Albspirit

Media/News/Publishing

4 KORRIK, 2026 — 250-VJET AMERIKË: NJË MIQËSI QË NDRYSHOI PËRGJITHMONË HISTORINË E SHQIPTARËVE

Frank Shkreli

Megjithë problemet e brendshme dhe protestat prej më shumë se një muaji, Frank Shkreli: Kur zgjohet rinia, dridhen elitat. A po vjen më në fund ndryshimi në trojet shqiptare?! | Gazeta Telegraf —

në Tiranë dhe qytete të tjera shqiptare vazhdojnë protestat masive studentore-qytetare kundër regjimit të Kryeministrit Edi Rama dhe politikave të tija ekonomike dhe shoqërore.  Nën hijen e protestave anti-qeveritare ne Tiranë, 4 Korriku, 2026 shënon 250-vjetorin e Amerikës – një ditë që shqiptarët kudo festojnë dhe kujtojnë sot këtë përvjetor me rëndësi për dy kombet e mëdha mike –Kombit Amerikan dhe atij shqiptar – por ndoshta duhet të shërbejë edhe si një rast për të reflektuar edhe për demokracinë, lirinë dhe protestat e qytetarëve me fokus të drejtat e tyre si qytetarë të atj vendi.

Por qëllimi i këtij shënimi modest eshtë 250-vjetori i Amerikës dhe rëndësia e këtij përvjetori për shqiptarët gjatë 100- e ca viteve lidhje  midis dy popujve tanë.  Kur Amerika i doli zot Kombit Shqiptar.  Dyqind e pesëdhjetë vjet më parë, atëbotë, lindi një republikë e ndërtuar mbi idealet e lirisë, dinjitetit njerëzor dhe qeverisjes demokratike.  Në kuadër të 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane është një histori besimi, miqësie dhe mbështetjeje në momentet më vendimtare për fatin e Kombit shqiptar, sidomos gjatë 100-viteve të lidhjeve shqiptaro-amerikane: në çastet kur liria, identiteti kombëtar, dinjiteti dhe e drejta për të jetuar në paqe u vunë në provë për shqiptarët, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara ishin në krye të përpjekjeve, në mbrojtje të interesave dhe eksistencës kombëtare të shqiptarëve.  Një nga momentet më të rëndësishme të këtyre përpjekjeve të herëshme të fillim shekullit të kaluar, ishte qëndrimi i Presidentit Woodrow Wilson, i cili pas Luftës së Parë Botërore kundërshtoi copëtimin e Shqipërisë dhe mbrojti të drejtën e saj për të ekzistuar si shtet i pavarur, pasi Wilsoni, sipas kujtimeve të Peshkop Fan Nolit, i kishte premtuar atij se një zë që do kishte në Konferencën e Paqës, atë zë do e përdorte në mbrojtje të Shqipërisë. Ky angazhim amerikan i asaj kohe, mbetet një nga gurët themelorë të miqësisë shqiptaro-amerikane, mbi 100-vjeçare.

Por lufta kundër shqiptarëve dhe të drejtave të tyre në Ballkanin Perendimor nuk pushoi kurrë.  Dekada më vonë, gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Presidenti George H. W. Bush, gjithnjë në mbrojtje të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre në tokat e tyre shekullore – përball kërcënimeve serioze për spastrim etnik dërgoi një mesazh të qartë amerikan, në reagim të kërcënimeve serbe kundër shqiptarëve të Kosovës për regjimin e Beogradit. Në dhjetor 1992, paralajmërimi i njohur si “Paralajmërimi i Krishtlindjeve” (“Christmas Warning”) i Presidentit Bush, bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara do ta konsideronin, me seriozitetin më të madh, çdo përdorim të forcës ushtarake serbo-jugosllave kundër shqiptarëve autoktonë në Kosovë. Ky ishte një sinjal i fortë amerikan dërguar regjimit terrorist serbo-jugosllav se Amerika nuk do të qëndronte indiferente përballë një përshkallëzimi të dhunës serbo-sllave kundër shqiptarëve.

