Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: “Të kesh” dhe “të jesh”, kjo është çështja në Shqipërinë e sotme…

Shumë vite më parë filozofi dhe psikoanalisti modern amerikan me origjinë gjermane Erich Fromm, në veprën e tij me të njëjtën titull, « Avoir ou ëtre » bënte një pyetje thelbësore : “Të kesh apo “të jesh”. Të duket si një pyetje hamletiane bërë në dekoret e Elsinor-it, por shoqëria moderne ngjan se do t’i kthehet pas gjithashtu pyetjes ekzistecialiste të Shekspirit. Nocionet tashmë kanë ndryshuar dhe ngjan se thelbi shoqërisë së sotme shqiptare është kthyer në problematikën shqetësuese dhe aq të ngutshme të shtruar nga Fromm: “Të kesh apo të jesh”? Sigurisht, një çështje që i drejtohet një shtrese të caktuar, sepse fshatarët e Lekbibajt apo të Breglumit, ata të maleve të Mirditës, Pukës, Librazhdit apo Pilurit, nuk shqetësohen shumë për këto pyetje ekzistenciale, pasi ata janë bërë të ndërgjegjshëm se në jetën e tyre modeste e të paqtë nuk kanë pse të vuajnë që të kenë më shumë, madje kjo pyetje nuk i mundon, sepse sa më larg të jenë atyre që “kanë”, aq më shumë ata përjetojnë jetën e paqtë e normale dhe nuk cfiliten në dilemën e madhe të kryeqytetasve “sa kam”? “sa do të kem”?

Sot është një garë e jashtëzakonëshme e oligarkëve në Shqipëri që kush të ketë më shumë, kush ta ngrejë grataçielën më të lartë edhe pse ajo është e shëmtuar dhe aburde, Është gara se kush të përfitojë më shumë nga afera të errta në lidhje gjithnjë me pushtetin i justifikohet se njerëzit mund të bëjnë ç’të duan me pronën private, por kur i akuzon për dispozita ligjore për Shqipërinë që « vihet në shitje », për qyteza betoni si Palasa e shumë të tjerë, duke shtuar projektet në lagunën e mrekullueshme të Zvernecit apo Sazanin, ata kundërsulmojnë, shajnë, mashtrojnë e gënjejnë se çdo gjë po zhvillohet ashtu siç është parashikuar. Padyshim skandaloze por dhe e vetëdijshme nga ana e tyre pasi të tërhiqen prapa, të lëshojnë, ti binden rinisë dhe kërkesave të tyre, për ta kjo do të ishte vetvrasje. Kështu marshi i tyre vazhdon dhe veç një valë e madhe mund ta ndalë.

Kur flasim për Fromm, të kuptohemi, se kur e ngre këtë pyetje, ai kishte parasysh jo shtresat popullore, ata që krijojnë vlerat materiale e shpirtërore, por ata që drejtojnë, që janë në ingranazhet e shtetit, administratës dhe të piramidës (apo piramidave) dhe që janë përfaqësues e përfaqësojnë masa njerëzish, ata që e kanë vënë vetveten në “pararojë” dhe që vetëquhen “elitë”, të zgjedhur të popullit, deputet, ministër… Pra sa më shumë ngjitesh në këtë shkallë shoqërore, aq më shumë dilema bëhet më e madhe. Individi shkëputet nga “të qenit” dhe afiniteti i ndjenjave njerëzore e solidare, dhe shpejt integrohet kështu në qerthullin e e vrullshëm të etjes së madhe: “sa kemi? … ”Po unë sa do të kem?” Madje Fromm, në analizën e tij na risjell dhe një shprehje të Marksit, i cili në shkrimet e tij theksonte se “sa më shumë të kemi, aq më shumë e prishim jetën tonë”.

Në fakt, në historinë njerëzore dhe zhvillimin e ndërgjegjes së njeriut, dy kategori duket se kanë bashkëjetuar dhe luftuar ndaj njëra-tjetrës: “të kem”, diçka organike e qenies që kur njeriu shpiku mjetin e parë të punës, duke e konsideruar si pronë të tij dhe “të jem”, pra ekzistencën e tij njerëzore dhe zhvillimin e ndërgjegjes, për ta shkëputur individin nga makthi i kërkesës “të kesh” në mënyrë që “të jetë”, duke krijuar njëkohësisht heronjtë mitologjikë dhe referencat se si duhet së pari të “jenë” dhe pastaj “të kenë”, apo siç bënë hebrenjtë që krijuan “sabat”-in, një ditë të javës, për të qenë të gjithë njëlloj, të pasur dhe të varfër, në të njëjtën gjendje shpirtërore, të purifikuar nga ideja e kamjes.

