Albspirit

Media/News/Publishing

Melsen Kafilaj: Letër e hapur drejtuar Dr. Anna Cohen

E nderuar, Dr. Cohen!

Përmes kësaj letre të hapur po ju drejohem ju në lidhje me deklaratën tuaj më të fundit të bërë në emisionin “Shqip” në Dritare TV të drejtuar nga moderatorja Rudina Xhunga ku pohoni se: “Në vitin 1492 Vlora kishte 90% hebrenj dhe 10% shqiptarë”, e cila prodhoi një valë të pashembullt Anti-Semitizmi digjital në Shqipëri me mbi 10.000 komente negative në drejtimin tuaj, të Shtetit të Izraelit dhe të marrdhënieve të shkëlqyera Shqiptaro-Izraelite, të ndërtuara në shekuj.

Ju jeni një personalitet i afirmuar ndërkombtar në fushën e Stomatologjisë dhe një hebreo-shqiptare e nderuar, humaniste dhe me kontribute të rëndësishme në shkencë dhe në jetë dhe si një bijë e Vlorës dhe e Shqipërisë, aty ku keni lerë dhe jeni rritur nuk e keni harruar kurrë vendin tuaj por gjithmonë jeni angazhuar dhe jeni investuar për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve dhe të Shqipërisë në Amerikë dhe në Botë. Libri juaj “Lulja e Vlorës” është thjesht një dëshmi e vogël në lidhje me këtë fakt ku ju jo vetëm i ngrini lart vlerat e çmuara të shqiptarëve, mikpritjen, besën dhe shpëtimin e hebrenjve prej tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore por gjithashtu përmes dëshmive të shumta dhe episodeve historike që rrëfeni përshkruani elementë, vlera, situata dhe ndodhi të cilat gjithashtu ndikuan edhe në formimin e identitetit tuaj, të gjitha për t’u vlerësuar dhe një kontribut i rëndësishëm jo vetëm për Literaturën e Holokaustit por edhe për Atdheun Tonë, Shqipërinë si një shembull i shkëlqyer i cili nuk i dorëzoi asnjë hebre të vetëm Nazistëve dhe “Vdekjes me sy blu” që erdhi nga Gjermania.

Por deklarata juaj e lëshuar në emisionin të fjalë, qoftë për hir të një lapsusi të momentit apo të lojërave të pakëndshme që na bën shpesh KUJTESA është tejet e gabuar dhe e pabazuar në dokumentacionin historik të Kohës. Ju nuk jeni historiane, këtë gjë e pohoni edhe vet ndaj më

lejoni që t’ju sqaroj në lidhje me këtë fakt dhe t’ju argumentoj faktin pse deklarata juaj është tejet e gabuar dhe e lëshuar në një kohë tejet të papërshtatshme që vendi është duke kaluar. Së pari, më lejoni t’ju shpjegoj faktin se në vitin 1492 numri i Hebrenjve Sefardik që e lanë Spanjën gjatë “Reconquista-s” për të ardhur në Territoret Shqiptare nuk i kalonte 300-350 persona, pjesa më e madhe e ardhur prej qyteteve si Barcelona, Girona, Valencia, etj ndërsa emri i kolonisë së pare hebraike të ardhur në Shqipëri, e specifikisht në Vlorë gjatë kësaj periudhe quhej “Kik Nirosh”.

Për këtë fakt mund të konsultoheni me Arkivin Mbretëror të Aragonës (El antiguo Archivo Real de Barcelona).

Një tjetër fakt na vjen prej Defterëve Osman (Osman Defterleri) i cili dëshmon se gjatë viteve 1506-1507 në Qytetin e Vlorës jetonin vetëm 97 familje (gjithësej 485 individë) ndërsa në vitin 1519-1520 ky numër arriti në 528 individë, kjo për shkak edhe të emigrimeve të tjera të hebrenjve nga Pulja, Napoli, Siçilia, Portugalia por edhe nga Spanja. Këtë fakt e konfirmojnë edhe dokumentat e ardhura prej burimeve italiane dhe atyre hebraike. Pra, në rastin më të mire dhe në kulmin e pranisë hebraike në Qytetin e Vlorës Hebrenjtë përbënin vetëm 1/3 e popullsisë së tij dhe jo 90% siç ju deklaroni.

