Albspirit

Media/News/Publishing

Kuvendi i Shqipërisë ka në këtë moment, mundësinë e rrallë të bëjë diçka të thjeshtë: Të refuzojë

Robert Aliaj Dragot

Kuvendi i Shqipërisë ka në këtë moment, mundësinë e rrallë të bëjë diçka të thjeshtë: Të refuzojë.

Të refuzojë miratimin e fondeve publike për financimin e një koncerti privat pikërisht kur qytetarët janë në ditën e tridhjetë e tetë të protestës kundër shpërdorimit të parave publike.

4.2 milionë euro nga buxheti rezervë i shtetit, nga taksat e mësuesit, infermierit, punëtorit të ndërtimit, pensionistit, njerërzve të thjeshtë janë alokuar për të garantuar “mbarëvajtjen” e një eventi privat të organizuar nga një kompani me bazë në Berlin, për një artist i cili nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë, me kulturën e saj, apo me nevojat e saj.

Kanye West është i njohur botërisht jo vetëm si muzikant, por si figurë publike me deklarata antisemitike të dokumentuara, të cilat kanë rezultuar në anulimin e koncerteve të tij në Francë, Britani, Poloni dhe Zvicër. Komuniteti ndërkombëtar çifut e ka cilësuar atë si promotor të urrejtjes. Platformat teknologjike e kanë pezulluar. Partnerët e tij komercialë e kanë braktisur.

Dhe Shqipëria po e financon me para publike.

Kjo nuk është çështje e estetikës muzikore. Është çështje principi: paratë publike kanë qëllim të përcaktuar, shërbime, infrastrukturë, arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale. Jo instrument subvencionimi të enterteiment-it privat ndërkombëtar për të retushuar imazhin, dhe sidomos jo kur subjekti i financimit është një figurë e dënuar gjerësisht nga institucione europiane dhe ndërkombëtare për qëndrime që bien ndesh me vlerat themelore mbi të cilat Shqipëria pretendon të ndërtojë rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.

Kuvendi nuk mund të pretendojë se nuk e di.

Dhe megjithatë, Kuvendi me 83 mandate socialiste nga 140 ka kapacitetin mekanik ta miratojë gjithçka. Pikërisht ky kapacitet mekanik po testohet sot si vetëdije institucionale. A ka akoma ndonjë deputet brenda PS-së ose jashtë saj që kupton se votimi i këtyre fondeve, në këtë moment, me këtë kontekst, nuk është votim buxhetor rutinë?

Është deklaratë politike: se Kuvendi zgjedh vjedhjen.

Kuvendi ka sot vetëm një votë, atë të ndërgjegjes.

Rama paguan 4 milionë euro publike për Kanye West ndërkohë SPAK-u financohet me gjysmën e asaj që kushton vetëm ajo natë.