Sot, duke ndjekur evolucionin e shoqërisë shqiptare, duke analizuar gjithçka që ndodh me këtë pseudo-elitë politikanësh, deputetësh, ministrash që na drejtojnë dhe që rrallë u kanë shpëtuar afereve, e kupton se shumica e tyre, janë personazhe ekzistencialistë, që e lidhin ekzistencën e tyre vetëm me fenomenin “të kesh” (para, pushtet) dhe jo “të jesh”(njeri i idesë, përçues i ideve të emancipimit), pasi “të kesh” sot në Shqipëri, është shprehje e pushtetit dhe sinonim i tij, ndërsa “të jesh” është diçka që atyre që të tjerëve nuk u intereson. Ata kanë dalë nga ajo sferë dhe janë të huaj për të, pasi “të jesh” do të thotë të jesh me dinjitet, të jesh vetvetja, sovran, të jesh social e solidar, të jesh humanist dhe jo i tjetërsuar nga paraja. Nuk është fjala për të bërë apologjinë e varfërisë dhe idealizuar atë që s’ka, por për të jetuar normalisht, si gjithë të tjerët, pa krijuar një shoqëri tepër të polarizuar dhe të ndarë mes oligarkësh dhe të varfërish, siç konstatojmë ndasinë e madhe të shoqërisë shqiptare ku bashkëjetojnë skamja e pikëllueshme në fshatra dhe kamja në tryezat e “të zgjedhurve” për të cilën punon dhe një pjesë e rëndësishme e mediave. Janë rrogëtarët e shkrimit, filmimit.

Por ç’ndodh realisht në Shqipëri? Përse kaq shumë afere që ndjekin njëra-tjetrën? Përse kaq kërkesa për Komisione Hetimi për pasuritë e kryeministrit, ministrit, deputetit, politikanit? Dhe kur aferet zbulohen në dritë të diellit, përse ky sulm i politikës ndaj individit, kundërshtarit, biznesit të pastër, pasi biznesi sipas rregullave ekonomike do të ekzistojë për të ndihmuar progresin.

Duket se Shqipëria jeton në delirin e afereve dhe të skandaleve që lidhen me paranë dhe pushtetin, pasi aty ku është pushteti, atje gjejmë dhe sozinë e tij, paranë. Afere ditën dhe natën… dhe përsëri ditën. Konvejeri merkantil funksionon pareshtur. Ai ecën herë pa zhurmë, herë me buzëqeshje triumfatore e herë me një zhurma çjerrëse. Por dhe kur ingranazhet kërcasin para kamerave televizive, në faqet e gazetave, në rrugë e sheshe, kur ingranazhet e këtij konvejeri ngecin e frenojnë, ata vajisen sërish me një demagogji makiavelike për të ndjekur pastaj aferin e rradhës: tender, pallat, tokë e dhënë nën dorë, plazhe private, brigje, laguna, ishuj. Sa mijë? – thotë deputeti, ministri? – Do të kontrollojmë pasurinë! – thotë kryeministri! – Do të hetojmë – klith opozita! O burra një komision hetimi! Të hetojmë! Poshtë hajdutët! – klith media kundërshtare. Dhe komisionerët që mblidhen, bëjnë gjoja sikur hetojnë, pasi hetimet asnjëherë nuk përfundojnë.

Me një mazhorancë të komanduar nga Njëshi, ku askush nuk guxon të ngrihet se humbet postin, vendin e punës, gjithçka, miratohen ligje në kundërshtim me interesat kombëtare, ekologjike, të pasurive bujqësore apo minerare, siç është dhe rasti më i fundit, ku parlamenti miratoi ligjin ku tokat bujqësore sakrifikohen në emër të investimeve energjitike. Eolienët mund të ndërtohen në maja kodrinash apo në vende të shpopulluara.

