Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Pango: Të rrojmë e të të kujtojmë, profesor i nderuar Emin Riza!


…Ngushëllimet më të ndjera mik e bashkëpunëtor i vjetër. I përjetshëm të qoftë kujtimi. Të rrojmë e të të kujtojmë profesor i nderuar Emin Riza. Njeri i përkushtuar si ty, si rrallëkush për zhvillimin e mbrojtjen e fuqishme të trashëgimisë sonë kulturore.
…Pata fatin të bashkëpunoja me të dy vjet kur punova në Ministri. Bashkë ndërtuam ekipin që drejtova e që punoi me përkushtim për përfshirjen e Beratit si pjesë e trashegimisë botërore kulturore. Përjetuam emocione nga më të paharrueshmet se bashku, kur erdhi lajmi nga Quebec-Kanada, se Berati ishte pranuar. Mbetet njeriu më i aftë, më i përkushtuar e më profesionist i ekipit. Ishte ai që përgatiti edhe dosjen e shkëlqyer të Beratit.
Kam shumë për të shkruar për këtë figurë të nderuar e të rrallë. Rrallëkush e di që presionet që ka patur për të toleruar shkelje të ligjit të trashëgimisë, e qëndrimi i tij i vendosur, i kanë dëmtuar edhe shëndetin e rrezikuar edhe jetën.
Nuk e harroj vizitën në spital ku ishte shtruar pas një rreziku të tillë të madh. Nuk i harroj as lotët në sytë e tij. Përsëri shkak ishin shantazhet që i bënin atij personalisht, për të toleruar prishje. I paepur.
…Në mbledhjet e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, të gjithë kishim nga një votë. Por vota e tij peshonte sa 10 vota. Fjala e prof.Emin Riza ishte vula e profesionalizmit dhe ndershmërisë. Me të mbyllej mbledhja e merrej vendimi. Sa ishte ai, nuk lejuam e nuk pati asnjë dëmtim të objekteve të trashëgimisë kulturore.
I pari që ka ngritur zërin kundër kullave që më vonë prishën Ansamblin e Madh të Trashëgimisë Kulturore të Tiranës-nga Sheshi i madh Skënderbe e deri te Universiteti.
…Një shembull ndër shumë të tjerë. Ishte mbledhja e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Kryetari i Bashkisë aso kohe, sot kryeministër, paraqiste para nesh projektin e ri të Sheshit Skënderbej-siç dihej monument kulture. Dërgata e kryetarit, ku bënte pjesë edhe një arkitekt i huaj, prezantoi sheshin e ardhmë me currilat, pllakat e larmishme që sot dihen e njihen nga të gjithë dhe natyrisht 4 kulla të larta që do i rrinin sheshit qark. Zotëronte një klimë detente, dëshire për mirëkuptim me bashkinë. Në fund të fundit Ministria e Kulturës e Bashkia, sado që të drejtuara nga dy parti të ndryshme politike, një qëllimi i shërbenin. Ndërtimit të një Tirane të bukur e të jetueshme për të gjithë. Pasi u dëgjuan prezantuesit nga Bashkia me durim e respekt, filluan të flasin anëtarët e Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Natyrisht mes tyre do dëgjohej mbi të gjithë zëri më autoritar: ai i prof. Emin Rizës.
Pak a shumë, thjesht e pa dredha tha: “…po mirë të nderuar… le ta bëjë Bashkia Sheshin… edhe me ato currilat… nuk prishin ndonjë punë… po ato kullat sikur nuk na rrinë… prishet Ansambli i Trashëgimisë Kulturore…”.
Dhe kështu u vendos. Sheshi të bëhet, por pa kullat perreth.
Natyrisht Bashkia nuk e mori fare parasysh këtë vendim. Nuk e nisi fare sheshin e rilindur. Priti ditën e gjithë pushteteve dhe e ndërtoi sheshin… por me gjithë kullat. Dhe kulla të tjera.
Nuk po gjykoj nëse bëri mirë apo keq. Thjesht rikujtova prof. Emin Rizën që si shumë herë të tjera, argumentoi, ruajti, mbrojti me besnikëri trashëgiminë tonë kulturore.
…Por ka shumë e më shumë për të folur për ty profesor e burrë i lartë…
Nderim per ty akademik, burrë e mik i nderuar, fisnik e mbi të gjitha mbrojtës me shpirt i humanes, të vyerës, të vlertës, të pavdekshmes, në kulturën e trashegiminë tonë të pasur e të pamohueshme kulturore.