Senator Bob Dole, një përkujtim e mirënjohje në ditëlindjen e tij
Miku i madh i shqiptarëve Senator Bob Dole u përkujtua sot në ditëlindjen e tij, me nderim, respekt të thellë, mirënjohje e falënderim të veçantë, prej miqve të tij të ngushtë e bashkëpunëtorëve shqiptaro-amerikanë që punuan me vite të tëra për Kosovën e kombin shqiptar. Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare humanisti Jim Xhema, kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha, personaliteti i shquar i mjekësisë në Amerikë Prof. Dr. Rifat Latifi, gazetari Halil Mula dhe atdhetari Ramë Balidemaj, në një drekë të organizuar nga patrioti i shquar i kombit shqiptar Jim Xhema, u kujtua miqësia, bashkëpunimi i ngushtë dhe histori të detajuara, episode e ngjarje të paharrueshme të jetës e veprës së Senatorit Bob Dole në Uashington me fokus lirinë e shtetformimin e Kosovës.
Bob Dole si mik i jashtëzakonshëm i popullit e kombit shqiptar, me pasionin, diplomacinë, shpirtin, lobimin dhe vendosmërinë e tij, iu gjend pranë shqiptarëve në ditët më të vështira. Senatori amerikan Bob Dole ishte një nga mbështetësit më të rëndësishëm të çështjes shqiptare në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë vizitës historike në Kosovë më 1990 Bob Dole denoncoi publikisht shtypjen dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nga regjimi serb, e bëri krizën në Kosovë një çështje prioritare në politikën e jashtme të SHBA-së, mbështeti fuqishëm sanksionet ndaj regjimit ktiminal të Slobodan Millosheviçit, ishte një zë i fuqishëm në favor të angazhimit amerikan për të ndalur spastrimin etnik dhe dhunën ndaj shqiptarëve të Kosovës, forcoi lidhjet e ngushta me komunitetin shqiptaro-amerikan duke qenë forcë dhe mbështetje në çdo ngjarje, organizim dhe veprimtari patriotike, komunitare dhe atdhetare.
Kombi ynë, populli ynë dhe shqiptaro-amerikanët do ti jenë përjetë mirënjohës e falenderues.