Në Shqipëri shumë të panjohur bëhen deputetë, ministra, blihet gjithçka: mund të blesh një deputet, një ministër, një kryeministër. Sa bën? – pyet biznesmeni… dhe çështja mbyllet. Blihet deputeti dhe komisioni bashkë! Gjithçka blihet! Ndërkohë që gazetat paralajmërojnë krijimin e një komisioni të ri hetimi! Trumpetat bien plot zhurmë: Do të hetojmë! Kjo është parulla e ditës. E kështu të ngjan se paraja transformohet në një buldozer të madh e të rëndë që ecën gjithnjë përpara dhe merr me vete gjithçka: kryeministër, minister, deputet. Dhe habia është se ky buldozer nuk ka buldozerist. Eshtë një buldozer modern, automat, i drejtuar nga një etje e përgjithëshme e elitës sonë pushtetare, e kësaj sfere që mendon vetëm “të ketë” dhe jo “të jetë”; të ketë sa më shumë, madje gjithnjë e më shumë, për vete, për fëmijët, për nipërit e mbesat, për historinë! Të ketë! Një etje e pangopur që ka krijuar personazhin modern që nuk mund ta mendonte Balzaku dhe bashkëkohësit e tjerë të tij, pasi të kesh, sot është kthyer në një sindromë.

Mjeksia njeh shumë sindroma që shkaktohen nga virusë të fuqishëm, herë-herë vdekjeprurës. Por sindroma e parasë dhe e pushtetit është akoma më e tmerrëshme dhe e vështirë për tu kuruar, sepse ky virus modern pushton jo thjesht një organ, por trurin dhe shpirtin. Sindromë totale! Paraja dhe pushteti janë kthyer sot në një “modus vivendi” për njëri-tjetrin: jam unë që ekzistoj, pra je dhe ti, është pushteti, pra ekziston dhe paraja e anasjelltas: paraja është kusht i mbërritjes në pushtet, i fitimit të pushtetit dhe i mbajtjes me çdo kusht të tij edhe kur piramidat bijen. “Nuk e lëshojmë pushtetin! – thërresin gjithnjë mbajtësit e pushtetit. Dhe ndërkohë njerëzit e thjeshtë, kur dëgjojnë në media replikat e nxehta në gjirin e politikës, me të drejtë pyesin: nga dolën gjithë këto pasuri, pallate, automjete, miliona në bankë, të deklaruara dhe të pa deklaruara…

Ja pse bota na konsideron vend i paradokseve, vend i çudirave.

Populli shqiptar është një popull i urtë: për një kohë të gjatë ai e ndjeu se është i lodhur nga revolucionet, prej “veluri” apo të “portokajtë”… Eshtë velur nga ngjyrat. Mjaft më me revolucione! – thuhej vite më parë. Një disfatizëm total, në të cilin përfitonte paraja dhe pushteti, kjo elitë demagoge që gjoja mendon për popullin, ndërkohë që mendon vetëm për vete. Kështu ata vazhduan të majmen, të fryhen, të bëhen prepotentë dhe autoritarë, ideologë të lirisë dhe të së Drejtës, të shfaqen para kamerave në Tiranë dhe në Bruksel si apologjistë të demokracisë dhe lirisë, të anullojnë kontrata me botën ku s’mund të kenë pjesë dhe të hartojnë të reja ku të jenë pjesë, pa çka se bota i hedh në gjyq për mos-respekt të së drejtës ndërkombëtare. Dhe atëherë bëjnë presion përmes politikës duke anashkaluar ligjin, duke shkelur Kushtetutën dhe duke i thurrur himn progresit të Madh. Dhe kjo bëhet gjithnjë në emër të anti-korrupsionit.

