Dirigjenti që udhëhoqi orkestrat e mëdha të botës dhe zgjodhi guximin përballë diktaturës
Saimir Kadiu
Më 18 korrik 1927, në qytetin Brieg të Silesisë së Poshtme, në atë kohë pjesë e Gjermanisë (sot Brzeg, Poloni), lindi Kurt Masur, një nga dirigjentët më të shquar të shekullit XX, artisti që e ngriti muzikën në nivelin e një misioni njerëzor dhe moral.
Karriera e tij artistike u zhvillua fillimisht në Republikën Demokratike Gjermane (Gjermaninë Lindore), ku u afirmua si një personalitet i jashtëzakonshëm i jetës muzikore. Ai drejtoi Filarmoninë e Dresdenit, Komische Oper të Berlinit Lindor dhe, mbi të gjitha, Orkestrën Gewandhaus të Lajpcigut, një nga orkestrat më të vjetra dhe më prestigjioze në botë. Pikërisht aty, për gati tri dekada, ai ndërtoi reputacionin e tij si një interpret i madh i repertorit simfonik gjerman.
Kulmi simbolik i kësaj periudhe erdhi në vitin 1990, kur dirigjoi Simfoninë e Nëntë të Ludwig van Beethovenit në festimet e ribashkimit të Gjermanisë. Nuk mund të kishte një vepër më domethënëse për atë moment historik: finalja me “Odën e Gëzimit”, mbi vargjet e Friedrich Schillerit, u shndërrua në himnin e pajtimit, të lirisë dhe të bashkimit të një kombi të ndarë për gati gjysmë shekulli.
Pas ribashkimit të Gjermanisë, emri i Kurt Masurit mori përmasa ndërkombëtare. Në vitin 1991 ai u emërua drejtor muzikor i Filarmonisë së Nju Jorkut, duke u bërë një nga dirigjentët më të respektuar në Shtetet e Bashkuara. Më vonë drejtoi edhe Filarmoninë e Londrës dhe Orkestrën Kombëtare të Francës, ndërsa ishte mysafir i përhershëm në skenat më të mëdha muzikore të botës.
Repertori i tij ishte jashtëzakonisht i gjerë. Masur konsiderohej një interpret i shkëlqyer i Beethovenit, Brucknerit, Brahmsit, Mendelssohnit dhe Schumannit, por dirigjoi me të njëjtën mjeshtëri edhe veprat e Bach-ut, Mahlerit, Schubertit, Dvořákut, Çajkovskit, Sibeliusit, Shostakovichit, Debussy-t, Liszt-it, Prokofievit, Brittenit, Bruch-ut, Cerha-s dhe shumë kompozitorëve të tjerë. Interpretimet e tij dalloheshin për thellësinë filozofike, qartësinë strukturore dhe respektin e jashtëzakonshëm ndaj partiturës.
Megjithëse ishte një figurë shumë e nderuar në Gjermaninë Lindore, Kurt Masur nuk pranoi kurrë të bëhej anëtar i Partisë Socialiste të Unitetit (SED), partisë komuniste që sundonte vendin. Ky qëndrim kërkonte guxim, sepse në atë sistem besnikëria politike ishte shpesh kusht për karrierë.
Edhe më i madh ishte guximi i tij në vjeshtën e vitit 1989, kur u bë një nga zërat më autoritarë në mbështetje të demonstratave paqësore në Lajpcig, të cilat do të çonin në rënien e Murit të Berlinit dhe në fundin e regjimit komunist të RDGJ-së.
Për javë të tëra, çdo të hënë, mijëra qytetarë marshonin paqësisht në rrugët e Lajpcigut, duke kërkuar liri, të drejta civile dhe demokraci. Rreziku i një ndërhyrjeje të përgjakshme ishte real. Më 9 tetor 1989, Kurt Masur, së bashku me disa personalitete të tjera të qytetit, lexoi një apel publik ku kërkohej dialog, refuzohej dhuna dhe mbroheshin liria e fjalës dhe e drejta për protesta paqësore.
Shumë historianë besojnë se ky apel pati një ndikim vendimtar në shmangien e një masakre, duke bindur autoritetet lokale të mos përdornin forcën kundër demonstruesve. Ajo ditë konsiderohet sot si një nga momentet kyçe të “Revolucionit Paqësor” që çoi në shembjen e Murit të Berlinit vetëm një muaj më vonë.
Vetë Masur, me modestinë që e karakterizonte, gjithmonë e minimizoi rolin e tij. “Unë isha vetëm një nga shumë njerëz që e mposhtën frikën e tyre”, shprehej ai. Pas ndryshimeve politike, shumë qytetarë dëshironin ta shihnin edhe si President të Gjermanisë së ribashkuar, por ai refuzoi çdo ambicie politike, duke zgjedhur t’i përkushtohej tërësisht muzikës.
Përveç suksesit artistik, Masur u shqua edhe si edukator i brezave të rinj të dirigjentëve dhe si ambasador i kulturës gjermane në botë. Për kontributin e tij në muzikë dhe në mbrojtjen e vlerave demokratike, ai u nderua me shumë dekorata dhe çmime prestigjioze ndërkombëtare.
Kurt Masur u nda nga jeta më 19 dhjetor 2015, në Greenwich, Connecticut (SHBA), në moshën 88-vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Parkinsonit. Trupi i tij prehet në Varrezat Jugore (Südfriedhof) të Lajpcigut, qytetit me të cilin lidhi pjesën më të rëndësishme të jetës dhe të veprimtarisë së tij artistike.
Kurt Masur mbetet një nga figurat më të mëdha të dirigjimit orkestral në historinë moderne.
Ai dëshmoi se një dirigjent nuk udhëheq vetëm një orkestër, por, kur e kërkon koha, mund të udhëheqë edhe ndërgjegjen e një shoqërie.
Me shkopin e dirigjentit ai interpretoi kryeveprat e muzikës botërore; me kurajën qytetare ai ndihmoi që historia të merrte drejtimin e lirisë.