin me miqtë e Mëziut të largët, në Veri të Shqipërisë, ku dikur Vasua punoi disa vite me përkushtim si mësues. Ai ka shkruar edhe një libër plot nderim e mirënjohje mbi jetën e këtyre njerëzve. Baçi edhe sot i ruan fort lidhjet me ta, merr pjesë në gëzimet dhe në hidhërimet e tyre.
Më ka rastisur të më thotë në mes të takimit që kemi patur: “Ika se më kanë ardhur miqtë e Mëziut”, apo “Jam në një dasmë të djalit të një shoku nga Mëziu…”. Apo kur e thërres në telefon ma pret: jam në universitet. Në një rast tjetër: jam në kishë, jam te bletët, jam te toka e disa miqve në periferi të Tiranës për të punuar e mbjellë…
Ky është Baçi. Njeriu i dashur, përherë i gatshëm t`u jetë pranë të tjerëve dhe përherë dinamik. Që nuk njeh lodhje. Është qytetari, që kërkon dhe e do rregullin kudo.