Ç’ironi! Shteti ka vendosur megafonin e anti-korrupsionit që ta dëgjojë gjithë bota, ndërkohë që korrupsioni flë në një shtrat me të. Dhe nuk është çudi që një ditë prej ditësh, deputeti, ministri, kryeministri të na dalin sh.p.k. siç i kemi lexuar më parë në faqet e shtypit: filan deputet sh.p.k. Term magjik i evolucionit të shoqërisë shqiptare. SH.P.K. Por ja, nga zhgënjimi i madh, më në fund, populli, veçanërisht rinia, iu rikthye rrugës, sheshit, protestës për të denoncuar gjithçka luhet me fatet e Shqipërisë dhe të ardhmes së tyre. Në rrugët e Tiranës nuk janë vetëm ata që e quajnë veten « flamingo ». Bashkë me ta janë edhe ata që kanë probleme jetike, që jetojnë në gjendjen e varfërisë ekstreme dhe se « lumturia dhe drejtësia » e premtuar ishte thjeshtë një gënjeshtër. Rrugë tjetër nuk ka. Kjo klasë politike nuk mund ti zgjidhë hallet e populli. Duhet një klasë tjetër politike ku bisnesmenët të mos bëhen më politikanë, deputetë.

Në librin e tij Të kesh apo të jesh – një zgjidhje nga e cila varet e ardhmja e njeriut, filozofi dhe psikanalisti amerikan Erich Fromm i referohet Frojdit për të analizuar më mirë psikologjinë dhe atë çka ndodh në botën e atyre që jetojnë për “të pasur” dhe në funksion të “parasë”. “Një nga zbulimet më domethënëse të Frojdit dhe që lidhen me shprehjen “të kesh” – shkruan Fromm, – është faza analo-erotike që kalojnë fëmijët para se të bëhen adoleshentë, faza kur fëmijët shohin me kënaqësi anusin kur nxjerrin fekalet. Frojdi e shihte këtë si një aspekt shumë të rëndësishëm të raportit simbolik që ekziston midis parasë dhe fekaleve, midis floririt dhe fëlliqsisë. Koncepti i tij mbi karakterin anal, si një karakter që ende nuk ka arritur pjekurinë, është një kritikë e ashpër e tij kundër borgjezisë së fundit të shekullit XIX, ku cilësitë e karakterit anal përbënin normën e sjelljes morale, e konsideruar si “natyrë njerëzore”. Por për Frojdin, “personi, i cili i është përkushtuar tërësisht parasë, është një i sëmurë mendor dhe shoqëria, ku shumica kanë një karakter anal, është një shoqëri e sëmurë.”

E solla shëmbullin e filozofit Fromm, pasi referenca e tij për Frojdin dhe karakterin anal të një shoqërie të sëmurë më përafrohet shumë me atë çka përjeton një pjesë e shoqërisë shqiptare dhe pikërisht ajo e të ashtuquajturës “elitë e pushtetit”, “elitë vendim-marrëse”, që e sapo dalë nga tranzicioni i gjatë politik, mbijeton veçse në sajë të binomit “para-pushtet”, elitë që vuan nga karakteri anal frojdist, në kënaqësinë e nxjerrjes së fëlliqësisë: aty janë aferet, “hetimet”, përgjimet, shantazhet, milionat, prapaskenat, gjyqtarët që s’pranojnë të gjykojnë edhe pse ligji ua kërkon, pra gjithçka që përbën botën e tyre. Ja pse sot, ajo për çka duhet të luftojmë nuk duhet të jetë sllogani “të kesh”, por “të jesh”, të jesh njeri, të jesh i denjë dhe t’i shërbesh shoqërisë dhe shtetit, të jesh shëmbull pune dhe eksperience për tjetrin, shëmbull i kurajos dhe humanizmit. Të jeshë!…

Mjerisht, në demokracinë virtuale (dhe jo reale) që ne jetojmë, (pra e demokracisë në letër, dhunës dhe anarshisë në praktikë), utopistët mungojnë, ose dhe kur shfaqen për një çast, përballë presionit të parasë dhe të pushtetit, përballë presionit të “demokracisë së partive”, japin dorëheqjen. Por të paktën, nuk vuajmë se nuk kemi para, pallate, aksione, toka, duke dëshiruar njëkohësisht të “jemi”, sepse kështu të paktën do të themi se jetojmë si njerëz. Për Gandin, edhe pse lider i madh, jeta e tij ishte një shtëpi e thjeshtë, një rrobë, një rrogoz për të fjetur, punë, por shumë humanizëm?

“Të kesh” apo “të jesh”? Kjo është çështja! Dhe këtë zgjedhje secili duhet ta bëjë së pari vetë dhe pastaj të gjithë bashkë!