Albspirit

Media/News/Publishing

Jani Malo: NDJESË PËR NDJESËN E RAMËS

Kryeministri sot na mallëngjeu kur tha se ndjen “dhimbje për aq shumë njerëz të mirë e të sinqertë që helmohen dhe mbyten në kanalet e dezinformimit”. Madje, ai foli edhe për “ndjesi faji, përgjegjësie, borxhi torturues ndaj tyre” sepse nuk paska ditur të bëj sa duhet, nuk ka ditur ta bëj si duhet për t’i mbajtur ata “të informuar, për t’i parapërgatitur, për t’u dhënë mundësinë të kenë një farë imuniteti nga gjithë viruset e atyre kanaleve…” .
Teksa e dëgjova provova edhe unë një ndjesi faji. Si nuk i paskam dalë në krahë kryeministrit, po qenkam rreshtuar në anën e gabuar, paskam rënë pre e “dështakëzemërakëve” që e sulmojnë. Madje edhe mbrëmë shijova tortat e kripura dhe fare pa sheqer të përgatitura në kuzhinën e “kores së zezë” dhe të servirura në bulevard për datëlindjen e Edi Ramës, kur mund të lumturohesha duke shfletuar librin “The Albanian Files”, dhuratën elitare që i bënë atij dhe të gjithë shqiptarëve “arkitektët e huaj, dhjetë prej tyre të nderuar me “Nobelin e arkitekturës”.
Inkuizicioni i shqiptarëve ndaj arkitektëve me famë dhe sidomos ndaj Edi Ramës, arkitektit të tyre, duhet ta na bëj të ndihemi të gjithë në faj.
Unë, sinqerisht, ndihem në faj! Gjej rastin në këta pak rreshta që t’i them kryeministrit tim:
Mos kërko ndjesë, o Gjigand! Kërkoj unë ndjesë për ndjesën tënde. Ti na duhesh për punë të mëdha. Nuk duhet të kesh fare ndjesi faji. Ke bërë më shumë se sa duhet. Nuk janë pak ata 800 e kusur mijë që e kanë marrë antivirusin tënd. Para shifrës tënde të infektuarit nga algoritmi, këta që për 35 net rresht mblidhen në bulevard, janë sa 1/10 e atyre që mbledh Nojzi në koncertet e tij.
Vetëm një vërejtje kam për ty! Mos ndalo së klonuari. Klono sa më shumë sorra e korrakë! Shpërndaji ata kudo, ca në bulevard e ca në eter, që t’ua nxjerrin sytë sorrave të algoritmit.
Vetëm kështu do e kesh të sigurt fitoren.
Vërtet mund të mos e fitosh NOBELIN, por ama në GUINNESS-in e retorikës irrituese është e sigurt që do hysh!