Albspirit

Media/News/Publishing

Lulzim Tafa: NË RESTORANTIN QË DIKUR ISHTE LIBRARI

Të ftoj sonte për darkë, e dashur,
Në atë restorantin te ish-“Rilindja”
Pikërisht aty
Ku dikur ishte libraria

Aty ku librat merrnin frymë
Dhe dashuria
Mbante erë letre

Tani të gjithë lexuesit
Janë kthyer në klientë

Ajo shitësja e bukur e librave
Është bërë kamariere

Tavolina jonë do të jetë pranë raftit
Ku flinin librat me poezi
Aty ku ta pata blerë librin
“Arbor Vitae”
Të kujtohen vargjet e tij?

Tani të gjithë lexojnë menynë
Askush poezi
Njerëzit mendojnë vetëm për verërat
Për mishin dhe për gjokset e asaj
Në banak

Në tavolinat përreth
Rrinë studiues të letërsisë
Ata që dikur mendonin
Se shpirti është metaforë
Tani thonë:
“Lexuesi është mit”

Ne nuk do të hamë
As nuk do të pimë

Unë do t’i nxjerr nga xhepi
Poezitë e mia
Dhe do t’i lexoj aty
Ku dikur ishte shtëpia e tyre
Dhe krejt në fund
Do ta lexoj atë poezinë e dashurisë
Që ta pata kushtuar ty

Atëherë nuk do të na duhen më
As vera,
As mishi
As ajri
Sepse sytë e tu
Do të ndriçojnë si dy libra
Që pas kaq shumë vitesh
Kanë gjetur
Raftin e vet.