Por, megjithë paralajmërimet amerikane, për mos shkelje vizash së kuqe në Kosovë, kriza politike dhe ushtarake në Kosovë arriti kulmin nga fundi i 1990-ave. Kësaj radhe qe një president tjetër amerikan, Presidenti Bill Clintoni që i erdhi në ndihmë shqiptarëve.  Presidenti Clinton udhëhoqi politikën amerikane kundër Serbisë që çoi, më në fund, në ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave terroriste serbe, duke ndaluar spastrimin etnik dhe duke krijuar kushtet që Kosova të ndërtonte rrugën e saj drejt lirisë, shtetësisë dhe më në fund drejt pavarësisë.  Më 10 qershor 2007, gjatë vizitës së tij historike në Tiranë, Presidenti George W. Bush i riu – në vazhdën e mbështetjes amerikane për Shqipërinë dhe për shqiptarë — dha një mesazh të qartë e të fortë në mbrojjtje të të drejtave të shqiptarëve — përsëri nga një President i Amerikës, që u dëgjua në mbarë botën: “Kosova duhet të jetë e pavarur.” Kjo deklaratë shënoi një moment tjetër vendimtar diplomatik dhe i dha një shtysë të fuqishme procesit që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Në të gjitha këto momente, Amerika dëshmoi se marrëdhënia me shqiptarët nuk ishte vetëm një aleancë strategjike, por një partneritet i ndërtuar mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe respektit për të drejtat e njeriut.  Një fakt se Shtetet e Bashkuara të Amerikës – pa dallime politike, republikanë e demokratë — kanë zgjedhur gjatë gjithë kësaj historie më shumë se 100-vjeçare me shqiptarët, të qendronin në anën e duhur dhe të drejtë të historisë.  Prandaj, mirënjohja shqiptare ndaj Amerikës dhe popullit amerikan në këtë 250-vjetor nuk është vetëm një slogan politik e madje as edhe ndonjë formulë diplomatike. Por është një mirënjohje historike që buron kryesisht nga kujtesa e fortë historike e një populli që e di mirë se kush i ka qëndruar pranë në ditët më të vështira të historisë së tij moderne. Duke  mos harruar, njëkohsisht, as sot kur valet e e pasigurisë po rikthehen në shumë pjesë të botës dhe kur demokracia dhe liria po përballen me sfida të reja, lidhjet midis Kombit Amerikan dhe Kombit Shqiptar, duhet të mbeten gjithnjë ndër asetet më të çmuara të shqiptarëve kudo.

Me rastin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët kujtojnë me mirënjohje kontributin e popullit amerikan dhe të presidentëve të tij që lanë gjurmë në historinë kombëtare shqiptare. Miqësia shqiptaro-amerikane mbetet një nga shtyllat më të forta të orientimit euroatlantik të Kombit shqiptar dhe një dëshmi se aleancat e ndërtuara mbi vlera të përbashkëta i rezistojnë kohës dhe rreziqeve.  Gëzuar 250-vjetorin, Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Faleminderit që në momentet vendimtare të historisë i dolët zot lirisë dhe aspiratave të Kombit Shqiptar nga sulmet dhe plane grabitqare të huajve.  Unë jam veç një shqiptaro-amerikan dhe flas vetëm në emrin tim personal kur them se, ndërsa Shtetet e Bashkuara kremtojnë sot me 4 Korrik, 2026, 250-vjetorin, komuniteti shqiptaro-amerikan i bashkohet këtij jubileu me një fjalë të thjeshtë, por të mbushur me kuptim historik: THANK YOU, AMERICA!  Faleminderit, Amerikë! Faleminderit që për mua, familjen time si dhe për breza emigrantësh shqiptarë që erdhën në brigjet e tua, me pak pasuri materiale, por me shumë shpresë në zemër, duke u bërë strehë e sigurt për të gjithë ne. Faleminderit që na dhe mundësi të ndërtonim jetë të re, të arsimonin fëmijët tanë dhe të bëheshim pjesë e një shoqërie ku puna, talenti dhe përkushtimi vlerësohen më shumë se prejardhja etnike.  Faleminderit që në momentet vendimtare të historisë kombëtare të shqiptarëve qëndrove pranë aspiratave të shqiptarëve për liri, demokraci dhe të drejta njerëzore. Kujtoj në në këtë 250-vjetor se në Amerikë, ne shqiptarët nuk gjetën vetëm një atdhe të dytë. Këtu gjetëm një vend ku mundën të ruanin identitetin, gjuhën, traditat dhe besimin, duke u bërë, njëkohësisht, qytetarë krenarë amerikanë. Kjo pra është forca e modelit amerikan në këtë 250-vjetor: uniteti kombëtar amerikan, pa kërkuar uniformitet.  Nuk është rastësi që figurat më të ndritura të diasporës sonë, e deri te veprimtarët e shumtë të komunitetit shqiptaro-amerikanë, e shohim Amerikën si tokën ku liria dhe përgjegjësia qytetare ecin krah për krah. Sot, ndërsa festojmë këtë përvjetor me rendësi le të kontribojmë  në ndërtimin e Amerikës dhe të falënderojmë brezat e amerikanëve që ndihmuan çështjen shqiptare në kohë sfidash dhe sakrificash.

Historia e komunitetit shqiptaro-amerikan është një histori mirënjohjeje, por edhe kontributi. Është historia e njerëzve që erdhën për të kërkuar  liri, mundësi dhe që, në këmbim, i dhanë Amerikës punën, dijen, kulturën dhe përkushtimin e tyre. Në këtë 250-vjetor, mesazhi i shqiptaro-amerikanëve si unë, është i qartë: Faleminderit, Amerikë, për lirinë që frymëzon. Faleminderit për mundësitë që krijon. Faleminderit për miqësinë dhe mbrojtjejn që ke treguar ndaj shqiptarëve.

Dhe, siç do të thoshin etërit e diasporës sonë, le të vazhdojë të forcohet kjo lidhje e veçantë mes popullit amerikan dhe popullit shqiptar, e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe besim te liria.

Gëzuar 250-vjetorin, Amerikë!
Me mirënjohje dhe krenari!