Rafaela Prifti: SHBA 250 – duart që përjetësuan Amerikën
Historia e Amerikës është gdhendur nga duart e mjeshtërve emigrantë dhe vijon të skalitet prej tyre. Në festimet e 250 vjetorit të SHBA-së u përurua skulptura “Renaissance of Towers” nga artisti Helidon Xhixha. E ngritur në hyrjen kryesore të aeroportit Miami-Dade, ajo reflekton imazhin e flamurit amerikan, frymëzuar nga Kullat Binjake të Nju Jorkut si homazh për 11 shtatorin. Monumentet më të njohura të kombit janë përjetësuar nga breza emigrantësh, të cilët, me talentin e tyre, shkrinë tek ato vlerat universale me shpirtin vendas.
Mjeshtrit e daltës siç ishin vëllezërit Piccirilli nuk sollën këtu vetëm mjeshtërinë e gdhendjes, por edhe rëndësinë e veprave publike si mesazhe të identitetit kombëtar amerikan. Të thuash se ata ishin gurgdhendës me famë është një përshkrim i zbehtë dhe i mangët. Simbolet bashkëshoqëruese të historisë dhe madhështisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Linkoln-i nga Daniel Chester French në Memorialin e Linkoln-it, Uashington DC, luanët e Bibliotekës Publike të Nju Jorkut dhe gjashtë panelet alegorike të historisë, romancës, fesë, poezisë, dramës dhe filozofisë në fasadën e saj, Katër Kontinentet dhe 12 statujat alegorike në kornizën e Doganës në Bowling Green, pedimenti i Bursës së Nju Jorkut (NYSE), 30 figura alegorike për kornizën e Muzeut të Bruklinit, Monumentin Maine në Central Park dhe Monumentin e Zjarrfikësve në Riverside Park, pedimenti i Senatit amerikan ne Uashington e shumë punime të tjera.
Kur Giuseppe Piccirilli (1844-1910), një gurgdhendës me emër, erdhi bashkë me bijtë e tij nga Masa e Italisë në Nju Jork në 1888, ata sollën me vete një mjeshtëri dhe aftësi gdhendje te paparë deri atëherë ne Amerikë. Babai dhe gjashtë djemtë — Attilio, Ferruccio, Furio, Getulio (Giulio), Masaniello dhe Orazio — ishin skalitës dhe gdhendës mermeri të sprovuar.
Shtëpia-atelie prej guri të murrmë në Rrugën 142 në zonën Mott Haven të lagjes së Broksit që konsiderohet më e madhja studio, u zgjerua nga një anë e rrugës tek tjera. Ishte vendi ku blloqe mermeri për gjysmë shekulli ktheheshin në ikonat më të njohura që do kishte Amerika. Aty vinin personalitete dhe figura shumë të shquara si Teddy Roosevelt dhe Woodraw Wilson.
Megjithatë emri Piccirilli u cilësua se ishte “tepër etnik” për tu vënë në punimet klasike të gdhendura nga duart e tyre dhe Komisioni i Artit në Virxhinia hodhi poshtë skicat e Attilio-s për një bust të Thomas Jefferson, me arsyetimin se emri Piccirilli nuk do të ishte i mirëpritur në Virxhinia. Edhe Komisioni i Përmendores së Lincoln-it hodhi poshtë sugjerimin e skulptorit French për të gdhendur emrin e skalitësve “Piccirilli” në piedestalin e statujës së Presidentit Lincoln. Revistat dhe publiku flisnin me superlativa për krijimet e vëllezërve ku “kremtohej lidhja e natyrës dhe artit duke zbuluar engjëllin nga guri.” Por Vëllezërit Piccirilli shpesh punonin në anonimitet.
Në kohën kur skulptura klasike figurative e humbi shkëlqimin përballë stileve më moderne në vitet 1920 dhe ’30, lidhja me monumentet u zbeh në kujtesë dhe mjeshtërit po ndërronin jetë një pas një. Në vitin 1954 vdiq Orazio, vëllai i fundit Piccirilli. Gazeta Washington Evening Star e përshkroi kontributin e tyre për artin amerikan me këto fjalë: “Ata që ndoshta nuk e kanë dëgjuar kurrë emrin e tyre kanë arsye t’u jenë mirënjohës për veprën e tyre“.
Historia e Amerikës, e gdhendur në monumentet e famshme të saj, është krijuar nga duart e emigrantëve që i bënë gurët të flasin. Vëllezërit Piccirilli, ashtu si bashkësi të tjera e ndërtuan me djersë e daltë lavdinë e këtij vend.
Amerika u konceptua nga vizionarët por u përjetësua nga talenti dhe sakrificat e emigrantëve të atëhershëm dhe të sotëm. Dy skulptorë shqiptarë të spikatur, Helidon Xhixha dhe Ndriçim (Jimmy) Bejko gërshetojnë trashëgiminë e pasur shqiptare të gdhendjes së gurit dhe muraturës me artin bashkëkohor në Shtetet e Bashkuara. I lindur në Durrës dhe i vendosur në Milano, Helidon Xhixha punon kryesisht me çelik inox të lëmuar dhe gur. Ndër instalacionet e tij publike monumentale përfshihen projekte pranë Memorialit të 11 Shtatorit në Nju Jork dhe skulptura “Endless Melody” në qendër të Miamit. Ndriçim (Jimmy) Bejko është artist shqiptaro-amerikan në zonën e Bostonit. Ai ka mbi 20 vjet përvojë në artin e Skulpturës Monumentale dhe është i njohur për dizajnet e tij komplekse si edhe realizime të strukturave tridimensionale.
Kur fishekzjarrët të ndriçojnë mbi simbolet e mëdha të vendit në spektaklet e 250 vjetorit të Amerikës, le të shndrisin mbi ata që i ndërtuan ato dhe tek duart e skalitësve emigrantë, që me mund e sakrificë e përjetësuan historinë e këtij kombi në gur e çelik.