Eshtë e vërtetë që gjatë Shek.16 Vlora konsiderohej si “Jerusalemi i Mesdheut”, kishte 4

Komunitete të ndryshme hebraike (Sefardik, Portugez, Italian dhe Romaniot) dhe 4 Sinagoga dhe një sërë personalitetesh të rëndësishme historike jetuan këtu si: Rabinët Humanistë R. Joseph Ibn Verga, R. David Ben Judah Messer Leon, R. Moses Ben Jacob Albelda por gjithashtu edhe djali i Rabinit zulmëmadh hebreo-portugez R. Isaac Abravanel, i cili kishte një filial të aktivitetit të tij tregëtar me qendër Qytetin e Vlorës. Këto janë faktet historike të konfirmuara dhe të pranuara gjerësisht nga komuniteti shkencor i studiuesve.

Tani të vijmë në një çështje tjetër të nxehtë, prodhuar si rezultat i deklaratës së lëshuar nga ana juaj. Ju nuk e kuptoni dhe duke qënë diametralisht shumë larg realitetit politik-shoqëror shqiptar nuk keni sesi ta kuptoni që deklarata juaj ka prodhuar një valë të nxehtë Anti-Semitizmi në vendin më pak Anti-Semitik të mundshëm në Botë siç është Shqipëria. Kjo si pasojë jo vetëm e krizës ekonomike-politike, pakënaqësisë popullore në vend dhe të ashtuquajturit “Revolucioni I Flamingove” por edhe nën ndikimin e faktorëve eksternal Iraniano-Turko-Arab të cilët kanë farkëtuar një mori teorish konspirative, midis të cilave “Shndërrimin e Shqipërisë në një Izrael të Ri”, “Tradhëtinë Kombëtare të shitjes së Territoreve tek Zionistët” por edhe “të nënshtrimit të Kryeministrit Shqiptar ndaj interesave të Lobit Hebre, duke e kënaqur dhe duke ia plotësuar këtij të fundit çdo lloj kërkesash që ai bën”… Brenda kësaj tabloje, edhe deklarata juaj e gabuar është keqinterpretuar prej këtyre qarqeve obskure Anti-Perëndimore, është zhvendosur jashtë kontekstit dhe është ri-interpretuar duke krijuar një narrativë të re konspiracioniste dhe Anti-Semite, “sikur me deklaratën tuaj ju kërkoni të legjitimoni pretendimet e Axhendës Hebraike për pretendim territorial 5 shekullor në trojet shqiptare e më pas ta uzurponi duke e vënë atë vis a vis me çështjen e Palestinës”… Kjo u vu re edhe nga reagimi i pashembullt Anti-Semitik dixhital me mbi 10.000 komente të tilla që prodhoi kjo “çështje e stisur” por tejet sensitive publikisht.

Ndaj do t’ju lutesha që në emër të vlerave të çmuara shqiptaro-hebraike që ju mbartni si personalitet, të keni kurajon publike që ta pranoni lapsusin tuaj dhe ta sqaroni njëherë e mirë këtë situatë në një TV kombëtar. “Errare humanum est!” Pranimi publikisht i gabimit tuaj ua ngre vlerat si personalitet, nuk ua ul ato! Gam zu l’tova! (Talmud, Taanit, 21a).

Me konsideratë,

Melsen Kafilaj

(Specialist i Historisë, Kulturës dhe Qytetërimit Hebraik, Universiteti i Heidelbergut).

© The Times of Israel, 2026

Ekskluziviteti në shqip: “ALBSPIRIT”